E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora shënon viktimën e parë, vdes 46-vjeçari

TË FTOHTËT/ Spitali i Librazhdit nuk ofron shërbim për gratë shtatzëna, duke rrezikuar jetën e tyre

Reshjet e dëborës dhe ulja e madhe e temperaturave kanë shënuar edhe viktimën e tyre të parë për këtë vit. Trupi i pajetë i një 46-vjeçari u gjet mesditën e djeshme, ndërsa familja e tij e kishte deklaruar të humbur mbrëmjen e së hënës. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se trupi i Agim Kukës u gjet buzë një rezervuari në Pukë. 46-vjeçari mësohet të jetë larguar nga banesa e tij të hënën, rreth orës 11:00. Pasi nuk është kthyer në shtëpi deri në mbrëmjen e vonë, familjarët kanë lajmëruar policinë, duke shprehur shqetësimin për mungesën e kryefamiljarit të tyre. Pas mbërritjes në vendngjarje ekspertët u shprehën se në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune. Sipas tyre, vdekja e 46-vjeçarit ka qenë natyrale, e ndikuar nga temperaturat e ulëta, por edhe nga ndikimi i alkoolit. Drejtori rajonal i rrugëve në Shkodër, Tom Arra, shprehet se prej 3 ditësh kemi bërë të mundur zhbllokimin e gjitha akseve nacionale dhe automjetet lëvizin normalisht por me zinxhirë pasi ngrica dhe akulli vështirësojnë qarkullimin. Në fakt, nga 18 linja aksesh rrugore rurale që ka në administrim ndërmarrja e rrugëve rurale në Shkodër, 8 janë të bllokuara , dhe shteti duhet të ndërhyjë përmes të tretëve për të bërë të mundur zhbllokimine tyre. Kjo, pasi kjo ndërmarrje nuk ka mjete për të bërë tëmundur zhbllokimin nga dëbora e ngrica të këtyre akseve. Problem mbetet aksi që lidh Pukën me komunën e Iballës. Trashësia e dëborës në Qafë-Mali arrin në një metër, por përveç vështirësisë në qarkullim të automjeteve, problem krijojnë dhe orteqet e përmasave të ndryshme që bien nga lartësitë dhe që sipas shoferëve dhe banorëve të zonës janë të shpeshta e të shumta.

Dëbora e madhe ka krijuar mjaft probleme edhe në komunat e ndryshme të Librazhdit. Ka shumë fshatra të thella të bllokuara, pa rrugë, pa furnizime dhe pa energji. Probleme ka pasur edhe në spitalin e Librazhdit ku një ushtarak, ka dërguar gruan e tij për lindje, por pa mundur të marrë asistencën mjekësore. Për fatin e keq të gruas, në spital nuk kishte narkozë dhe as mjek për narkozën, ndërsa mjekët i kanë sugjeruar spitalin e Librazhdit. Por tri ambulancat nuk kishin zinxhirë për të shoqëruar gruan, duke vënë në rrezik jetën e saj dhe të fëmijës. Ishte ndërhyrja e oficerit të Policisë Kufitare Alfred Gjeta, drejtor i Policisë Kufitare dhe Emigracionit të Qarkut Dibër, që aktualisht atë natë ishte në Librazhd, i cili nisi me automjetin e tij gruan për në spitalin e Elbasanit. Ndërkaq ushtaraku Bledar Alliu shprehet se mjekët e Librazhdit u treguan të paaftë dhe nuk i shërbyen. “Falënderoj policinë e shtetit që më ndihmoi dhe më shpëtoi jetën e gruas dhe të fëmijës,- thotë Alliu. - Unë kam shërbyer me trupat paqeruajtëse disa vite në Bosnjë, Kroaci, dhe së fundmi në Irak. Kam qenë edhe në Greqi, Gjermani dhe si këtu nuk më ka bërë vaki. Mjerë ata që kanë hall! Unë falënderoj edhe Zotin që jam ushtarak. Po një fshatar të thjeshtë, kush do ta ndihmojë?!”

SituataGjendja e Komunave në LibrazhdKomuna Stëblevë - tërësisht e bllokuar

Komuna Lunik - katër fshatra të bllokuara

Komuna Orenjë - nëntë fshatra të bllokuara

Komuna Qukës - katër fshatra të bllokuara.

Komuna Stravaj -katër fshatra të bllokuara.

Komuna Hotolisht - pesë fshatra të bllokuara.

Komuna Rrajcë - tre fshatra të bllokuara.

Komuna Qendër - pesë fshatra të bllokuara.

Komuna Polis - dy fshatra të bllokuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›