Suzana Turku drejton koncertin e Krishtlindjeve
U mbajt dje në katedralen e "Shën Palit" në Tiranë koncerti i Krishtlindjeve. Kori "Pax dei" dhe Orkestra e Harqeve e Filarmonisë së re kanë ardhur nën drejtimin e dirigjentes Suzana Turku, "Artiste e merituar" dhe koncert maestro ishte Donika Çili. Për publikun janë interpretuar pjesë muzikore nga Moxart, Brahms, Shubert etj. Sisa prej emrave më të njohur të skenës operistike si Erjona Gjyzeli, Erlind Zeraliu, Sofika Kola, Dorina Selimaj etj., kanë interpretuar këngët së bashku me korin "Pax Dei". Kori "Pax Dei" ka qenë gjithmonë i pranishëm në shumë aktivitete të rëndësishme, brenda dhe jashtë vendit. Kori "Pax Dei" lindi si një kërkesë e brendshme shpirtërore, e domosdoshme, për t‘i dhënë mesazhe të fuqishme njerëzore dhe paqeje shoqërisë shqiptare. Ai është i pari formacion koral në llojin e vet në historinë e muzikës shqiptare, një formacion solid i përbërë nga 21 muzikantë të pasionuar dhe profesionalisht e vokalisht të mirëpërgatitur. Ai është një kor që këndon muzikën religjioze (musica sacra) të periudhave dhe stileve të ndryshme, muzikën korale paraklasike e klasike dhe të periudhave të mëvonshme, deri në ato bashkëkohore (moderne), muzikën amerikane dhe europiane, muzikë tabu, e ndaluar në të kaluarën. Ky grup koral ekzekuton me mjeshtri muzikën korale shqiptare, si populloren, ashtu edhe patriotiken, të përpunuara dhe të përshtatura me mjeshtri për këtë formacion nga kompozitorët tanë: Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Limoz Dizdari, Feim Ibrahimi, Nikolla Zoraqi, Aleksandër Peçi etj. Mjaft kompozitorë shqiptarë kanë shkruar dhe përpunuar pjesë korale, enkas për këtë kor. Një ndihmesë të veçantë, me përpunimet e tij mjeshtërore për këtë formacion koral, ka dhënë muzikanti, mjeshtri Gjon Simoni. Të gjitha këto krijime dhe përpunime kanë pasur një tingëllim të veçantë në interpretimin e grupit "Pax Dei", si në skenat shqiptare, ashtu dhe në ato të huaja.