E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq pezullon të gjitha lundrimet

Moti i keq shkakton probleme, duke pezulluar përkohësisht lundrimet mbi Adriatik dhe Jon. Portet e Shëngjinit, Durrësit, Vlorës dhe Sarandës kanë ndaluar punën që në orët e para të ditës së djeshme, ndërkohë që situata pritet të jetë e vështirë edhe në ditët në vijim, duke mos lejuar lundrimet në det dhe përpunimin e mallrave në porte.

Durrës

Në Portin Detar të Durrësit, fortunali detar dhe reshjet e shiut shkaktuan probleme gjatë 24 orëve të fundit jo vetëm në lëvizjen e anijeve tregtare të tonazhit të vogël dhe të mesëm, por dhe të trageteve që lidhin këtë port me portet italiane. Mëngjesin e djeshëm, vetëm dy nga katër tragetet që priteshin mbërritën në port. "Venezia" dhe "Flaminia" u ankoruan në kalatat e terminalit të trageteve ndonëse me vonesë për shkak të kushteve të rënduara atmosferike në det, ndërsa dy tragetet e tjera "Joni" dhe "Athena" nuk mundën të nisen natën mes së hënës dhe së martës nga Porti i Barit. Burime nga Kapiteneria e Portit Detar të Durrësit bënë të ditur se dje, deti i trazuar ka regjistruar forcën 7-8 ballë dhe era ka fryrë me drejtim nga juglindja. Parashikimet flasin për një qetësim të detit në orët e vona të së martës dhe orët në vazhdim gjatë të cilave dhe era ka ndryshuar drejtimin e saj nga juglindje në veri - veriperëndim. Ndërkaq trageti "Riviera del Conero" që është nisur natën e së hënës nga Porti i Durrësit mësohet të ketë pasur probleme gjatë ankorimit në portin e vendit fqinj, si pasojë e motit të keq edhe në brigjet perëndimore të Adriatikut. Anijet tregtare të ankoruara në port dhe ato në radë kanë marrë masat e sigurisë për të shmangur incidentet nga përplasja dhe kanë mbyllur mirë hambarët për të ruajtur dëmtimin e mallit nga reshjet e shumta të shiut në pritje të përmirësimit të motit dhe përpunimit të ngarkesave.

Vlorë

Deti i trazuar ka shkaktuar probleme të mëdha edhe në Portin e Vlorës. Një peshkatar nga Vlora, Valdir Troqe, thotë se nuk ka parë ndonjëherë det kaq të egërsuar dhe se lundrimi është i pamundur. Shefi i Kapitenerisë së portit, Genci Hasanaj, thotë se deti i keq ka filluar rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, kur janë lajmëruar të gjitha mjetet të dalin në radë, ose në det pasi deti i trazuar me një fuqi 7-8 ballë në gji do të përplaste të gjitha anijet që ishin të ankoruara në mol. "Sot nuk është kryer asnjë veprim në kalatat e Portit të Vlorës nga rreziku i përplasjes së mjeteve me molin", tha Hasanaj. Fuqia e detit 7-8 ballë në gji ka bërë që uji të depërtojë dhe në zona të banuara që janë afër bregut si dhe në lokalet që janë jo më larg se 50 metra nga bregu. Në Zvërnec uji ka depërtuar deri në 50 metra në brendësi të tokës. Situata ka qenë e njëjtë në Himarë ku dallgët e mëdha janë bërë problem për qarkullimin e automjeteve në rrugën që kalon anës detit, ndërsa në Karaburun, fortunali ka shkatërruar edhe rezervatet e peshkut.

Sarandë

Moti i keq me reshje të dendura shiu është shoqëruar dje edhe me rritje të treguesit të dallgëzimit të detit Jon. Kjo ka lënë në spirancë tragetet e linjës Korfuz-Sarandë e anasjelltas. Kjo ka qenë kategorike si për tragetet "Kaliopi" e "Riviera", që teknikisht përballojnë deri në 5 ballë dallgëzim, ashtu edhe për dy tragetet e tipit "delfin", që funksionojnë në këtë linjë e që dihet se përballojnë deri në 6 ballë. Megjithatë, nga Kapiteneria e Portit të Sarandës, në bashkëpunim me homologët e tyre në Korfuz, pas leximit të aparaturave që kanë shënuar 7 deri në 8 ballë dallgëzimin e detit, kanë ndaluar nisjen e trageteve dhe transportin detar të udhëtarëve nga brigjet e të dy qyteteve kufitare. Sipas Xhezo Telos, oficer i shërbimit të Kapitenerisë së Sarandës, kjo është komunikuar në kohë për drejtuesit e të katër trageteve që lundrojnë në këtë linjë, të cilët kanë ndalur prerjen e biletave për udhëtarët, pa qenë nevoja të anulohen ato. Në këtë itinerar lëvizin rreth 80 udhëtarë në ditë, përveç tragetit të grupeve të turistëve të huaj, që vazhdojnë t‘u drejtohen brigjeve të Sarandës edhe në këta muaj vjeshte, deri në fund të tetorit. Burime nga Kapiteneria e Sarandës bënë të ditur se e njëjta situatë e paralizimit të lundrimit të trageteve të linjës pritet të jetë edhe në dy ditët pasardhëse, të mërkurën dhe të enjten. Në dy ditët në vijim, sipas këtij burimi, parashikohet që dallgëzimi të jetë 6 ballë dhe me interval kohe çdo 6 orë ai do të zbresë në 4-5 ballë. Por, për arsye sigurie, edhe në kushtet e zbutjes së pritshme të dallgëzimit, lundrimi i trageteve të transportit publik të udhëtarëve, nuk do të jetë i lejuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›