Dëbora e parë zbardh malet e Kukësit
Ftohja e motit ka sjellë dëborën e parë në Rrethin e Kukësit, duke nisur kështu stina e dimrit të vështirë. Në lartësinë 1000 metra mbi nivelin e detit ka zbardhur gjithçka prej dëborës, duke krijuar në fshatra të veçantë edhe probleme të qarkullimit rrugor si dhe vështirësi në mbarështimin e blegtorisë. Në fshatrat e Komunës së Shishtavecit, në Arrën, Grykë Çajë, një pjesë e Zapodit ka rënë 5 centimetra dëborë, ndërsa në zonat më të larta trashësia e dëborës i kalon 20 centimetrat. Nga pushteti vendor në këto zona që komunikojnë me Shtabin e Emergjencave të Prefekturës së Kukësit, mësohet se nuk ka situata emergjente apo bllokim të akseve të rëndësishme të rrugëve, por thuhet nga ana tjetër se dëbora e djeshme që konsiderohet e parakohshme, ka krijuar vështirësi në menaxhimin e prodhimit të patateve, si dhe në sektorin e blegtorisë. Dëbora ka zbardhur edhe majën e Qafës së Malit në aksin e rrugës së vjetër nacionale Prishtinë-Kukës-Tiranë ku janë detyruar të lëviznin mjetet motorike pas mbylljes së tunelit. Në këtë aks është rikthyer vëmendja e mirëmbajtësve për disa segmente të dëmtuar nga erozioni që nga periudha e mosfunksionimit dhe qarkullimi po vijon pa shumë probleme.
Su.Di.
Su.Di.