E Diel, 1 Nëntor 2026

Egërsohet moti, trageti “Aurelia” përmbyt dy peshkarexha në Durrës

Paniku në Portin e Durrësit pas erës së furishme dhe shiut të dendur. Trageti rrezikoi dhjetëra mjete më të vogla të ankoruara pranë tij

Mbrëmja e së premtes është shoqëruar me një erë të fuqishme dhe shi të dendur në të gjithë vendin, ndërsa në Portin e Durrësit “alarmi” ka rënë si askund tjetër. Kjo ka ndodhur pasi koha e keqe dhe era kanë bërë të mundur që një traget i ankoruar t’u shpëtonte litarëve dhe të godiste deri në përmbytje disa mjete të tjera lundruese që ndodheshin pranë tij. Rreth orës 01:00 të mëngjesit të ditës së djeshme tragetit “Aurelia” të ankoruar i është këputur spiranca dhe për pasojë edhe litarët. Mjeti i madh lundrues ka përplasur 2 peshkarexha të ankoruara në port dhe ka dëmtuar shumë 4 të tjera. Era me drejtim jugperëndim frynte me 140 km në orë. Një shpejtësi e mjaftueshme kjo për të krijuar situata të vështira në çdo port të vendit. Moti i keq ka bllokuar punën te të gjitha portet e vendit, gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Paraditen e djeshme situata filloi të normalizohej e për rrjedhojë filloi dhe dalja e trageteve të linjave nga portet.
Rreziku në Durrës
Fuqia e madhe e erës për pak sa nuk shkaktoi një superaksident në Durrës. Falë ndërhyrjes së peshkatarëve, por dhe falë zbutjes së vetë erës, dëmet nuk u përshkallëzuan. Era e ka rritur intensitetin e saj dhe më pas ka këputur dy cimat e trasha me të cilat trageti “Aurelia” ishte i ankoruar në port. Era e ka përplasur tragetin me peshkarexhat e krahut perëndimor të kalatës së peshkimit dhe ka fundosur në thellësi të ujërave 2 anije peshkimi që ishin ankoruar pranë njëra-tjetrës. Nga përplasja u mbytën anijet “Akuario” dhe “Taulantia”. Njëkohësisht janë dëmtuar rëndë edhe 4 prej peshkarexhave që ndodheshin në afërsi, të cilat janë “Adi”, “Sevasteri”, “El Paso” dhe “Rino”. Ndërhyrja në momentin e përplasjes ka qenë thuajse e pamundur, pasi situata ishte tejet e vështirë dhe nuk mund të merrej asnjë operacion shpëtimi apo parandalimi në ato kushte kur era kishte arritur pikun e egërsisë së saj.
Dëshmia
Peshkatarët, të tronditur nga ngjarja e rëndë që u ka ndodhur thonë se në momentet e përplasjes kanë përjetuar një tmerr të vërtetë. Shpejtësia e erës, sipas tyre, mund të kishte arritur në basenin e portit me rreth 140 km në orë dhe deti ishte me forcë 7–8 ballë.
Pronari i anijes së dëmtuar “Sevasteri”, Bujar Mersinaj, tha se kanë qenë mbi 50 burra në port pranë anijeve duke ndenjur në ruajtje për mjetet e tyre, pasi koha e keqe i ka rrezikuar edhe herë të tjera. Nga ana tjetër, afërsia me tragetet është e rrezikshme, pasi ka pasur edhe 2 herë të tjera raste që kanë çuar deri në mbytje të mjeteve të peshkimit. Peshkatarët thonë se intensiteti i erës që frynte gjatë natës ka ardhur duke u rritur dhe se në orët e mëngjesit, kur ata, të lodhur nga mbingarkesat e një nate pa gjumë, në ruajtje të një rreziku permanent, kanë vënë re se era ka përlarë që nga bankinat e portit të sheshit të trageteve tragetin “Aurelia” dhe ka përlarë para syve të tyre 2 prej anijeve të peshkimit.

Stuhia, probleme në portet e Vlorës e të Shëngjinit

Në Portin e Vlorës moti i keq dhe era e fortë kanë shkaktuar vështirësi në përpunimin e trageteve, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm. Sipas Drejtorisë së Policisë Kufitare në qarkun e Vlorës reshjet e shiut dhe era e fortë ka bërë që trageti i parë “Redstar” i linjës “Brindizi – Vlorë” të ankorohej me vonesë në Portin e Vlorës. E njëjta situatë është krijuar edhe me tragetin e dytë, “Aquadimos”, i së njëjtës linjë. Drejtoria bëri të ditur se “në mesditë situata në Portin e Vlorës ishte nën kontroll”.
Në Portin e Shëngjinit era e fortë dhe dallgët e fuqishme kanë bllokuar punën. Burime nga kapiteneria e portit pohojnë se asnjë anije apo traget nuk ka dalë sot në det të hapur, ndërkohë që është pezulluar edhe përpunimi i anijeve. Problemi më i madh sipas të njëjtave burimeve janë anijet e peshkimit të cilat rrezikojnë të fundosen, ndërsa kanë pezulluar aktivitetin e tyre të peshkimit.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›