E Diel, 1 Nëntor 2026

Uji i bekuar, myslimanët kapin kryqin

FESTA/ Mijëra besimtarë kanë marrë pjesë në Ditën e Ujit të Bekuar në gjithë vendin

Pavarësisht temperaturave të ulëta të këtyre ditëve, shumë nuk kanë ngurruar të kridhen në ujë

Dita e Ujit të Bekuar ka mbledhur qindra e mijëra besimtarë ortodoksë, të cilët kanë përjetuar çastet emocionuese të hedhjes së kryqit në ujë. Ashtu si dhe çdo vit tjetër, në këtë festë nuk kanë munguar besimtarët myslimanë, të cilët janë treguar më të gatshëm për të qenë edhe personat që kanë marrë kryqin e hedhur në ujë, duke “fituar” kështu bekimin dhe mbarësinë e një viti.

Berat

Festa në Berat nisi nga Kisha e Shën Spiridonit në lagjen Goricë dhe vijoi me hedhjen e Kryqit në lumë nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë. Edhe pse lumi kishte shumë ujë e ishte tejet i ftohtë, kjo nuk pengoi dhjetëra të rinj që të guxojnë për t’u hedhur në lumë e për të kapur fatin e tyre. Me gjithë dëshirat e shumë të rinjve, fati i ndriti të riut Edmond Gjeçi, i cili ashtu si një vit më parë doli fitues i kësaj gare të bukur fetare. E veçanta qëndron në faktin se për të dytin vit rresht Kryqi kapet nga i njëjti person me besim mysliman, gjë që nuk e ka zbehur aspak bukurinë dhe magjinëe kësaj feste.

Fituesi me kryqin në dorë kreu ritin e përvitshëm të trokitjes derë më derë duke marrë dhurata dhe para nga besimtarët ortodoksë

Fier

Në shatërvanin e qytetit të Fierit disa qindra besimtare fierakë morën pjesë në hedhjen e kryqit në ujë, e cila shënon pagëzimin e Krishtit. At Ilia Bita, i shoqëruar nga një kortezh i gjatë besimtarësh ka hedhur kryqin në ujë ku midis shumë të rinjve një 15-vjeçar e ka gjetur atë dhe si shpërblim ka marrë një sasi të hollash.

Gjirokastër

Ndryshe nga gjithë vitet e tjera, qëkurse festa e Ujit të Bekuar festohet në qytetin e Gjirokastrës, asnjë besimtar nuk është hedhur në ujë për të marrë kryqin. Ceremonia fetare ka nisur nga kisha e Kryeëngjëjve ku pas mbajtjes së meshës për këtë rast nga at Theodhori Nikolla, qindra besimtarë gjirokastritë i janë drejtuar vendit të quajtur “Ura e vjetër e lumit”, mbi ujërat e lumit Drino, ku është hedhur edhe kryqi, si simbol i bekimit të të gjitha ujërave. Por, askush prej të pranishmëve nuk ka vendosur të hidhet në ujërat e ftohta për të marrë kryqin, që është gjithashtu edhe një shenjë mbarësie. Temperaturat mjaft të ulëta, mjegulla e dendur dhe rryma e fuqishme e lumit, për shkak të reshjeve të shumta të shiut kanë qenë faktorët kryesorë që kanë stepur besimtarët. Në këto kushte, pas disa minutash kanë qenë sërish drejtuesit fetarë që kanë tërhequr kryqin, duke shënuar në këtë mënyrë rastin e rrallë.

Elbasan

Kisha Shën Maria në Kala zhvilloi në ditën e ujit të bekuar dhe kryqit një ceremonia të pavarur nën drejtimin e famullitarit të kishës At Nikolla Marku. Besimtarët ortodoksë janë mbledhur në këtë objekt të rëndësishëm kishtar dhe kanë marrë pjesë në bekimin e kryqit, hedhjen e tij në një enë të madhe me ujë dhe gjetjen nga të vegjlit. Më pas uji i kryqit shpërndahet tek besimtarët. At Nikolla njihet si një kundërshtar i kryepeshkopit Janullatos. Në këtë kishë të gjitha meshat bëhen në shqip.

Pogradec

Rreth 10 mijë qytetarë pogradecarë u drejtuan në mesditë në drejtim të molit të qytetit, ku u zhvillua ceremonia e përvitshme e Ujit të Bekuar. Ceremonia u shty mëse dy orë për shkak të vonesës së mitropolitit të Korçës. Edhe pse temperatuarat arrinin në disa gradë nën zero, qytetarët kanë pritur derisa u zhvillua ceremonia. Më pas, imzot Joani ka bekuar ujin e liqenit dhe ka hedhur kryqin. Qenë rreth 30 të rinj që u zhytën në ujërat e akullta të liqenit. Kryqi u kap nga 18-vjeçari Kristi Nikolla. Më pas qytetarët mbushën shishe me ujë të bekuar për në shtëpitë e tyre. Pak histori për Ujin e Bekuar

6 Janari ka hyrë në histori si Festa e Ujit të Bekuar dhe festohet çdo vit në gjithë Shqipërinë. Veçanërisht në Berat kjo ditë merr përmasa të një feste të jashtëzakonshme. Ndryshe konsiderohet si e kremtja (festa) e Theofanisë ose Epifanisë. Midis të dyjave besimtarët kanë parapëlqyer emërtimin Uji i Bekuar. Kjo ditë është një prej të kremteve më të mëdha të Kishës Ortodokse dhe perceptohet si shfaqja e Perëndisë në botë, pra si Trini (një qenie e vetme në tre persona: Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë), në momentin e pagëzimit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë të bërë njeri. Të krishterët besojnë se qysh kur Biri i Perëndisë mori mish njerëzor dhe u zhyt në ujërat e Jordanit, i tërë materiali u shenjtërua dhe upastrua në të, u la prej cilësive të saj, që kishin të bënin me vdekjen, të trashëguara nga i ligu dhe nga dobësia e ligësia e njerëzve. Pra, kjo festë është shprehja e faktit më qendror të vizionit të krishterë për njeriun si dhe për jetën e botën e tij. Shenjtërimi i ujit vërtetohet sot nga të krishterët, të cilët në çdo 6 janar mbushin ujë të bekuar, i cili qëndron i freskët deri në 6 janarin e vitit tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›