E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora bllokon rrugën Peshkopi-Tiranë

Qindra njerëz janë bllokuar
nga dëbora dje pasdite në
aksin nacional Peshkopi-Tiranë.
Një stuhi dëbore që ka përfshirë
rrethet e Bulqizës dhe Dibrës ka
bërë që rruga të bëhet e pakalueshme
në të paktën tri pika, duke
bllokuar për orë të tëra
qarkullimin e dhjetëra makinave.
Bexhet Bali, nga Elbasani, ishte
bllokuar dje në afërsi të Urës së
Qytetit, rreth 10 kilometra larg
Bulqizës dhe kërkoi ndihmën e
gazetarëve për të vënë në lëvizje
policinë rrugore dhe drejtorinë e
rrugëve. Rreth orës 17.00, Bexhet
Bali tregoi se në afërsi të Urës së
Qytetit ishin bllokuar që nga ora
14.00 të paktën 30 mjete dhe
askush nuk kishte shkuar në ndihmë
të tyre. "Janë bllokuar rreth
30 makina këtu, që nga ora 14.00
dhe deri në orën 17.00. Nuk ka
shumë dëborë, por ajo pak që ka
zënë në rrugë e ka bërë terrenin
mjaft të rrëshqitshëm dhe është e
pamundur të kalohet pa zinxhirë.
Faji është edhe yni, që nuk kemi
vënë zinxhirët, por stuhia e
dëborës ishte e papritur", tha Bali.
Ai sqaroi më tej se kishte kërkuar
ndihmën e policisë rrugore, por
askush nuk kishte ndërhyrë për
më shumë se katër orë. "Duhet një
fadromë për të hapur një pjesë të
rrugës. Të paktën të shkojmë deri
në Bulqizë e të flemë atje", tha elbasanasi
i bllokuar nga moti i keq.
Shefi i policisë rrugore të Bulqizës,
Ardian Balla, tha se situatë problematike,
përveç Urës së Qytetit,
kishte edhe në vendin e quajtur
Pishat në Fushë Bulqizë dhe te
Çezmat e Zerqanit. "Në këto rrugë
kalohet vetëm me zinxhirë. Problem
nuk është bërë trashësia e
borës, por rrëshqitja e mjeteve,
pasi shumica e makinave nuk
janë të pajisura me zinxhirë,
ndërkohë që mungojnë totalisht
skoriet dhe kripa në rrugë", tha
shefi i rrugorëve të Bulqizës. Sipas
tij, është kërkuar menjëherë ndërhyrja
e firmave që kanë në
ngarkim mirëmbajtjen e rrugëve,
por vazhdimi i stuhisë nuk e ka
bërë të mundur ndërhyrjen. Edhe
Durim Balla, drejtor i mirëmbajtjes
së rrugëve nacionale për
Qarkun e Dibrës, tha se situata
ishte problematike edhe në një
pikë në afërsi të qytetit të Peshkopisë.
"Kemi pasur disa makina të
bllokuara te malorja e Llasenit, në
të dalë të Peshkopisë dhe kemi
ndërhyrë për të zhbllokuar
rrugën", tha Durim Balla. Sipas tij,
problemet kanë ardhur më së
shumti për faj të shoferëve që nuk
kanë përdorur zinxhirët në këtë
rrugë. "Unë mund t‘ju konfirmoj
se i gjithë aksi rrugor është i kalueshëm
me zinxhirë, por ngaqë jo
të gjitha makinat janë pajisur me
zinxhirë kanë ndodhur bllokime
të qarkullimit në disa pika. Gjithsesi,
situata është nën kontroll
dhe ne kemi vënë në lëvizje të
gjitha strukturat për të mos i lënë
njerëzit në rrugë", tha Durim Balla.
Situata në rrugën Peshkopi-Tiranë
u normalizua rreth orës
19.00. Qytetari Bexhet Bali tha dje
në mbrëmje se një fadromë kishte
shkuar për të zhbllokuar
rrugën tek ura e qytetit, rreth orës
18.00 dhe në orën 19.00 të gjitha
makinat e bllokuara kishin rinisur
udhëtimin. "Tani mbetëm në
Bulqizë, sepse nuk mund të shkojmë
më tutje me këtë mot. Do
flemë këtu sonte dhe nesër në
mëngjes do të nisemi për në Elbasan",
tha Bali, i cili sqaroi se
edhe shumë të tjerë kanë vepruar
si ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›