E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegët e Kristos: Dikush spiunoi te SHIK-u

Vazhdojnë diskutimet në faqen e internetit www.albselefet.com për arrestimin e Artan Kriston, teksa kolegët e tij deklarojnë se "dikush ka spiunuar në zyrat e SHIK-ut në Durrës". Ata pohojnë se nuk besojnë që një njeri i Zotit mund të realizojë akte terroriste. "Ndoshta ka qenë rastësi, por dje janë parë disa persona ‘të ashtuquajtur hoxhallarë‘ të dalin nga portat e SHIK-ut (Shërbimi Informativ Kombëtar), për shembull, si rasti në Durrës, dy net më parë", shkruan njëri prej tyre, i cili shton se nëse hoxha i nderuar del në gjyq, atëherë do të vijnë edhe dëshmitarët që kanë ngritur akuzën nga "besimtarët", sikurse ishte cekur në letrën e arrestit.

Ndërsa një "koleg" tjetër i të ashtuquajturit Muhamed Abdullahi deklaron se kjo s‘është gjë tjetër veçse një "ngecje" akuzash. "Ata çmirkeqët, gjasmë ‘prokuroria‘ apo CIA derdhën djersë derisa arritën të kuptojnë kush është ky person. Do të thotë që janë të gjitha të pavërteta, false, shpifje, gënjeshtra, mashtrime, sepse asgjë s‘është e saktë nga sa pretendojnë. Le të merren me Gërdecin, le të merren me Kosta Trebickën, të gjejnë vrasësit e Remzi Hoxhës, Fatmir Xhindit etj., që s‘kanë fund marrëzitë e këtyre të marrëve", shkruan personi me pseudonimin "Agimalb". Sipas tij, këta amerikanët që ju duan të mirën këtyre njerëzve anembanë globit, janë bisha. "Agimalb"-i shton se "ata duan të shuajnë dritën e Allahut, por Allahu e përsos dritën e tij edhe pse e urrejnë atë pabesimtarët". Më tej shton se në Shqipëri probleme të kësaj natyre s‘ka pasur, e s‘do ketë inshallah lidhje terrori, sepse ne nuk po na lufton kush. Në fund thotë se "Allahu e ndihmoftë vëllain tonë e të gjithë myslimanët kudo, që u bëhen padrejtësi nga këta njerëz që shpejt kanë për ta shijuar hidhësinë e dënimit nga punët e tyre të pista, nëse nuk pendohen e heqin dorë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›