E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Tiranës lë në gjendje të lirë ish-kreun e AKKP-së



Tiranë - Ish-drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), Tunxh Vatnikaj, i dyshuar në abuzimet me pronat në zonën bregdetare të njohur si Plazhi i Gjeneralit në Kavajë, do të hetohet në gjendje të lirë nga Prokuroria e Tiranës. Vendimi u morr dje nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, e cila me kërkesë të Prokurorisë, caktoi masën e sigurisë së “detyrimit për paraqitjeje” ndaj Vatnikajt për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Si të dyshuar në këto abuzime janë edhe tre ish-funksionarë të tjerë shtetërorë, Fatos Gjuzi, ish-kreu i Hipotekës në Kavajë; Ali Aliaj dhe Petrit Kullolli, ish-punonjës të Agjencisë Kombëtare të Kthimit të Pronave, të cilët po hetohen nën masën e sigurisë së “arrestit në shtëpi”, dhënë ndaj tyre pak ditë më parë nga Gjykata. Po ashtu, nën hetim është dhe biznesmeni, Alban Xhillari, i cili po hetohet në gjendje të lirë nga Prokuroria, deri në sqarimin e pozicionit të tij. Hetimet për këtë çështje nisën pak kohë më parë nga Njësia Antikorrupsion “Task Force” në Prokurorinë e Tiranës, pas kallëzimeve të bëra nga banorë të Kavajës për tjetërsim të disa pronave të tyre në Plazhin e Gjeneralit, përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, takim me kreun e OSBE-së në vend

Tiranë - Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, diskutoi dje, gjatë një takimi me ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, për rëndësinë që ka Gjyqësori si një institucion i pavarur në një shtet demokratik me aspirata të larta për integrim. Zyra e Shtypit pranë Gjykatës së Lartë bëri të ditur se znj. Beçaj, në emër të trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë, vlerësoi rolin e OSBE-së në nxitjen e demokratizimit, përkrahjen për zbatimin e ligjeve dhe të të drejtave të njeriut, si dhe ndihmën për përafrimin e tyre me standardet europiane. Ajo vuri në dukje se pavarësia dhe funksionimi i mirë i sistemit gjyqësor është i rëndësishëm për funksionimin e një shteti demokratik. Ambasadori Bosh konfirmoi gatishmërinë e Prezencës së OSBE-së për të vazhduar marrëdhëniet e bashkëpunimit me institucionin e Gjykatës së Lartë edhe në të ardhmen. Ai pohoi ndihmën e OSBE-se për shtetin ligjor, duke theksuar se OSBE-ja do të asistojë reformën në Drejtësi për një sistem ligjor efektiv dhe transparent.

Kishte munguar për pak kohë, e gjen shtëpinë të shkatërruar

Durrës – Është përballur me skena të çuditshme një 61-vjeçar në Durrës kur është kthyer në shtëpi, të cilën e ka gjetur të shkatërruar. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në vendin e quajtur Katër Rrugët e Shijakut. Hysen Zhupani ka bërë kallëzim penal pranë Komisariatit të Policisë Shijak duke treguar se kur ishte kthyer në banesë ka konstatuar se i ishin shkatërruar muret e shtëpisë. Policia tha se po punohet për zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërkohë që po hetohet për veprën penale të “shkatërrim prone”.

20 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›