Llogaraja mbetet e bllokuar, shkak mungesa e kripës dhe skorieve
Policia njoftoi dje se dy rrugët që lidhin Sarandën me Gjirokastrën dhe Vlorën ishin bllokuar nga dëbora.
Qafa e Llogarasë vijon të jetë e bllokuar për të tretën ditë, qarkullimi lirshëm i automjeteve duket se është i pamundur, e gjithë kjo pas problemeve me tenderin e kripës dhe mbetjeve që duhej të përdoreshin në këtë rrugë. Gjatë gjithë natës së djeshme nuk ka pasur lëvizje të automjeteve në këtë zonë. Policia kishte marrë masa që në të dy krahët të mos lejonte automjete për shkak të rrezikshmërisë që paraqitej nga sasia e madhe e reshjeve të dëborës, e rënë gjatë natës dhe për shkak të fenomenit ngricë. Ndërsa dje rreth orës 12:00 është njoftuar se bëhet kalimi vetëm në një korsi dhe duke përdorur zinxhirët. Në këtë aks rrugor nuk janë krijuar radhë automjetesh për shkak të njoftimeve të herëpashershme të policisë, ndërkohë situata problematike në të tria ditët ka bërë që udhëtarët të anulojnë lëvizjet e tyre. Nëpërmjet një komunikimi me mediat, Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës ka bërë me dije se “Në mbështetje dhe ndihmë të qytetarëve bëjmë me dije se ‘Qafa e Llogarasë’ në aksin rrugor Orikum-Himarë dhe ‘Qafa e Muzinës’ në aksin rrugor ‘Sarandë-Gjirokastër’ janë të bllokuara dhe të pakalueshme edhe me zinxhirë, si pasojë e reshjeve të dëborës. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos udhëtojnë nëpërmjet këtyre akseve, pasi rrezikojnë të bllokohen”. Bllokimi ka ardhur si pasojë e mosrealizimit të tenderit të kripës që, sipas burimeve, i është dhënë qytetit të Sarandës, po ashtu edhe masat e ndërmarra nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve nuk kanë qenë eficente për të bërë të mundur zhbllokimin në kohën e duhur të këtij aksi rrugor. Një vit më parë Drejtoria Rajonale e Rrugëve kishte hedhur përgjatë këtij aksi sasi të konsiderueshme skorie dhe kripë, ndërsa nuk ka pasur masa të marra që më herët për përballimin e situatës, e cila ripërsëritet rreth 5 herë në vit, gjatë periudhës së dimrit. E.Haruni