MASH publikon lëndët dhe datat e provimeve të Lirimit dhe Maturës
Jonida Tashi
Ministria e Arsimit publikon lëndët dhe datat e zhvillimit të provimeve të Lirimit dhe Maturës Shtetërore 2009. Sipas udhëzimit të kësaj Ministrie, viti shkollor për klasat e nënta të arsimit bazë 9-vjeçar do të përfundojë më 5 qershor 2009. Periudha e zhvillimit të sesionit të parë të provimeve të Lirimit është nga data 6 qershor deri më datë 27 qershor 2009. Kurse për vitet e fundit të shkollave të mesme 4 dhe 5-vjeçare, viti shkollor 2008-2009 do të përfundojë më 22 maj 2009. Periudha e zhvillimit të sesionit të parë të provimeve të Maturës Shtetërore dhe provimeve përfundimtare është: Për Provimet e Maturës Shtetërore: 01 qershor 2009-10 korrik 2009. Për provimet përfundimtare në shkollat profesionale 3-vjeçare dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare: 22 qershor 2009 – 01 korrik 2009.
Mbetësit
Nxënësit e klasave të katërta të gjimnazeve dhe të shkollave social-kulturore, të klasave të pesta të shkollave teknike, të klasave të treta të shkollave profesionale (me kohë të plotë) dhe të klasave të pesta të gjimnazeve me kohë të shkurtuar, që kanë mbetur në klasë në një apo dy lëndë, me përfundime (nota) vjetore jokaluese, kanë të drejtë t’i japin ato provime klase me gojë në sesionin e dytë të po atij viti shkollor. Kur nxënësi vlerësohet kalues në provimet e klasës, ka të drejtë të pranohet në sesionin e dytë të provimeve të Lirimit (PL) dhe Maturës Shtetërore (MSH) të po atij viti shkollor. Përveç përcaktimit të lëndëve dhe datave për provimet e detyruara të Maturës, MASH-i ka shtuar edhe dy gjuhë të huaja në listën e lëndëve me zgjedhje të Maturës. Këto dy lëndë të reja, të cilat e çojnë në 12 numrin e lëndëve me zgjedhje janë: gjuhë gjermane dhe gjuhë spanjolle.
Masat
Drejtoritë Arsimore Rajonale (DAR), Zyrat Arsimore(ZA) dhe drejtoritë e shkollave duhet të marrin të gjitha masat që viti mësimor 2008-2009 për klasat e nënta të mbyllet me programe të realizuara brenda datës 5 qershor 2009, duke shfrytëzuar orët në dispozicion dhe ditët e shtuna. Notat përfundimtare për çdo lëndë duhet të nxirren brenda datës 5 qershor 2009. Viti mësimor 2008-2009, për vitet e fundit të shkollave të mesme 4 – 5-vjeçare, duhet të mbyllet me programe të realizuara brenda datës 22 maj 2009, duke shfrytëzuar orët në dispozicion dhe ditët e shtuna. Notat përfundimtare për çdo lëndë duhet të nxirren brenda datës 22 maj 2009. Në periudhën javore 25–29 maj do të zhvillohen konsultime me të gjithë nxënësit për dy provimet e detyruara.
Konsultimet e grupuara sipas lëndëve
Për provimet me zgjedhje, konsultimet e grupuara sipas lëndëve me nxënësit do të zhvillohen pas përfundimit të provimeve të detyruara. Çdo DAR/ZA do të dërgojë brenda datës 25 maj në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) emrat e nxënësve të klasifikuar mbetës në përfundim të vitit të fundit (të katërt ose të pestë), të shkollave të mesme, me qëllim që të hiqen nga lista e provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore. Të gjitha testet e provimeve me shkrim, për të dy sesionet, do të hartohen në AVA dhe shpërndahen prej saj. Edhe në shkollat private, provimet e Lirimit dhe provimet e Maturës Shtetërore me shkrim do të zhvillohen në të njëjtat data dhe me të njëjtat teste si dhe në shkollat publike. Për shkollën e mesme pedagogjike për minoritetin grek për provimin Gjuha dhe Letërsia greke do të përgatitet një tezë e veçantë nga DAR Gjirokastër. Për ndjekjen e provimeve përfundimtare në shkollat profesionale 3-vjeçare, DAR/ZA do të angazhojnë inspektorët dhe specialistët përkatës sipas profileve.
Sesioni i parë
Lëndët dhe datat e provimeve të lirimit në sesionin e parë janë:
Gjuhë shqipe dhe Lexim letrar 13 qershor 2009
Matematikë 20 qershor 2009
Lëndët dhe datat për sesionin e parë të provimeve të Maturës Shtetërore janë:
Në gjimnazet, me kohë të plotë ose të shkurtuar:
Letërsi dhe gjuhë shqipe 02 qershor 2009
Matematikë 11 qershor 2009
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009
Në shkollat e mesme pedagogjike:
Letërsi dhe gjuhë shqipe 02 qershor 2009
Matematikë 11 qershor 2009
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009
Në shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin:
Gjuha dhe letërsia greke 28 maj 2009
Letërsi dhe gjuhë shqipe 02 qershor 2009
Matematikë 11 qershor 2009
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009
Në shkollat e mesme të gjuhëve të huaja:
Letërsi dhe gjuhë shqipe 02 qershor 2009
Matematikë 11 qershor 2009
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009
Në seksionet dygjuhëshe (profili shoqëror dhe natyror):
Gjuhë e huaj 27 maj 2009
Letërsi dhe gjuhë shqipe 02 qershor 2009
Matematikë 11 qershor 2009
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009
Në shkollat e mesme artistike dhe sportive:
Formimi teorik-praktik profesional 28 maj 2009
Letërsi dhe Gjuhë shqipe 02 qershor 2009
Matematikë 11 qershor 2009
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009
Në shkollat e mesme teknike ekonomike dhe teknike-profesionale 5-vjeçare dhe 3 + 2-vjeçare:
Formimi teorik-praktik profesional 28 maj 2009
Letërsi dhe gjuhë shqipe 02 qershor 2009
Matematikë 11 qershor 2009
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009
Arsimi profesional
Në arsimin profesional 3-vjeçar dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3 + 2-vjeçare provimet përfundimtare janë:
Formimi teorik profesional
Formimi praktik profesional
Tezat do të përgatiten nga shkollat përkatëse. Ndërsa datat për provimet përfundimtare do të caktohen nga drejtoritë e shkollave.
Sesioni i dytë
Datat për sesionin e dytë të provimeve të Lirimit dhe të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore
Lëndët dhe datat e provimeve të Lirimit në sesionin e dytë janë:
Gjuhë shqipe dhe Lexim letrar 01 shtator 2009
Matematikë 05 shtator 2009
Datat e zhvillimit të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e dytë janë:
Letërsi dhe Gjuhë shqipe 08 tetor 2009
Matematikë 15 tetor 2009
Lëndët e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore janë:
Fizikë
Kimi
Biologji
Histori
Gjeografi
Njohuri për shoqërinë
Njohuri për ekonominë, Filozofi
Gjuhë angleze
Gjuhë frënge
Gjuhë italiane
Gjuhë gjermane
Gjuhë spanjolle
Matura, nis sot plotësimi i Formularëve A1 dhe A1-Z
Nis sot plotësimi i Formularëve A1 dhe AI-Z nga maturantët e sivjetshëm dhe AI-Z nga maturantët e mëparshëm. Formulari A1 duhet të plotësohet për t’u regjistruar në Maturën Shtetërore 2009 vetëm nga: maturantët e vitit 2009. Kurse formulari A1-Z duhet të plotësohet vetëm nga kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2009 dhe nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2006, 2007, 2008. Maturantët kanë afat për plotësimin e Formularit A1 dhe A1-Z deri më 10 mars. Formulari A1 duhet të plotësohet me shkronja të mëdha (kapitale). Formulari A1 do të konsiderohet i vlefshëm vetëm nëse është plotësuar në mënyrë të saktë dhe të kuptueshme. Në rast të kundërt, ai do të konsiderohet i pavlefshëm dhe nxënësi ose kandidati humbet të drejtën e regjistrimit. Pasi të jetë plotësuar, formulari A1 duhet të dorëzohet pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH), ku nxënësit vazhdojnë ose kanë mbaruar shkollën. Në rast se nxënësi ose kandidati ka bërë gabime në plotësimin e formularit, ata mund të plotësojnë një formular tjetër A1, i cili zëvendëson të parin. Zëvendësimi i formularëve mund të pranohet nga Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore (KSHMSH) vetëm brenda afatit të dorëzimit të tij (10 mars 2009). Ditën e djeshme, Ministria e Arsimit ka shpërndarë Formularët A1 dhe A1-Z në shkollat e mesme. Sipas Rregullores së Maturës Shtetërore 2009, nga data 1 prill nis shpërndarja e Formularit A2 për zgjedhjen e degëve të preferuara.
20 Shkurt 2009