Tirana e madhe, zonat informate që preken nga ndërtimet e fazës së dytë
Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës ka nisur fazën e dytë të studimit të Planit Strategjik për Tiranën e madhe, që parashikohet të përfundojë në vitin 2012. Ky plan parashikon një hapësirë prej 400 kilometrash katrorë, brenda së cilës do të përfshihen edhe 5 zonat informale në pritje për legalizim, që do t’u shtohen kufijve të kryeqytetit. Ky studim përfshin mënyrën e zhvillimit të metropolit shqiptar në një hapësirë prej 400 kilometrash katrorë. Zbatimi i projektit kap një vlerë fillestare prej 340 milionë USD, 50 për qind të së cilës do ta financojë qeveria shqiptare.
Plani për këtë studim u votua në KRRT-në e qarkut Tiranë në 2004-n, ndërkohë që është depozituar qysh në vitin 2005 pranë Sekretariatit të KRRTRSH-së.
Zonat
Studimi i kësaj hapësire përfshin pjesë të juridiksioneve administrative të qeverisjes vendore si: Bashkia Tiranë, Kamza, Vora, Komuna e Farkës, Vaqari, Kashari, Berxulla, Zall Herri, Paskuqani, Preza dhe Dajti. Sipas studimeve të bëra nga Bashkia e Tiranës, plani strategjik për Tiranën e madhe do të kalojë në tri faza. Faza e parë, që ka përfunduar, nisi në vitin 2002 dhe vazhdoi deri në vitin 2008. Studimi u përqendrua në korridorin midis autostradës dhe Lumit të Tiranës, Kodër Kamzës, pjesës lindore e Yzberishtit dhe u shtri në kuadratin veriperëndimor të qendrës së Tiranës. Faza e dytë, 2009-2012, po përqendrohet në Kamzë, Paskuqan dhe Sauk. Ndërsa faza e tretë, që do të vazhdojë në periudhën 2013-2017, synon zonat lindore të Bashkisë së Tiranës dhe zgjerimin e zonës së Yzberishtit.
Problemet
Aktualisht Qarku i Tiranës po përballet me problemet e kufijve administrativë mes disa njësive vendore. Problemi ka qenë ekzistues prej disa vitesh dhe vazhdon të jetë ende një çështje e pazgjidhur për kryeqytetin. Kjo gjë është bërë e ditur nga Prefektura e Qarkut të Tiranës, ku është theksuar se ndërmjet disa njësive vendore ekziston prej vitesh konflikti i kufijve administrativë, i cili ka krijuar mjaft probleme mes banorëve dhe institucioneve. Prefekti, pak kohë më parë, theksoi se kjo çështje ishte e pamundur të zgjidhej nga Prefektura dhe për këtë arsye çështja i ka kaluar Komisionit Vendor të Titujve të Pronësisë. Specialistët përcaktuan se cilat janë zonat më problematike përsa u përket vendosjes së kufijve administrativë. Më i mprehtë ky problem paraqitet midis zonës së Pezës dhe Ndroqit, si dhe zonës Vorë-Kashar. Ndërtimet në këto zona kanë marrë një vrull të madh vitet e fundit. Ndërsa Sektori i Kompetencave Vendore për vitin 2008 ka trajtuar rreth 200 shkresa të ardhura nga njësitë e qeverisjes vendore, të cilat kanë mbartur informacione mbi investimet publike, probleme të pronësisë mbi tokën, të cenimit të banesave nga ndërtimet me ose pa leje, të kufijve administrativë midis njësive vendore etj.
ISHP, rrugët që duhet të ndiqen për të shmangur vetëvrasjet
Numri i vetëvrasjeve në vendin tonë shënon shifra të larta. Për këtë arsye, ISHP-ja ka kërkuar që të ndiqen disa mënyra nga komuniteti për të shmangur vetëvrasjet për personat që shfaqin tendenca të tilla. Në këtë mënyrë, specialistët kanë kërkuar që të shmangen publikimet e detajeve të vetëvrasjeve të ndodhura apo fotot e personave të vetëvrarë. Po kështu duhet shmangur dhe raportimi i mënyrave të shumta që shërbejnë për t’u vetëvrarë.
ISHP-ja sqaroi se parandalimi i vetëvrasjeve është një çështje që kërkon dhe bashkëpunimin e medias, pasi studime të kryera në vende të ndryshme të botës kanë vërtetuar se vetëvrasja është një dukuri që imitohet, ndaj raportimi i përgjegjshëm shpëton jetë. Sipas specialistëve, për këta persona duhet të bëhen të ditur ofruesit e shërbimeve të shëndetit mendor. Të dhëna nga e gjithë bota sugjerojnë se raportimi i kujdesshëm i historive të vetëvrasjes mund të shpëtojë jetë. Ndërsa raportimi me qëllim sensacionin mund të rezultojë në imitimin e kësaj sjelljeje. Nisur nga kjo, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar kriteret që duhen pasur në konsideratë kur raportohet mbi vetëvrasjet. Të dhënat tregojnë se gjatë viteve të fundit ka një rritje të vetëvrasjeve. “Jemi në momentin për të filluar dhe marrë masa në këtë drejtim, si puna më e mirë në trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor, ndjekja më e mirë e atyre që kanë tentuar njëherë vetëvrasjen, puna në shkolla me të rinjtë në krizë (duke kërkuar dhe bashkëpunimin me arsimtarët etj.), aksesi më i ulët ndaj pesticideve apo mjeteve të tjera që mund të nxisin vetëvrasjen. Por, këtu duhet bashkëpunim jashtë sistemit shëndetësor”, - bëjnë të ditur burime nga ISHP-ja.
Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, mësohet se numri i vetëvrasjeve me armë zjarri ka pësuar rënie gjatë viteve të fundit, ndërkohë që ai me helm vazhdon të jetë problematik. Sipas këtyre të dhënave, gjatë periudhës 2000-2008, numri i vetëvrasjeve arriti në mbi 1500, ndërsa gjatë viteve 1976-1982 rastet nuk kalonin shifrën 100. Nga të dhënat zyrtare rezulton se gjatë viteve 2005-2008 numri më i madh i vetëvrasjeve është kryer me helm, 276 të tilla, me varje 273 raste, me armë zjarri 119, mbytje në ujë 31 raste, hedhje nga lartësitë 75 raste dhe me mënyra të tjera rezultojnë 19 raste. Ndërkohë, sipas specialistëve të Ministrisë së Brendshme, numri i vetëvrasjeve me armë zjarri ka ardhur në rënie. Sipas statistikave, përsa i përket grupmoshave, duhet marrë në konsideratë numri i të rinjve, 15-26 vjeç. Gjatë viteve 2005-2008 janë shënuar 172 raste nga kjo grupmoshë.
QSUT, mjekët zgjidhen nga pacientët me short
Shërbimi i ORL-së në QSUT nuk u jep pacientëve të drejtën e përzgjedhjes së mjekut që duhet t’i operojë. Ky është i vetmi shërbim në QSUT që ua mohon këtë të drejtë pacientëve. Burime nga ky spital bëjnë të ditur se shefi i Shërbimit të ORL-së ka nxjerrë një rregullore që nuk i lejon pacientët ta zgjedhin vetë mjekun që duan t’i operojë, por është Shërbimi i ORL-së ai që përcakton me short mjekun që do të operojë një pacient. Kjo taktikë ndiqet për të shmangur abuzimet që mund të ndodhin mes mjekëve dhe pacientëve dhe për t’u lënë mundësinë e operimeve të gjithë kirurgëve që punojnë në këtë shërbim. Ndërsa shërbimet e tjera në QSUT nuk e kanë këtë rregullore, por pacientët janë të lirë të zgjedhin mjekun që dëshirojnë t’i operojë apo do të ndjekë kurimin e një pacienti. Duke u nisur nga përmbajtja e rregullores së përcaktuar kohët e fundit, pacientët nuk janë dakord për këtë veprim, pavarësisht arsyes për të cilën është vendosur. Kërkesat e pacientëve janë për të përzgjedhur vetë mjekun dhe për këtë nisen nga besimi që kanë krijuar tek një nga mjekët. Nëse një pacient është kuruar vazhdimisht në këtë pavijon nga një mjek i caktuar, atëherë ky pacient mund të ketë krijuar marrëdhënie mjaft të mira komunikimi me mjekun. Në këto rrethana pacienti krijon besim te mjeku që ka ndjekur në vazhdimësi situatën shëndetësore të pacientit dhe kërkon të drejtën që të jetë ky mjek asistues në operacionin që do të kryejë.
20 Shkurt 2009