E Diel, 1 Nëntor 2026

Romanet e mia, fotografi të tranzicionit ballkanas

Kësaj here, ka zgjedhur ta çojë lexuesin në Kosovë. Të rrëfejë një histori të përbashkët mes shqiptarëve e serbëve. Një histori lufte, në zemër të Ballkanit, por edhe një histori dashurie, në qendër të së cilës janë dy të rinj, Ajkuna dhe Zlatan. Shkrimtarja shqiptare Anilda Ibrahimi sjell romanin e dytë të një trilogjie, të cilën e ka nisur me romanin "Rosso come una sposa" (vlerësuar me shumë çmime në Itali). E ka titulluar "L‘amore e gli stracci del tempo". Edhe ky është shkruar në gjuhën italiane, në gjuhën e atdheut të saj të dytë, siç e quan shkrimtarja. Pas Shqipërisë në periudhën e komunizmit ka sjellë në vëmendje dramën e Kosovës, por jo duke vënë në qendër serbët. Jo për të akuzuar, por thjesht për të rrëfyer. Ende nuk i ka dhënë fund rrëfimit për Ballkanin. Ndaj edhe thotë se ka në proces një roman të tretë. Do të jetë një libër i bazuar në "histori brenda historisë", kaq mund të tregojë Anilda, për shkak të kontratës që ka me shtëpinë botuese "Einaudi" në Itali. "Ky roman do të jetë nga ana e bijve, brezi i fundit i lindur tjetërkund, që kthehet - jo fizikisht - aty ku nis gjithçka, pra në vendin e origjinës së prindërve", rrëfen ajo.

Pas një Shqipërie në periudhën e komunizmit në romanin "Rosso come una sposa", ju vini me një roman të ri "L‘amore e gli stracci del tempo" ngjarjet e të cilit janë zhvendosur në Kosovë. Përse kjo zgjedhje?

"L‘amore e gli stracci del tempo", që është libri i dytë i një trilogjie, fillon aty ku mbaron "Rosso come una sposa", pra pas rënies së komunizmit. Udhëtimi vazhdon në Kosovë, në fazën përfundimtare të dhjetëvjeçarit ballkanik të larë me gjak, ku bashkë me hartën gjeografike ndryshimet pasqyrohen dhe në jetët dhe fatet e njerëzve, nën trysninë e nacionalizmave reciprokë. Kush mbetet i lidhur me të shkuarën, sado mitologjike apo e lavdishme që të jetë ajo, në thelb ngelet skllav i një identiteti "fiks" të mbyllur në veten e vet dhe nuk jetohet më. Ajo që ndoshta më interesonte më shumë ishte shpërbërja e Ballkanit dhe hyrja në një botë të re, në një logjikë të re të një shoqërie më europiane, këto janë temat e mia. Në librat e mi gjendet gjithmonë ajo çka lidh të vjetrën me të renë dhe sidomos momenti i saktë i tranzicionit nga një erë në tjetrën. Romanet e mia lindin si fotografi e këtij momenti dhe personazhet e mi përfaqësojnë paradigmat e çrrënjosjes totale, jo vetëm për konceptin dhe karakterin kulturor, që na shpie në temat e larmishme migrante, por edhe në koturë me ngjyrime më të prekshme dhe më të thella të këtyre temave.

Në një intervistë të mëparshme më keni thënë se kur shkruani mundoheni të jeni sa më gjakftohtë dhe të mos përfshiheni nga emocionet. Kësaj here jeni shprehur se keni vuajtur vërtet gjatë kohës kur e keni shkruar. Pse?

Për shumë, shumë arsye. E para, kjo është një histori dashurie dhe të gjitha historitë e dashurive janë për vetë natyrën e tyre sentimentale, të ndjeshme. Urrej sentimentalizmin në letërsi, ashtu siç urrej retorikën. Thosha me vete edhe sikur të shmang sentimentalizmin e dashurisë, do bie në retorikën e luftës, sepse ky roman tregon luftën dhe dhunën në të gjitha format e saj. Ne romanet e mia nuk ka personazhe të këqij. Të këqijtë për mua janë ata që gjenden në mes të historisë, persona që nuk kanë zgjedhur, por koha ka zgjedhur për ta. Kam ecur në një fill të brishtë, duke mos qenë ekuilibriste, por me bindjen e thellë që kjo mënyrë të treguari për mua është e vetmja. Doja të tregoja dramën e Kosovës, por jo duke vënë në qendër serbët. Unë nuk akuzoj, thjesht rrëfej.

Atëherë si e keni përcjellë dramën e Kosovës, plagën e fundit të Ballkanit?

Parimisht jam kundër bombave inteligjente të amerikanëve, bombat inteligjente nuk ekzistojnë. Në rastin konkret jam e bindur që ndërhyrja e OKB-së ishte e vetmja rrugë shpëtimi për Kosovën. Ishte në akt, një gjenocid ndaj një populli të tërë, politika paqësore e Rugovës nuk pati asnjë rezultat dhe nuk mund të kishte më një bashkëbisedues si Millosheviçi, kështu që e përsëris se rruga që u ndoq ishte e vetmja. Pres ndërhyrjen e botës edhe në Çeçeni, në Palestinë, apo në rastin e kurdëve. Jam për lirinë e popujve të vegjël, që nuk kanë zë në histori.
Një histori dashurie mes një djali serb dhe një vajze kosovare, të cilët i ndan lufta e Kosovës... Dashuria mes të dyve, mos ndoshta vjen si një mesazh paqeje për të dyja vendet?

Ka kaluar koha që letërsia ishte ajo që sillte mesazhe, nuk besoj në të tilla mesazhe, kështu që do të ishte më mirë të përdornim fjalën urim. Në qendër të romanit janë dy të rinj, të cilëve lufta u ndryshon fatin dhe koha e pamëshirshme, siç di të jetë vetëm ajo, u copëton ëndrrën e dashurisë që i mbajti gjallë. Këtu, dashuria është më e fortë se historia, por që të dyja janë të pafuqishme përballë kohës. Edhe titulli vetë e ka frymëzimin nga një poezi e poetit anglez, John Donne, "gli stracci del tempo" pra "të grisurat, copat e kohës".

Për të shkruar këtë roman jeni frymëzuar nga historitë e vërteta. Ju vetë keni njohur nga afër refugjatë kosovarë, ashtu sikundër edhe serbë. Për të krijuar keni gjithnjë nevojë për t‘u ngacmuar prej të vërtetave, apo me raste funksionon edhe thjesht fantazia?

Isha nisur për të treguar realitetin e luftës, aty ku ana humane e atyre që janë përfshirë kryqëzohet me anën politike, ose më mirë në këtë rast me anën etnike. Doja të rrëfeja jashtë çdo qëllimi propagandistik dhe jashtë çdo etikete, që si e tille do të kishte qenë thjeshtësim pra me një fjalë, trillim, dhe si rrjedhim edhe operacion letrar i dyshimtë. Është e vërtetë, jam mbështetur tërësisht në sfondin historik, që për mua është shumë i rëndësishëm. Por unë spostohem vazhdimisht në këtë sfond historik, sepse rrëfimi është edhe ëndërr, fantazi, krijim.

Një shkrimtare si ju, që jeton e punon larg Shqipërisë, a e ndjen të nevojshme të jetë në kontakt me lajmet e kronikat që vijnë prej vendit ku u rrit?

Në erën e globalizimit është shumë e lehtë të ndjekësh të rejat e atdheut tënd të mëparshëm. Sepse edhe atdheu është një koncept i lëvizshëm, që spostohet vazhdimisht, ashtu si edhe gjuha. Nuk jam e lidhur dëshpërimisht me konceptin e përkatësisë etnike dhe me mitin e tokës mëmë. Kam një atdhe të dytë, ku po jap kontributin tim si shkrimtare në gjuhën italiane. Një atdhe të dytë që nuk eklipson të parin, njëri nuk përjashton tjetrin, vlen parimi i vazove komunikuese. Nuk i përkas më realitetit shqiptar, realiteti është përditshmëria. Mund të citoj fituesen e "Nobel"-it të këtij viti, Herta Muller, që thotë: "Atdheu është çka flitet". Nuk vuaj aspak për këtë, e shoh gjithçka nga pozita e një njeriu të ndërgjegjësuar, që e di se atdheu ecën më së miri dhe pa të. Si shkrimtare, kam ende për të treguar. Ballkani për mua ngelet plaga ime, ngelet pasioni im. Ndoshta në këtë formë, në këtë largësi, jam edhe më e pranishme për atdheun. Nuk mendoni kështu?
Përse nuk keni pranuar që romani juaj i parë të përkthehet e të botohet në gjuhën shqipe?

Është e vërtetë që shtëpi botuese shqiptare kanë kontaktuar shtëpinë time botuese "Einaudi", për të blerë të drejtat e autorit për botimin në Shqipëri të "Rosso come una sposa". Nuk përmend emra, por në largësi i falënderoj nga zemra për vlerësimin që i kanë bërë romanit tim. Edhe për mua ka qenë kënaqësi e madhe të konstatoj që ofertat m‘i kanë bërë botues larg logjikave të letërsisë komerciale. E megjithatë nuk kam pranuar. Sepse mënyra e të treguarit tim nuk i përshtatet as gjendjes shpirtërore që populli shqiptar kalon në këto momente dhe as klimës politike, sociale e kulturore të vendit në përgjithësi. Unë rrëfej për kënaqësinë e rrëfimit, letërsia për mua është shumë e çmuar për ta përdorur (shpërdorur) si mjet për larjen e mërive politike dhe hakmarrjen personale në largësi. Tonet e mia nuk janë retorike, dhe pikërisht këto tone janë pa vend në atë kontekst. E kuptoj popullin tim, është e vështirë të marrësh distancat kaq shpejt nga e kaluara dhe ta shohësh atë me gjakftohtësi dhe paanësi. Mua më ka ndihmuar largësia.
Në dorë keni një libër të tretë, për të cilin thoni se do të jetë fundi i trilogjisë. Në ç‘kohë e në ç‘hapësirë do të vendosen ngjarjet?

Po shkruaj librin e tretë që mbyll trilogjinë e Ballkanit. Isha nisur nga fillimi i viteve ‘900, nga shoqëria arkaike e një krahine të Jugut dhe hyrja në modernitet. Në librin e dytë trajtoj ndryshimet e Ballkanit, vdekjen e shoqërive bazuar ne koncepte etnike, rikrijimin e kufijve, vendeve, familjeve, fateve. Libri i tretë do të ketë gjithashtu një sfond të rëndësishëm historik, që në këtë moment nuk mund ta them, për arsye të lidhura me ekskluzivitetin e kontratës time me "Einaudin". Le ta themi në një mënyrë tjetër: do të jetë një libër i bazuar në "histori brenda historisë". Nëse në librin e parë isha nga ana e nënave, në të dytin nga ana e baballarëve, i treti do të jetë nga ana e bijve, brezi i fundit i lindur tjetërkund, që kthehet - jo fizikisht- nga aty ku nis gjithçka, pra në vendin e origjinës së prindërve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›