Emigrantët në Itali, përfitimet për dadot dhe kujdestaret e shtëpive
Më shumë mbrojtje për bashkëpunëtoret familjare, të ashtuquajturat “colf, badanti, baby-sitter”. Nga 1 korriku është në funksionim “Cas.sa.colf”, një arkë sigurimi shëndetësor integrativ. Cas.sa.colf do të sigurojë punonjësve kompensim ditor në rast shtrimi në spital, konvaleshence dhe lindjeje dhe rimbursim të plotë të tarifës (ticket) për disa shërbime shëndetësore të mjekëve specialistë të ofruara nga shërbimi shëndetësor kombëtar. Ndërsa punëdhënësit do të gëzojnë një sigurim në rast të fatkeqësive në punë të punonjësve, përfshirë ato “in itere”, pra gjatë rrugës nga shtëpia drejt vendit të punës.
“Regjistrimi është automatik, Cas.sa.colf”” ushqehet nga kontributet që paguhen me buletinet postare tremujore, siç parashikohet nga kontrata kolektive kombëtare e punës shtëpiake. Ato para do të rrisin mbrojtjet për punonjëset familjare dhe familjet ku ato shërbejnë”, - shpjegon Rosetta Raso, sekretare kombëtare e Sindikatës Fisascat Cisl.
Në arkën e sigurimit shëndetësor integrativ do të përfundojnë 0,03 euro për çdo orë pune. Mund të duket pak, por do të mjaftojnë për të paguar, për shembull, një kompensim prej 20 eurosh për çdo ditë shtrimi në spital, që i duhen shtuar pagës në periudhë sëmundjeje që paguan punëdhënësi, ndërsa familjet do të jenë të mbuluara deri në 50 mijë euro për fatkeqësitë në punë të punonjësve.
“Kompensimet dhe rimbursimet, – shton Raso – do të mund të kërkohen duke përpiluar disa formularë, edhe me ndihmën e patronateve. “Cas.sa.colf” është shumë e rëndësishme pasi bashkëpunëtorët familjarë në shumicën e rasteve janë gra të huaja, ndër subjektet më të dobëta të shoqërisë, por të pafuqishme ndihen edhe familjet, që mbulojnë vetë të gjitha shpenzimet për asistencën për familjarët e tyre”.
Moshat e treta, si angazhohen në jetën aktive
Nismat për integrimin e të moshuarve në jetën sociale
Modelet që po aplikohen në Gjermani. Aktivitetet vullnetare
Peter Kolakowski
Esat Ahmeti
Gjithnjë e më shumë ata fillojnë diçka të re. Pas daljes në pension ata angazhohen vullnetarisht në projekte sociale për bashkëqytetarët e tyre. Në dhjetë vitet e kaluara është shtuar shumë përqindja e përfshirjes së moshës së tretë në aktivitetet vullnetare. Aktualisht më shumë se një e treta e njerëzve nga kjo grupmoshë janë të angazhuar në aktivitete të ndryshme. Kjo për faktin se sa më e rëndë që bëhet barra e borxheve të shtetit dhe si pasojë sa më shumë që dobësohet rrjeti social aq më shumë shtohen nevojat për angazhimet mbi baza vullnetare.
E rëndësishme të bësh diçka
Puna vullnetare është kthyer sërish në "modë". Para së gjithash tek ata të cilët edhe pas daljes në pension duan që të ndajnë me të tjerët përvojat jetësore, mundësitë dhe dijen e tyre. Pavarësisht se a bëhet fjalë për mbrojtjen e ambientit apo të kafshëve, respektimin e të drejtave të fëmijëve, ndihmat për familjet e varfra apo shoqërimin dhe përkujdesjen ndaj personave të moshuar - puna vullnetare apo thënë më mirë angazhimi qytetar është sot i domosdoshëm. Dhe duke pasur parasysh ndryshimet demografike puna vullnetare do të përjetojë një bum të vërtetë.
Kështu shprehet profesori Hams Fleisch. Ai është sekretar i përgjithshëm i Shoqatës federale të Fondacioneve gjermane dhe i gëzohet faktit që gjithnjë e më shumë persona të moshës së tretë themelojnë vetë fondacione për të jetësuar idealin e tyre në ndihmë të bashkëqytetarëve. Fleisch: "Ne nuk moshohemi gjithnjë e më shumë por ne mbetemi më gjatë të rinj. Për secilin që ka kaluar të 60-at dhe angazhohet është një gjë e mirë për shpirtin, për shëndetin, për formën e mirë e kështu me radhë. Njeriu bën diçka për vete por nga ana tjetër është i nevojshëm për shoqërinë, në mënyrë që ata që kanë kohë të lehtësojnë të tjerët dhe të marrin përsipër më shumë përgjegjësi brenda komunitetit. Kështu ne mund të ruajmë lidhjen e brendshme dhe nivelin në aspektin kulturor dhe shoqëror."
Ndihma, takim mes palëve
Numri i iniciativave rritet nga dita në ditë. Projekte shembullore si "Lidhja e seniorëve Riedlingen", "Rrjeti i fqinjve Frankfurt mbi Majn" apo "Rrjeti vullnetar Tyringen", tregojnë se edhe pas vitesh pune të suksesshme angazhimi i pjesëmarrësve nuk zbehet por rritet. Gjatë dhjetë viteve të kaluara përqindja e të moshuarve të angazhuar në projekte vullnetare është rritur fort. Aktualisht të angazhuar janë më shumë se një e treta e kësaj grupmoshe. Domethënie të veçantë sipas parashikimeve të sociologëve do të fitojë angazhimi i tyre në mesin e fqinjëve të parë. Shumë prej atyre që angazhohen për bashkëqytetarët e tyre duan ta bëjnë këtë jo në formë abstrakte por shumë konkretisht në qytetin, fshatin apo në lagjen ku banojnë.
Profesori i mjekësisë sociale Klaus Dörner është i sigurt se sot nuk kemi vetëm dy hapësira sociale, pra hapësirën private dhe hapësirën publike, siç jemi zhvilluar në të vërtetë edhe ne. "Fëmijët në shkolla e njohin vetëm privaten dhe publiken dhe nuk e dinë se ekziston edhe një hapësirë e tretë sociale me madhësinë e lagjes apo të komunitetit të fshatit. Dhe kjo është në të vërtetë e vetmja hapësirë për të mirën e përbashkët dhe hapësira e vetme për proceset e integrimit." Një rol qendror do të marrin në të ardhmen institucionet shoqërore tradicionale si organizatat bamirëse, azilet e pleqve, zyrat e komunitetit, dyqanet apo kishat në lagje. Ato do të kthehen në zyra ndërmjetësimi ku ndihmësit vullnetarë dhe ata që kërkojnë ndihmë do ta gjejnë shpejt njëri-tjetrin.
Marrë nga Dojçe Vele
Aplikimet për lejeqendrimi, hapen sportele të reja në shërbim të emigrantëve
Gjashtë sportele të reja për pranimin e kërkesave të rezidencës të paraqitura nga shtetasit jo-komunitarë dhe komunitarë, dhe një shtim personeli për të përpunuar praktikat e prapambetura. Këto janë masat e marra nga Bashkia e Romës për t’i bërë ballë problemeve të regjistruara në disa minibashki të kryeqytetit. Deri tani, në zyrat me më shumë kërkesa, duhet marrë takim për të kërkuar rezidencën, pritja zgjat me muaj, dhe kush pret nuk ka në dorë as edhe një kupon (me atë të leje-qëndrimit jemi mësuar të jetojmë tashmë...).
Nga fillimi i gushtit, emigrantët që jetojnë në minibashkitë më të ngarkuara mund të shkojnë drejtpërdrejt në zyrat qendrore të Gjendjes Civile, në rrugën Petroselli 50, ku janë vënë në punë gjashtë sportele të reja. Janë të hapura për publikun nga e hëna në të premte nga ora 8:30 deri në orën 12:30 dhe të enjten orari zgjat deri në 17:00. këtu kërkesat e rezidencës pranohen pa qenë e nevojshme të merret më parë takim.
“Situata lidhur me zyrat e gjendjes civile në disa minibashki është absolutisht e rëndë, situatë që Roma nuk mund t’ia lejojë vetes. Një kryeqytet i nivelit ndërkombëtar siç është qyteti ynë nuk mund të trajtojë në këtë mënyrë emigrantët”, - është shprehur kryebashkiaku Gianni Alemanno.
19 Gusht 2010