E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutimi i taksistit, arrestohen autorët e dyshuar



Has - Pas një operacioni, i cili ka zgjatur plot 10 orë nga ana e forcave speciale, është bërë i mundur arrestimi i dy vëllezërve, të cilët dyshohet se vranë tri ditë më parë taksistin Avni Sinani. Sipas të dhënave policore, autorët e krimit, pasi e kanë torturuar viktimën, e kanë hedhur trupin e tij në ujërat e lumit Drin i Zi. Burime policore thanë se pas arrestimit autorët e dyshuar kanë pranuar aktin kriminal të kryer ndaj Sinanit. I ndjeri ishte shpallur i humbur që prej 17 shkurtit, por vetëm dje policia ka bërë të mundur gjetjen e makinës së tij, që ishte e djegur nga autorët e dyshuar. Ndërkohë po kërkohet trupi i tij i zhdukur.
Ngjarja
Krimi makabër ka ndodhur tri ditë më parë në Has. Sipas policisë, dy vëllezër kanë pajtuar një taksist dhe pas disa minutash udhëtimi me të janë ndalur në Fshatin Tpla, ku pasi e kanë torturuar, e kanë qëlluar në kokë duke e lënë të vdekur. Më pas trupi i viktimës është hedhur në lumin Drin i Zi dhe autorët janë fshehur në male deri në momentin e arrestimit të djeshëm nga policia e Tropojës, në bashkëpunim me atë të Hasit dhe Forcat Speciale të Tiranës. Për të zhdukur gjurmët, vrasësit kanë djegur edhe makinën e taksistit, e cila është gjetur sot nga forcat e policisë. Operacioni për arrestimin e dy vëllezërve vrasës ka zgjatur plot 10 orë.
Motivi
Historia e ngjashme me serialet horror ka për motiv xhelozinë e njërit prej vëllezërve, pretendimi i të cilit ishte ngacmimi i bashkëshortes nga ana e taksistit. Dy autorët e dyshuar të krimit janë vëllezërit Jetmir dhe Granit Hasanpapaj, të cilët, pas arrestimit, kanë pranuar edhe autorësinë e ngjarjes makabër. Po sipas policisë, ata kanë pranuar edhe faktin e torturimit të viktimës. Taksisti 37-vjeçar Avni Sinani ishte denoncuar i humbur në polici nga familjarët e tij që prej datës 17 shkurt. Ndërkohë policia është vënë në kërkim të gjetjes së trupit të pajetë të viktimës, e cila mendohet të jetë në ujërat e lumit Drini i Zi.

Ujguri që iku nga Shqipëria merr zyrtarisht azil në Suedi

Stokholm – Gjykata suedeze e Emigracionit ka pranuar kërkesën për azil të ujgurit, i cili u largua nga Shqipëria, aty ku kaloi disa kohë kur u lirua nga Burgu i Guantanamos. Ai quhet Adil Hakimjans, është larguar nga Kina në vitin 1999 dhe u kap nga amerikanët pas sulmeve të 11 shtatorit, i dyshuar si terrorist. Në vitin 2006 ai erdhi në Shqipëri bashkë me 4 ujgurë të tjerë, sepse asnjë vend tjetër nuk i pranoi në atë kohë. Në vitin 2007 ai shkoi në Suedi dhe vetëm pas dy vitesh përfitoi të drejtën e azilit për në këtë vend.

Ndiqen nga policia, braktisin armët dhe municionet

Pogradec – Dy djem nga Pogradeci janë bërë protagonistë të një ndjekjeje policore duke u detyruar më pas të braktisin armët dhe të fshihen për të rënë në pranga pak orë më vonë. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, ndërsa ndalimi i të dyshuarve është bërë dje në mëngjes. Ferdi Gora, 34 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale të “vjedhjes me armë” dhe Mariglen Topuzi, 22 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale të “vjedhjes”, që të dy lindur e banues në fshatin Starovë të Pogradecit, janë personat e ndaluar për armëmbajtje pa leje. “Ndalimi i tyre u bë pasi në ambientet e një kasolleje drush, në fshatin Remenj Pogradec, është gjetur një çantë e zezë, ku ndodhej një armë e tipit kallashnikov model 56, me dy krehra me fishekë”, - deklaroi policia. Nga deklarimet e marra rezulton se kjo çantë u përkiste Gorës e Topuzit. Këta, gjatë kohës që ishin duke iu fshehur ndjekjes së forcave policore, teksa ishin duke lëvizur me mjetin tip “BMW” me targë AM 197 EK, kanë braktisur një çantë, në një kasolle drush, ku u gjetën arma dhe sasi municioni.

Aksidenti, arrestohet shoferi, shtypi një kalimtar në Kutalli

Berat – Forcat e policisë së Beratit kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Lorenc Muça, banues në lagjen “Laprakë” të Tiranës, pasi ai ka shkaktuar aksident rrugor me pasojë vdekjen të një shtetasi. Sipas të dhënave policore për gazetën “Albania”, dje në mesditë, në rrugën kryesore Berat-Fier, pranë fshatit Kutalli, Muça duke udhëtuar me mjetin tip “Benz 190”, me targa U1014, ai ka aksidentuar me vdekje shtetasin Ilmi Lamanjaku, banues në Roskovec. Ai ka ndaluar për t’i dhënë kalimtarit ndihmë, por ajo ka rezultuar e panevojshme pasi ai kishte ndërruar jetë.

Prishet skaneri në port, fluks mjetesh në radhë

DURRËS- Prishet skaneri i rrezeve X në terminalin e kontejnerëve në Portin e Durrësit. Prej tri ditësh anomalia në fjalë ka krijuar bllokim të mjeteve në port. Mjete të tonazhit të rëndë të bizneseve të ndryshme që presin tu behet kontrolli fizik kanë mbetur të bllokuara pas prishjes së skanerit në port. Kontrolli i tyre po bëhet tashmë me metodën e vjetër, atë të shkarkimit të të gjithë mallit dhe kontroll të imtësishëm në çdo paketim. Kjo situatë ka bërë që të krijohet fluks në portin e Durrësit ndërkohë që është kërkuar ndërhyrja e drejtorisë së doganave për të gjetur një zgjidhje tjetër deri në riparimin e skanerit me rreze X. Skaneri realizonte kontrollin e imtësishëm të mjeteve pa qenë nevoja e shkarkimit të tyre. Ndërkohë, për të riparuar skanerin priten specialistët kinezë. Skaneri me rreze x u vendos në Portin e Durrësit në prill të vitit 2008, nga një kompani kineze që fitoi tenderin për të.

Policia, marrëveshje bashkëpunimi me “Frontex”

TIRANË- Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u nënshkrua dje nga drejtori i Përgjithshëm, Ahmet Prençi, një marrëveshje për Vendosjen e Bashkëpunimit Operacional me “FRONTEX”, përfaqësuar nga drejtori Ekzekutiv, Ilka Laitinen. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka si objektiv të godasë migracionin e paligjshëm dhe krimin ndërkufitar që lidhet me të, duke rritur kontrollin dhe forcuar sigurimin e kufijve midis shteteve anëtare të BE-së dhe Shqipërisë. Sipas drejtorit Prençi, synimi i kësaj marrëveshjeje është përmirësimi i bashkëpunimit operacional midis shteteve anëtare në fushën e menaxhimit të kufijve të jashtëm, shkëmbimit të informacionit mes “FRONTEX” dhe Policisë së Shtetit, bashkëpunimit operacional mes shteteve të BE-së dhe Shqipërisë dhe asistencës së vazhdueshme të shteteve anëtare të BE-së në trajnimin e personelit. Drejtori i “Frontex”, Laitinen, tha se Policia shqiptare dhe ajo e kufirit kanë nivel të lartë profesionalizmi. “FRONTEX” është Agjencia Europiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit të Kufijve të Jashtëm shteteve anëtare të Bashkimit Europian.

20 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›