Imami i xhamisë së Tabakëve: Në fenë islame ka rryma ekstremiste
Imami i xhamisë së Tabakëve në Tiranë, Elvis Naçi, deklaroi dje në një televizion privat se në fenë myslimane në Shqipëri po shfaqen gjithnjë e më shumë tendenca ekstremiste. Duket se arrestimi i Artan Kristos, besimtar i fesë islame, i dyshuar për nxitjen dhe kryerjen e akteve terroriste, ka hapur një debat të nxehtë në komunitetin islam. Naçi, pa e paragjykuar rastin në fjalë dhe duke e lënë atë në dorë të drejtësisë, pranon ekzistencën e rrymave ekstremiste, për të cilat thotë se po operojnë në një terren të lirë e pa kontroll. Përhapja e këtyre ideve të rrezikshme edhe për vetë komunitetin mysliman, sipas imamit Naçi, po bëhet përmes literaturës fetare, për të cilën, gjithashtu, sipas tij, nuk ka kontrolle. Shfaqja e rrymave të ndryshme brenda këtij komuniteti në Shqipëri është shfaqur me konflikte të ndryshme prej disa vitesh. Arrestimi i Artan Kristos u shtohet dyshimeve për ekzistencën e rrymave ekstremiste, por deri në zbardhjen e plotë të veprimtarisë së tij këto mbeten vetëm dyshime, ndërsa ai i bën thirrje komunitetit mysliman të ndërmarrë një sërë reformash për të zhdukur këto rryma.