Prefektura merr masa para stinës së dimrit
Në prag të dimrit, Prefektura e Shkodrës nis marrjen e masave për të përballuar problemet e mundshme që mund të krijohen në zonat e thella malore. Dje është zhvilluar një takim pune me drejtuesit e komunave të thella malore, drejtues të shtabit të emergjencës dhe disa nga drejtuesit e institucioneve kryesore të qarkut. Qëllimi i takimit ishte njohja me situatën dhe problematikën e zonave të thella malore, të cilat gjatë dimrit bllokohen nga dëbora. Pavarësisht rëndësisë së takimit ra në sy mungesa e disa drejtuesve të zonave më problematike, që qëndrojnë të izoluara gjatë gjithë dimrit si Vermoshi dhe Puka. Situatë problematike u prezantua në zonën e Dukagjinit, ku sipas drejtorit të rrugëve rurale, Gjovalin Kodra, një masiv mali është çarë dhe rrezikon nga çasti në çast të bllokojë rrugën që lidh Dukagjinin me Shkodrën. Duke folur më tej për këtë problem, drejtori i rrugëve rurale është shprehur se mjetet dhe kushtet që ka ndërmarrja janë modeste në krahasim me nevojat që kanë rrugët rurale të Qarkut të Shkodrës.
Ndërsa një problem tjetër shqetësues u ngrit nga shefi i rendit dhe sigurisë publike në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës, Ridvan Bushati, sipas të cilit rezervuarët e depove të ujit e kryesisht ato të liqenit të Shkodrës, janë pa roja. Ndërsa në lidhje me akset rrugore dhe malore shefi i rendit dhe sigurisë është shprehur se janë tepër të vështira në kohë dimri por e vetmja që mund të bëjë policia është të vendosë sinjalistikën e duhur. Në fund të takimit, prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, u kërkoi të gjithë drejtuesve vendorë dhe drejtuesve të institucioneve që të marrin masat për çdo problem serioz, përpara se dëbora të izolojë zonat e thella.
Ar.Ho.