E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debutimi në kampionatin turk, kritikohet ashpër Cana



STAMBOLL - Lorik Cana nuk ka lënë përshtypje të mirë në ndeshjen debutuese në elitën e futbollit turk. Galatasaray u mposht 2:1 nga Sivasspor, derisa mediet turke nuk lavdëruan paraqitjen e mesfushorit kosovar. 26 vjeçari ishte titullar në këtë përballje, derisa në minutën e 65-të është ndëshkuar me karton të verdhë pas një ndërhyrjeje të palejuar. Reprezentuesi i Shqipërisë në minutën e 73-të ka dalë nga loja për t’i liruar vendin sulmuesit çek Milan Baros. Pas ndeshjes Lorik Cana u kritikua për paraqitjen e tij në fushë, derisa analistët e futbollit turk transferimin e tij në gjigantin turk e vlerësuar jo të qëlluar për klubin nga stadiumi Ali Sami Yen.
Kundërshtimi
Sipas analistit të mirënjohur dhe ish reprezentuesit të Turqisë, Ridvan Dilmen, kosovari nuk është transferim i qëlluar. “Cana nuk është futbollisti i Galatasarayt”, ka thënë Dilmen në televizionin NTV gjatë analizës që e ka bërë për ndeshjen Sivasspor – Galatasaray. Ndërsa trajneri holandez i klubit turk, Frank Rijkaard, ditë më parë u është kundërpërgjigjur kritikave të medieve duke thënë se Lorik Cana është futbollist ideal për futbollin tuk. Për dallim nga Galatasaray, kosovari kishte bërë bum që në startin e kampionateve me dy ish-skuadrat e tij të fundit, klubin francez Marseille dhe atë anglez Sunderland.
E kaluara
Mesfushori i Kombëtares shqiptare pushtoi zemrat e tifozëve të Marseilles dhe Sunderlandit me angazhimin e pamohueshëm, derisa drejtuesit e këtyre klubeve ia besuan edhe shiritin e kapitenit. Edhe pse Cana ishte idhull në Stadium of Light, papritur vendosi të largohet nga Premierliga, respektivisht Sunderlandi, për t’u transferuar te gjiganti turk Galatasaray. Ish mesfushori i klubit francez PSG i kushtoi 6 milionë euro Galatasarayt, derisa nënshkroi kontratë katërvjeçare me yllin kosovar.

Eleminatoret për “Euro 2012”, mësohen arbitrat e kuqezinjve
TIRANË - Kombëtarja e Shqipërisë ka njohur gjyqtarët që do të drejtojnë dy ndeshjet e para eliminatore të Euro 2012. Kuqezinjtë e nisin aventurën në Grupin D me ndeshjen në fushën e Rumanisë, më 3 shtator. UEFA ka vendosur që t’ia besojë këtë takim arbitrit austriak Robert Shorgenhofer. 37-vjeçari ka marrë stemën e FIFA-s në vitin 2007, ndërsa ai nuk është një emër i panjohur në ambientin e futbollit shqiptar. “Bilbili” e ka drejtuar edhe një herë më parë përfaqësuesen tonë, më saktësisht në sfidën e luajtur në “Qemal Stafa” më 10 shtator 2008, ku Shqipëria fitoi 3-0 me Maltën. Fakti interesant i atij takimi ishte se në harkun e dy minutave (nga e 65-a deri në 67-n), ai ndëshkoi tre lojtarë kuqezinj për protesta: Duron, Beqirin dhe Dallkun. Shorgenhofer ka qenë edhe dy herë në Shqipëri, fillimisht më 11 shtator 2007, për ndeshjen që përfaqësuesja U-21 humbi 0-1 me Italinë dhe më pas më 15 korrik 2009, për ndeshjen e turit të dytë të Champions League, ku Tirana barazoi 1-1 me Stabaek. Ndërkohë, ndeshja e 7 shtatorit, në të cilën Shqipëria do të presë në shtëpi Luksemburgun, i është besuar gjyqtarit sllovak, Riçard Trutz. 39-vjeçari, i cili është i punësuar edhe në një televizion në vendin e tij, është bërë arbitër i kategorisë së tretë të UEFA-s vetëm në fillim të vitit 2010.

Kosovari Shaqiri, në krizë golash
BASEL - Ka qenë yll i sezonit të kaluar. I fuqishmi Xherdan Shaqiri është paraqitur në 50 ndeshje për Baselin. Ai ka realizuar 7 gola dhe 6 asistime. Si shpërblim i kësaj, ai ishte ftuar në Kombëtare dhe ishte zgjedhur futbollisti më i mirë i ri i vitit. Tani, 18-vjeçari Shaqiri po përballet me një mini-krizë në karrierën e tij. Në sezonin e ri, atij asgjë nuk i ka shkuar për dore. Në humbjen 1:4 nga Luzern, ai nuk luajti. Së pari thuhej se ishte i sëmurë, por duket se presioni i mediave e ka bërë të veten. Si duket, super-talentit kosovar kënaqësia për futbollin i është larguar. Për trajnerin Thorsten Fink, kjo nuk është ndonjë gjë për t’u befasuar. “E kanë ngritur në qiell para kohe”, ka thënë trajneri i Baselit për të përditshmen zvicerane Blick. Sidoqoftë, nuk kalon javë pa u folur për të ardhmen e Shaqirit. Tottenham, Arsenal, Dortmund, Fiorentina, Hamburg. Çdo ku është dëgjuar emri i tij. Menaxherët që e kanë përfaqësuar 18 vjeçarin kanë komunikuar me ekipe të tjera, pa dijen e tij. Shaqirin e përfaqëson vëllai i tij 20 vjeç, Erdini. Ky i fundit ka thënë se beson shumë te vëllai i tij, Xherdani, për të cilin mendon se është në duar të sigurta, pas shkëputjes së marrëveshjes me ish menaxherin e tij. Thashethemet e mediave dhe interesimi i klubeve, kanë lënë pasoja te Shaqiri. Fink thotë se, kur Shaqiri i ka në kokë gjërat tjera dhe nuk është i koncentruar në lojë, atëherë talenti kosovar luan keq. “Këtu luan rol edhe presioni që ndien ai. Sepse, të gjithë presim mrekulli nga ai, kështu që kjo nuk shkon. Ai duhet ta përsërisë suksesin e vitit të kaluar. Do të jetë një vit i vështirë për të”, vazhdoi Fink. Trajneri i Basel insiston se Shaqiri duhet të ruhet më shumë dhe të lihet i qetë, pasi në moshën e tij aq të re, nuk mund të marrë përgjegjësi të mëdha. “Ne duhet t’i ndihmojmë atij”, shtoi Fink. Edhe klubi i Baselit ka reaguar në këtë stuhi që po bëhet ndaj Shaqirit. Kampioni zviceran kërkon që të ndalen sulmet dhe kritikat e mediave ndaj.

“Futbollisti më i mirë” UEFA shpall kandidaturat
NION - Shtëpia e futbollit evropian (UEFA) e ka publikuar listën e 12 futbollistëve që kanë mundësi për ta fituar çmimin e pozitës në fushë, por edhe të futbollistit më të mirë të vitit sipas UEFA-s, ‘UEFA Club Football Awards’. Fituesi do të bëhet i ditur gjatë ceremonisë së shortit për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në Montecarlo, më 26 gusht. Kampioni aktual, Inter, përfaqësohet me më së shumti futbollistë, 5: Julio Cesar, Maicon, Lucio, Sneijder e Milito. Kurse prapa Nerazzurrëve gjendet Barcelona, me 4 futbollistë: Messi, Valdes, Pique e Xavi. Kjo listë është përpiluar në bazë të votave që kanë dhënë 16 trajnerët e së tetës së finales të sezonit të kaluar. Nga këta 12 futbollistë, njëri prej tyre do të shpallet futbollisti më i mirë i vitit UEFA. Bastoret angleze e favorizojnë yllin e Barcelonës, Messi, përpara dyshes së Interit, Milito-Sneijder.

Kandidatët për çmimin UEFA Club Football Awards
Portieri më i mirë i vitit UEFA
Julio Cesar (Inter)
Hugo Lloris (Olympique Lyon)
Víctor Valdés (Barcelona)

Mbrojtësi më i mirë i vitit UEFA
Lucio (Inter)
Maicon (Inter)
Gerard Pique (Barcelona)

Mesfushori më i mirë i vitit UEFA
Xavi Hernandez (Barcelona)
Arjen Robben (Bayern Munchen)
Wesley Sneijder (Inter)

Sulmuesi më i mirë i vitit UEFA
Lionel Messi (Barcelona)
Diego Milito (Inter)
Wayne Rooney (Manchester United)

Napoli kërkon me patjetër Xhemajlin
NAPOLI - E ardhmja e futbollistit shqiptar, Blerim Xhemajli mund të jetë e lidhur me Napolin. Klubi italian është në kërkim të një mesfushori për ta kompletuar skuadrën për sfidat e reja. Sipas të përditshmes italiane Corriere dello Sport, objektiv kryesor i napolitanëve është futbollisti i Bayern Munchen, Jose Ernesto Sosa, por palët nuk kanë arritur akoma marrëveshje. Nëse dështon transferimi i Sosas drejt Italisë, trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, do të kënaqej me futbollistin e Parmës, Xhemajlin, të cilin e pëlqen shumë. Po ashtu, mediat italiane spekulojnë për një shkëmbim të mundshëm të Xhemajlit me Pazienzan, ndërmjet Parmës dhe Napolit. Futbollisti me prejardhje nga Maqedonia kishte shkëlqyer me Torinon dy sezone më parë, kur arriti nga Bolton i Premierligës. Pastaj reprezentuesi zviceran iu bashkua Parmës, ku po ashtu luajti mirë derisa u lëndua. Si rezultat i paraqitjeve të mira të tij, ai i ra në sy Napolit. 24 vjeçari konsiderohet si futbollist i rëndësishëm i Parmës, por oferta e një klubi si Napoli, mund t’i ndryshojë gjërat.

Kosovari Përdedaj mahnit Babbelin
BERLIN - Futbollisti kosovar, Fanol Perdedaj e ka mahnitur trajnerin e tij, Markus Babbel, por edhe udhëheqësit e tjerë të Hertha Berlinit me paraqitjet e tij në ndeshjet e fundit miqësore që i ka zhvilluar kjo skuadër. Babbel i ka vlerësuar lart cilësitë e 19 vjeçarit. “Perdedaj është duke bërë përparim të madh gjatë përgatitjeve. Aftësitë, ai i përdori edhe në ndeshjen e fundit në Pfullendorf. Unë pash që ai luajti fort në atë ndeshje”, ka thënë Babbel për një gazetë lokale të Berlinit. Mesfushori defanziv tani në Gjermani po vlerësohet si pasardhësi i legjendës së Hertha Berlinit, Pal Dardi, i cili në fanellën e këtij klubi kishte shënuar 34 gola në 286 paraqitje. 19 vjeçari nga trajneri dhe bashkëlojtarët e tij ka marrë pseudonimin ‘Gatusso’, pasi stili i lojës së tij është i ngjashëm me atë të mesfushorit agresiv të Milanit, Gennaro Gatusso. Hertha Berlin garon në Bundesligën 2 gjermane.

Ferguson bleu lojtarin pa e parë duke luajtur
MANÇESTER - Alex Ferguson i ka befasuar tifozët e Mançester United me deklaratën e tij rreth përforcimit të ri, Bebe. “Nuk e kam parë as edhe një video-xhirim të tij duke luajtur. Është hera e parë në karrierë që më ndodh ta blej një futbollist pa e parë asnjëherë duke luajtur. Normalisht, si në rastet e Hernandez e Smalling, i shikoj miliona video-xhirime para se ta bëj ofertën”, tha trajneri skocez për Daily Mail. “Futbollisti ishte vëzhguar edhe nga Benfica e Real Madrid, kështu që, nëse donim ta bënim tonin, duhej ta mbyllnim këtë çështje shpejt. Për të më ka këshilluar ish-ndihmësi im Queiroz”, shtoi Ferguson.

Franca, Ribery reagon kundër sanksioneve
PARIS - “Nuk e kuptoj përse disa futbollistë janë ndëshkuar me largim nga kombëtarja dhe të tjerët jo”. Ky është komenti i Franck Ribery një ditë pas vendimit të komisionit disiplinor të federatës franceze të futbollit që e detyron të qëndrojë larg Blues për tre ndeshje. Sanksioni lidhet me performancën e dobët të Francës në botëror dhe me protestat kundër përjashtimit të Anelka duke mos marrë pjesë në stërvitje. Sulmuesi i Çelsit ka marrë edhe dënimin më të rëndë prej 18 ndeshjesh. “Ai episod përfshiu të gjithë futbollistët”, është shprehur Ribery, i cili konfirmon se nuk do të heqë dorë nga fanela e kombëtares. “Natyrisht që do të luaj sërish me Blues”, është shprehur ai.

19 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›