E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora izolon veriun dhe verilindjen e Shqipërisë



Tiranë - Reshjet e pandërprera të dëborës gjatë 24 orëve të fundit kanë paralizuar veriun dhe verilindjen e Shqipërisë, por nuk munguan edhe problemet në jug të vendit. Në akset kombëtare në jug të vendit policia bllokoi kalimin e automjeteve për shkak të akullit. Sipas të dhënave, më e rënduar situata paraqitet në Kukës, Tropojë, Shkodër dhe Pukë ku në disa fshatra mungon edhe energjia elektrike ndërsa dëbora ka arritur mbi 70 centimetra.
Komuna të tëra janë bllokuar, ndër to Kalaja e Dodës dhe Lurës në Dibër, komuna e Zerqanit në Bulqizë, apo komuna e Lekbibajt në Tropojë. Dëbora bllokoi edhe aksin Morinë- Kukës-Qafë Shllak. Policia ka urdhëruar ndalimin e 3 autobusëve që vinin nga Kosova si dhe të disa automjeteve, për shkak të rrezikut që mund të krijojnë ortekët si dhe dëbora e dendur në këtë aks rrugor.
Bëhet e ditur se moti i keq ka përfshirë edhe rrethet e jugut të vendit. Kështu, aksi Vlorë-Sarandë ka qenë i bllokuar në Qafën e Llogorasë.
Situata
Reshje e borës nuk kanë munguar as në Sarandë, Gjirokastër e Berat. Akulli ka mbuluara akset rrugore. Policia ka bllokuar kalimin në akse të rëndësishme kombëtare si shkak i akullit të krijuar në rrugë. Qafa e Muzinës, që lidh Sarandën me Gjirokastrën, ka qenë e bllokuar deri dje në mesditë dhe Policia Rrugore nuk ka lejuar asnjë mjet të kalojë në këtë aks i cili nga reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta është bërë i rrëshqitshëm dhe për rrjedhojë krijon mjaft rrezik për kalimin e mjeteve. E njëjta situatë është shfaqur edhe në Qarkun e Vlorës në Qafën e Llogorasë. Në zonën e Parkut Kombëtar, mjetet nuk janë lejuar të kalojnë pavarësisht pajisjes me zinxhirë. Edhe në Berat janë shfaqur probleme me reshjet e dëborës. Në qafën e Sqepurit, që lidh Beratin me Fierin, nuk janë lejuar mjetet të kalojnë pas nisjes së reshjeve në mesditë. Policia rrugore e Beratit bëri të ditur se masa të tilla janë marrë për të evituar aksidentet në rrugë si shkak i akullit dhe borës që e bënë asfaltin të rrëshqitshëm. Për të shkuar në Fier, mjetet kanë kaluar nga aksi Berat-Lushnjë. Edhe Qafë Kërraba ka qenë bllokuar deri në orët e para të ditës pasi dëbora kaloi mbi 50 cm. Pas hapjes së rrugës dhe hedhjes së kripës e skorieve situata ka qenë më e normalizuar edhe pse mjetet kanë kaluar nën kontrollin e rreptë të forcave rrugore dhe nuk janë lejuar ato pa zinxhir. Më e qetë është shfaqur situata në Qafë-Thanë, ku masat ishin marrë më herët për të hapur rrugën. Ndërkohë komuna të thella të Elbasanit Librazhdit, Pogradecit e Korçës janë bllokuar si shkak i reshjeve që vazhdojnë të bien me intensitet.
Në veri izolohen komunat
Në Shkodër trashësia e dëborës në qytet arrin në 50 cm. Dëbora ka dëmtuar dhe tregun e Zdrales. Në rrethin e Mirditës të gjitha komunat janë të izoluara nga dëbora. Në qytetin e Pukës trashësia e dëborës sot në mëngjes ka arritur në 1 metër, ndërsa në Qafën e Malit arrin në 3 metra. Të gjithë fshatrat e Pukës janë bllokuar nga dëbora, ndërsa ortekët bëhen rrezik për lëvizjen e automjeteve në akset rrugore të këtij rrethi. Fatmirësisht nuk ka munguar energjia elektrike. Policia është vendosur në gjendjen e gatishmërisë numër një. Dëbora që nuk ka pushuar gjithë natën ka izoluar disa komuna në Tropojë. Në qytetin e Bajram Currit trashësia e dëborës arrin në 20 cm. Akset rrugore për në Lekbibaj dhe Valbonë janë të bllokuara. Në Lekbibaj situata është e rëndë, ndërsa mungon dhe energjia elektrike. Në aksin Qafë Mali Fushë Arrëz mbetën të bllokuar nga dëbora 3 furgona dhe 2 autovetura. Dëbora ka bllokuar aksin Morinë- Kukës- Qafë Shllak. Policia ka urdhëruar ndalimin e 3 autobusëve që vinin nga Kosova si dhe të disa automjeteve, për shkak të rrezikut që mund të krijojnë ortekët si dhe dëbora e dendur në këtë aks rrugor. Aksi nacional Kukës Peshkopi është i bllokuar, ndërsa aksi Kukës- Krumë lëvizja është me vështirësi dhe vetëm me zinxhirë. Tre komuna janë të bllokuara mes tyre Arrën dhe Zapod. Policia bllokon lëvizjen e automjeteve nga Kukësi në drejtim të Tiranës.

Box
Bllokohet rruga në Qafë Llogora

Në Qafën e Llogorasë është bllokuar plotësisht qarkullimi i automjeteve. Segmenti rrugor, pjesë e aksit kombëtar Vlorë- Sarandë, është bllokuar nga dëbora që vazhdon të bjerë pa pushim dhe mjetet borëpastruese nuk mund të ndërhyjnë për pastrimin e rrugës për shkak të kushteve të motit të cilat nuk janë favorizuese. Trashësia e dëborës arrin deri në 30 cm dhe ka bllokuar një gjatësi rruge prej më shumë se 10 kilometrash, që nis nga fshati Palasë deri në Dukat Fshat. Moti i keq, i shoqëruar me ulje të theksuara të temperaturave, ka përfshirë të gjithë rrethin e Vlorës. Gjatë orëve të natës në këtë qytet kanë rënë reshje të pakta dëbore, të cilat nuk kanë mbajtur për shkak të lagështisë. Në orët e mëngjesit Vlora është përfshirë nga reshje intensive të shiut, të cilat për momentin nuk kanë krijuar shqetësime.

Box
Shkodra pa energji

Moti i keq ka dëmtuar gjithë fidrat ajrorë të tensionit të mesëm dhe linjat 35 kilovolt të tensionit të lartë Shkodër-Malësi e Madhe, Shkodër-Velipojë. Për këtë arsye 90 për qind e zonës së Shkodrës është pa energji. Nga ora 10-12 do të stakohet fidri që furnizon me energji antenat e TV-ve dhe radiove në nënstacionin e Lanabregasit, pasi do të kryhen punime për përmirësimin e nivelit të tensionit. Në qarkun e Shkodrës janë bllokuar totalisht nga dëbora komunat Vermosh dhe Shkrel të Malësisë së Madhe. Në Dukagjin janë bllokuar komunat Shalë, Shosh dhe Pult.

Korçë, dëbora arrin 25 centimetra

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë filluar reshje të dobëta të dëborës. Në zona të caktuara dëbora ka lartësinë 25 cm, por reshjet intensive kanë qenë në orët e pasdites, kryesisht në rrethin e Kolonjës. Të gjitha rrugët qarkullohen normalisht. Në Qafë Thanë, Qafë Plloçë dhe Qafë Qarr lartësia e dëborës ka arritur në rreth 15 cm dhe mjetet qarkullojnë vetëm me zinxhirë për shkak të ngricës dhe akullit. Më problematik ka qenë aksi rrugor Ersekë – Leskovik – Tre Urat sepse lartësia e dëborës është 25 cm dhe ka ngrirë.

20 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›