E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia akuzon Avokatin e Popullit: “Dobjani kërcënoi oficerët tanë”

Përplasje dhe akuza mes Policisë së Shkodrës dhe zotit Ermir Dobjani . Shkaku, ndalimi i disa personave për një vrasje të ndodhur në 1997-n

Policia e Shkodrës dhe Avokati i Popullit janë përfshirë në një konflikt për shoqërimin e disa personave mëngjesin e së premtes. Pas denoncimit që ka bërë vetë Ermir Dobjani për ushtrim dhune gjatë marrjes në pyetje të disa shtetasve, kanë reaguar drejtuesit e Policisë së Qarkut. Ata akuzojnë Dobjanin dhe disa komisionerë të tij për ndërhyrje arbitrare në zyrat e Policisë Gjyqësore. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shkodrës, ekipi i Avokatit të Popullit, i kryesuar nga kreu i këtij institucioni, “ka ushtruar presion ndaj oficerëve, veprim që ka interferuar direkt në mosdokumentimin ligjor të kësaj vepre penale”. Gjatë marrjes në pyetje të disa shtetasve për një ngjarje të ndodhur në vitin 1997 për motive gjakmarrjeje, njëri prej të shoqëruarve pretendon se është ushtruar dhunë nga njëri prej oficerëve të policisë.
Akuzat ndaj Dobjanit
“Gjatë kohës që po vazhdonte pyetja e personave të shoqëruar, Avokati i Popullit, z. Ermir Dobjani, me disa komisionerë të këtij Institucioni, kanë ndërhyrë në mënyrë arbitrare në zyrat e Policisë Gjyqësore, ku po pyeteshin disa persona, duke përdorur arrogancë dhe duke ushtruar presion ndaj oficerëve tanë”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës. Sipas tyre, “ky veprim ka interferuar direkt në mosdokumentimin ligjor të kësaj vepre, të deleguar nga Prokuroria, për faktin se kjo dosje është rikrijuar edhe një herë nga ana jonë”. Zëdhënësja e policisë, Fatbardha Çelepia, bën të ditur se, “Avokati i Popullit së bashku me komisionerët e tij kanë marrë në pyetje personat e shoqëruar në lidhje me trajtimin e tyre para, gjatë dhe pas shoqërimit të tyre në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës”.
Sakaq, shtetasi E. A. ka ngritur pretendimin se është goditur me shpullë në mjediset e policisë nga disa oficerë policie. Por zyrtarisht burimet e policisë vendore e mohojnë faktin se është ushtruar dhunë nga oficerët ndaj personave të shoqëruar. Zyrtarisht pohohet se ndalimi i këtyre personave është bërë konformë Neneve 155, 160 dhe 297 të Kodit të Procedurës Penale. Çelepia sqaron se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit, do të hetojë dhe do të kryejë të gjitha veprimet e duhura procedurale për pretendimet e ngritura.
Ngjarja
Mëngjesin e së premtes, policia e Shkodrës, në bashkëpunim me organin e akuzës, kanë shoqëruar disa persona në kuadrin e hetimeve për vrasjen e një shtetasi dhe plagosjen e katër të tjerëve, ngjarje kjo e ndodhur për motive gjakmarrjeje, më 1 gusht 1997, në lagjen “Iliria” të qytetit verior. Që prej shtatorit të këtij viti kanë nisur investigimet për zbardhjen e këtij krimi. Sipas urdhrit të lëshuar nga Prokuroria, janë thirrur në mjediset e komisariatit personat që dyshohet se kanë qenë dëshmitarë apo kanë pasur dijeni për ngjarjen e ndodhur 11 vjet më parë. Megjithëse policia pretendon se ka vepruar ligjërisht, duke respektuar Kodin e Procedurës Penale, çështja në fjalë është vëzhguar drejtpërdrejt nga Avokati i Popullit Ermir Dobjani dhe disa komisionerë të tij.
Denoncimi
Një inspektim i befasishëm në Komisariatin e Policisë së Shkodrës, që ndodhet në një vend me Drejtorinë e Policisë së Qarkut, ka sjellë reagimin e ashpër të Avokatit të Popullit Ermir Dobjani. Një person i shoqëruar në polici ka bërë një ankesë dy ditë më parë duke pretenduar se është dhunuar psikologjisht e fizikisht gjatë orëve që është marrë në pyetje për një ngjarje të ndodhur në vitin 1997, kur ai ishte vetëm 9 vjeç. Avokati i Popullit zhvilloi dy ditë më parë një inspektim në policinë e Shkodrës dhe pa nga afër situatën në dhomat e paraburgimit. Në një prononcim për mediat, ai theksoi se për dhunën e ushtruar në qelitë e paraburgimit të komisariateve të policisë do të merren masa të rrepta ndaj autorëve. Krahas problemeve të mungesës së kushteve të higjienës në qelitë e paraburgimit, shkak i deklaratës se bërë vetëm pak minuta pasi ai ka lënë drejtorinë e policisë ishte dhuna e ushtruar ndaj një 20-vjeçari gjatë marrjes në pyetje. Avokati i Popullit ka deklaruar se ndaj dy oficierëve të policisë që kanë dhunuar të riun do të kërkohet menjëherë marrja e masës ndëshkuese. Sipas Avokatit të Popullit, është ushtruar dhunë nga oficerët e policisë (mësohet se djali ka dalë me faqe të kuqe nga goditjet me shpulla të policëve, gjë që është parë nga Avokati i Popullit, i cili rastësisht ishte aty për inspektim). Gjatë katër javëve të fundit, Dobjani ka denoncuar zyrtarisht disa raste për ushtrim dhune dhe mosrespektim të rregullave të paraburgimit nga Policia e Shtetit.

RASTET E DENONCUARA
- Dhuna e ushtruar ndaj një 17-vjeçari në Sarandë, ku u prangos një oficer policie ndaj të cilit është dhënë masa e arrestit “burg pa afat” nga gjykata

- Presioni i ushtruar ndaj një fëmije 6-vjeçar, në qytetin e Shijakut, i cili është marrë në pyetje nga policia pa qenë të pranishëm prindërit e tij

- Dhuna e ushtruar ndaj shtetasit G.S., nga komandanti (mbiemri Arshiu) dhe punonjësit e policisë së grupit të gatshëm gjatë ndalimit të tij për një konflikt

Tenton të vrasë 50-vjeçarin, gruaja i shpëton jetën

LAÇ – Ndërhyrja e bashkëshortes ka shpëtuar nga plumbi vdekjeprurës një 50-vjeçar, i cili është qëlluar me armë zjarri nga një person tjetër pas një konflikti për motive të dobëta. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dy ditë më parë, rreth orës 14.45, në lagjen Nr. 4, në rrugën e vjetër që të çon në Kishën e Shna Ndout në qytetin e Laçit. Sipas tyre, shtetasi Tonin Vlashi, rreth 40 vjeç, lindur në fshatin Selitë të Rrethit të Kurbinit dhe banues në qytetin e Laçit, pas një grindjeje të çastit ka qëlluar me armë zjarri, tip pistoletë, në drejtim të fqinjit të tij, Preng Teska, lindur në fshatin Skuraj dhe banues në Lagjen Nr. 4. Por, gjatë tentativës së vrasjes, ka ndërhyrë bashkëshortja e 58-vjeçarit Treska, duke i kapur dorën atentatorit dhe për pasojë plumbi ka devijuar. Konflikti ndodhi në lokalin e Preng Treskës. Në vendngjarje ka mbërritur policia e Laçit, por personi që hapi zjarr është larguar menjëherë. Ekspertët kanë gjetur dhe sekuestruar në mjediset e lokalit të Treskës gëzhojën e plumbit. Pasi çifti Treska është shoqëruar dhe ka dëshmuar në Komisariatin e Laçit, policia shpalli person në kërkim shtetasin Tonin Vlashi. Ai akuzohet për veprat penale të “vrasjes së mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Dosja në ngarkim të tij pritet t’i kalojë Prokurorisë së Rrethit të Kurbinit.

Gjendet në Vlorë 14-vjeçari i zhdukur një javë më parë në Durrës

VLORË – Pas disa ditësh kërkimi është gjetur dje në Vlorë 14-vjeçari nga Durrësi, i cili është denoncuar i zhdukur nga prindërit e tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se është identifikuar dhe ndaluar shtetasi Elis Fusha, lindur në Mirditë dhe banues në qytetin e Durrësit. Nxënësi u largua pas një debati me shokët e tij në klasë, të cilët e akuzuan se kishte vjedhur një telefon celular. I prekur në sedër, ai ka lënë shkollën “Nënë Tereza”, ku mësonte, duke u zhdukur në mënyrë të çuditshme dhe duke lënë një letër në bankë me shënimin: “Unë po iki se jam i padëshirueshëm”. Të alarmuar, mësuesit kanë njoftuar prindërit, të cilët u vunë në lëvizje të ndihmuar nga forcat e policisë. Në të gjithë qytetin e Durrësit u shpërndanë fletushka me foton e tij ku shënohej “kërkohet” si dhe një numër telefoni i prindërve të tij. Arratisja e Elis Fushës nga shtëpia zgjati një javë. Dje ai është pikasur nga një qytetar i Vlorës në afërsi të tregut të këtij qyteti. Qytetari e ka njohur fëmijën që kërkohej nga prindërit, pasi ka parë foton e tij në televizor. Menjëherë ka njoftuar me telefon sallën operative të policisë dhe për pak minuta efektivët e policisë kanë kapur djalin e vogël.
Ngjarja u shënua në orët e mesditës së djeshme, por nuk u bë publike nga policia deri në mbërritjen e prindërve të tij nga qyteti i Durrësit. Pas verifikimit rezultoi se bëhet fjalë pikërisht për 14-vjeçarin, nxënës i klasës së 9-të në shkollën publike “Nënë Tereza” të Durrësit. Në polici, ai ka deklaruar se ka ikur pasi ndihej person i padëshirueshëm në mjediset e shkollës. Ai ka mohuar të ketë kryer një vjedhje, siç e akuzuan shokët e klasës së tij. Elis Fusha është kthyer në shtëpinë e tij në Durrës, nën shoqërimin e prindërve të tij.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›