Sistemi bankar paraqitet me performancë të konsoliduar

Sistemi bankar shqiptar edhe gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2008, reflektoi një performacë të konsoliduar në të gjithë treguesit financiar të tij. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në analizën e zhvilluar ditët e fundit mbi gjendjen e sistemit bankar gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008, përballë krizës financiare ndërkombëtare, ka evidentuar se sistemi bankar në Shqipëri nuk është prekur nga kjo krizë. Duke iu referuar statistikave për këtë periudhë, Banka e Shqipërisë, evidentoi se gjatë 3-mujorit të tretë të këtij viti, është shënuar rritje në aktivet e sistemit bankar, kreditimin e ekonomisë dhe qëndrueshmërinë e depozitave.
Aktivet e sistemit bankar u rritën 6.2%
Aktivet e sistemit bankar u rritën edhe në tremujorin e tretë të vitit 2008 me rreth 50.06 miliardë lekë ose 6.2 për qind. Ndryshimi i aktiveve sipas grupbankave dallon grupin e bankave të vogla (G1) me normën më të lartë të rritjes dhe konkretisht me 12.6 për qind ose me rreth 3.5 miliardë lekë.
Depozitat në institucionet financiare jorezidente zënë 91% të totalit
Depozitat me afat, të vendosura në institucione financiare jorezidente përfaqësojnë vendosjet kryesore në këto institucione, rreth 91 për qind në tetor’08. Ato ndiqen nga llogaritë rrjedhëse të cilat përbëjnë rreth 5.2 për qind të vendosjeve dhe huat dhënë këtyre institucioneve me peshë 3.8 për qind. Rreth 67.5 për qind e depozitave në institucione financiare jorezidente në fund të muajit tetor, janë me afat maturimi deri në një muaj. Struktura e marrëdhënieve me institucionet financiare jorezidente sipas shteteve ku ato operojnë, pasqyron politikën e bankave për të investuar fondet e lira pranë bankës mëmë, kryesisht në vende si Greqi, Itali, Austri etj. Marrëdhëniet e bankave që operojnë në tregun shqiptar me institucionet financiare jorezidente që operojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbëjnë vetëm 0.12 për qind, të totalit të këtyre marrëdhënieve.
Rritet kredia për ekonominë
Teprica e kredisë së sistemit gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008 shënoi rritje me rreth 30.8 miliardë lekë ose me 8.9 për qind, nga rritja me 33.5 miliardë lekë ose me 10.7 për qind tremujorin paraardhës dhe nga 20.6 miliardë ose 8.6 për qind, për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe këtë tremujor, analiza e dinamikës së strukturës së portofolit të kredive dallon për ritmin më të lartë rritës të kredisë akorduar bizneseve, kundrejt kredisë dhënë individëve. Tendenca e periudhave të fundit, gjatë të cilave portofoli i kredive akorduar individëve prezantonte peshë në rritje në portofolin e kredive, ka ndryshuar kah në tremujorin e dytë, duke u prezantuar në rënie krahasuar me periudhën e mëparshme dhe vazhdon edhe në këtë tremujor të tretë të vitit.
Rritet kredia për pasuritë e paluajtshme
Klasifikimi i kredisë sipas subjektit të kredisë (biznes dhe individë) dhe qëllimit të përdorimit të kredisë, dallon në tremujorin e tretë të vitit 2008 peshën më të madhe të kredisë për “investime në pasuri të paluajtshme” dhënë individëve, me 23.0 për qind, të tepricës totale të kredisë, pasuar nga “investimet në blerje pajisjesh” të bizneseve, me 18.6 për qind të totalit. Ndërsa, struktura e kredisë sipas degëve të ekonomisë në shtator 2008 (referuar vetëm klientëve rezidentë) vijon të mbetet pothuaj pa ndryshime të dallueshme. Vlerësojmë se struktura paraqitet përgjithësisht e diversifikuar duke ofruar mundësi për stabilitet të portofolit të kredive nga pikëpamja cilësore dhe kontribut relativisht optimal për zhvillimin e ekonomisë. Megjithëkëtë, veçojmë sektorin e bujqësisë që ende mbetet i nënvlerësuar dhe pa mbështetje nga sektori bankar ndërkohë që kreditimi i tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë, mbetet më i parapëlqyer.
Por rritet edhe kredia me probleme
Tremujori i tretë i vitit 2008 shënon rritjen e portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar me 4.3 për qind..Ndërsa, treguesi që mat cilësinë e portofolit të kredive të sistemit “kredi me probleme/totali i kredive” u përmirësua, megjithëse në nivele jo të ndjeshme. Ky tregues përllogaritet në nivelin 4.1 për qind nga 4.3 për qind në tremujorin e dytë. Krahasueshmëria e treguesit që mat cilësinë e portofolit të kredive me vendet e rajonit, tregon për një cilësi të portofolit të kredive në sistemin bankar në Shqipëri në nivele relativisht të mira, krahasuar me nivelin e përgjithshëm të këtij treguesi në rajon. Raporti kredi ndaj depozitave, në të gjitha monedhat, për sistemin është rritur me 1.1 pikë përqindje, duke arritur në 54.4 për qind. Ky tregues është në nivel të kënaqshëm, por në rritje graduale gjatë tremujorëve të këtij viti.
Rritet kapitali aksionar i bankave
Në tremujorin e tretë të vitit 2008, kapitali aksionar i sistemit u rrit me rreth 4.5 miliardë lekë apo 6.5 për qind, duke arritur në 68.5 miliardë lekë në fund të shtatorit 2008. Këtë tremujor, të tre grupbankat kanë prezantuar rritje të kapitalit aksionar. Performanca e sistemit bankar e matur në vlerë absolute, nëpërmjet rezultatit neto, ka qenë më pak e mirë se një periudhë më parë, ndërkohë që treguesit e tjerë që vlerësojnë cilësisht efektivitetin e sistemit bankar, tregojnë për një performancë të krahasueshme me fundin e qershorit. Referuar të njëjtës periudhë të një viti më parë, treguesit e efektivitetit përgjithësisht janë më të ulët, si pasojë e rritjes së shpenzimeve për provigjone gjatë vitit 2008 dhe e rritjes së shpenzimeve të veprimtarisë së bankave, ndërkohë që e ardhura operative nuk ka qenë plotësisht në nivelin e duhur, për të mbuluar shpenzimet e rritura, bënë të ditur burime të Bankës së Shqipërisë.
...