E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania, një barazim mes shumë pengjesh



Kombëtarja gjermane ka startuar me barazim miqësoren e parë pas Botërorit "Afrikë e Jugut 2010". Pas dy humbjeve radhazi me përfaqësuesen daneze, përfaqësuesja e Gjermanisë nuk mundi dot t'i rezistonte avantazhit të dy golave, pasi kanë qenë sulmuesit Junker e Romedal që ndëshkuan portën gjermane të mbrojtur nga gardiani i Verder Bremenit, Tim Vize. Trajneri i Kombëtares gjermane, Joakim Lëv, grumbulloi 16 lojtarë. Ndryshe nga formacioni bazë i Botërorit, ai e ka startuar ndeshjen me portierin Tim Vize dhe me të vetmin në sulm, bomberin bavarez, Mario Gomez, ndërkohë që është rikthyer legjionari i Uest Hemit, Tomas Hicspelger, të cilit iu besua edhe shiriti i kapitenit në mungesë të kapitenit zyrtar, Filip Lahm. Sulmuesi i Bajernit të Mynihut, Mario Gomez, arriti të koordinohej shumë mirë në fushën e lojës, pasi ka qenë pikërisht ai që e ka zhbllokuar rezultatin që në minutën e 19-të, duke i dhënë vetes besimin e drejtuesve gjermanë. Ka qenë shansi i fundit i tij për të treguar rëndësinë e vlerën që ka në pankinën gjermane, dhe e ka realizuar me efikasitet rolin e tij në sulmin gjerman, duke pasur për herë të parë shansin të luante gjatë gjithë 90 minutave të lojës. Pjesa e parë e takimit përfundoi 1-0 në avantazh të Gjermanisë, e trajneri Lëv nuk bëri asnjë lëvizje në radhët e pankinës së tij. 45 minutat e dyta nisën vrullshëm nga të dyja skuadrat, kur dhe rifreskuan formacionin. Në minutën e 73-të sulmuesi Patrik Helmes arrin të shënojë golin e dytë të takimit. Sulmuesi danez Romedal një minutë më vonë arrin të shënojë gol në këtë ndeshje të 100-të të tij dhe tri minuta pa përfunduar takimi, bomberi Junker gjen të papërgatitur portierin gjerman, duke barazuar shifrat në 2-2 dhe duke i vënë vulën gjithë takimit. Kjo ndeshje ishte një ndër me emocionueset e natës së mbrëmshme, e cila ka dëfryer jashtë mase të pranishmit në stadiumin "Parken".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›