Gjoba dhe burg për shtetasit e BE-së që punësojnë emigrantë ilegalë
Duke filluar që nga ky muaj, të gjithë punëdhënësit nga vendet e Bashkimit Europian që do të punësojnë emigrantë ilegalë, do të penalizohen. Një gjë e tillë është vendosur dje, me miratimin në Parlamentin e BE-së të direktivës mbi sanksionet kundër punëdhënësve që marrin në punë dhe shfrytëzojnë shtetasit që jetojnë në mënyrë ilegale. Ndëshkimet do të jenë me gjoba financiare apo me burg, sipas shkallës së shkeljes. Sipas të dhënave, në vendet e BE-së jetojnë 4.5-8 milionë shtetas ilegalë, të cilët janë kontingjent për t’u kthyer në vendet e origjinës.
Direktiva
“Parlamenti i BE-së miratoi rezolutën ligjore rreth masave të rrepta të punëdhënësve të emigrantëve ilegalë, e cila vjen menjëherë pas votimit të amendamenteve më 4 shkurt të këtij viti në Strasburg”, - thuhet në njoftimin PE-së, publikuar dje në faqen zyrtare të internetit. Një gjë e tillë sjell “kriminalizim” të punëdhënësve dhe jo të emigrantëve, gjë që ka sjellë jo pak debate. 4.5-8 milionë emigrantëve ilegalë punojnë në sektorët e ndërtimit, bujqësisë, shërbimit hotelier dhe fusha të tjera, në vendet e BE-së. Një nga faktorët që ka nxitur emigrimin ilegal brenda Bashkimit Europian është mundësia e të gjeturit të punës. Qëllimi i direktivës së miratuar është për të reduktuar synimin e punëdhënësve që të punësojnë shtetasit e vendeve të treta, të cilët jetojnë ilegalisht në BE.
Masat
Propozimi ligjor i Komisionit Europian vjen në mbështetje të një sërë masash të tjera, si “direktiva e kthimit” dhe direktiva për Kartën Blu, të cilat, në tërësi, synojnë që të luftojnë emigrimin ilegal dhe për të nxitur emigrimin legal.
Ndëshkimet ligjore penale për punëdhënësit europianë do të jenë vetëm në raste serioze, si kur flitet për trafikimin e qenieve njerëzore, apo kur punësohen të mitur.
Deri tani shtete të ndryshme brenda BE-së kanë aplikuar standarde të ndryshme në raste të tilla. Prej kohësh BE-ja po diskuton miratimin e paketës ligjore të Kartës Blu, e cila u jep të drejtë shtetasve të huaj që të pajisen me një leje-qëndrimi 2-vjeçare, të rinovueshme, që u garanton shumë privilegje. Po ashtu, Komisioni Europian ka lançuar një fushatë për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, proces i cili pritet të marrë përgjigje përfundimtare në fundin e muajit qershor. Vendet e rajonit janë angazhuar për të realizuar 42 pika, të përfshira në katër shtylla të rëndësishme; si rendi dhe siguria, garancia e dokumenteve të identitetit, demokracia dhe të drejtat e njeriut dhe menaxhimi i kufijve. Për këtë pikë, vendet anëtare të BE-së janë shumë të rezervuara, gjë që po shfaqet gjithnjë e më qartë edhe gjatë këtij viti, kur e gjithë bota po përballet me krizën ekonomike dhe financiare.
KARTA BLU
Karta Blu është një dokument që merr çdo emigrant legal, në çdo vend anëtar të Bashkimit Europian. Ajo nuk jepet me një afat qëndrimi të përhershëm, por të përkohshëm. Autoritetet e çdo vendi do të kenë një dokument standard, që ka një periudhë vlefshmërie prej 2 vjetësh, me të drejtë rinovimi. Sipas propozimeve të bëra, çdo aplikant që fiton Kartën Blu duhet të ketë të paktën 5 vjet qëndrimi në një vend të BE-së. Përmes këtij dokumenti, poseduesi mund të lëvizë lirshëm brenda të gjitha shteteve të Bashkimit Europian. Në draftin ligjor të propozuar, jo vetëm aplikanti, por edhe anëtarë të familjes së tij mund të përfitojnë lehtësisht në skemën e bashkimit familjar, sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
20 Shkurt 2009