Durrës, kthehen 15 mijë emigrantë për fundjavë
Fundjava zbarkon në Durrës mbi 15 mijë emigrantë, të cilët kthehen për festat e fundvitit pranë familjeve dhe të afërmve. Për t‘iu përgjigjur këtij fluksi, agjencitë e lundrimit kanë rritur numrin e trageteve që lidhin dy brigjet e Adriatikut në këtë gjysmë të dytë të muajit dhjetor. Njëkohësisht edhe sportelet e kontrollorëve të policisë kufitare kanë funksionuar me kapacitet të plotë, përfshirë dhe doganierët që veprojnë në terren për të shmangur vonesat e të ardhurve gjatë përpunimit në dalje nga sheshi i trageteve. Nga tre tragete që mbërrijnë zakonisht në mëngjes, të dielën kanë mbërritur 5 tragete me afro shtatë mijë pasagjerë dhe rreth dy mijë automjete. Edhe gjatë ditëve të javës pritet të ketë fluks pasagjerësh për të arritur kulmin në fundjavën e ardhshme, ku pritet një numër më i madh pasagjerësh. Kriza që ka prekur vendet e Europës dhe emigrantët tanë që jetojnë e punojnë atje, nuk e ka zbehur aspak dëshirën e tyre për t‘u kthyer, ndonëse të ardhurat që ata sjellin do të jenë të pakta. Të paktën kështu shprehen disa prej tyre, pak çaste pasi kanë zbarkuar në Portin detar të Durrësit. "Puna ka rënë dhe në Europë. Në fabrikën ku unë punoj janë bërë shkurtime të shumta dhe ulje të pagave. Jam me fat që mbeta në punë", thotë një 40-vjeçar nga zona e Kukësit, që jeton në Itali prej 11 vjetësh. Emigrantët pohojnë se çmimet e biletave të trageteve mbeten të larta, ndërsa orët e udhëtimit të gjata. Gjithsesi ata shprehen të kënaqur për shpejtësinë në kryerjen e procedurave të përpunimit.
Va. Qy.