Deçani para 55 viteve

Të vendosura nëpër dhomat dhe korridoret e Muzeut Etnologjik në Prishtinë, fotografitë e britanikut Neil Robinson, të bëra në vitin 1956 në rajonin e Deçanit, përputheshin aq mirë me ambientin në të cilin ekspozoheshin. Kjo ekspozitë e tashmë të ndjerit Neil Robinson u hap të shtunën mbrëma në organizim të Ambasadës Britanike në Prishtinë në bashkëpunim me OJQ-në Ideas Partnership dhe Muzeun Etnologjik. I pranishëm qe edhe Ian Cliff, ambasador i Britanisë së Madhe në Prishtinë si dhe Judith Robinson, e veja e autorit të fotografive.
“Muzeu etnologjik është një vend i shkëlqyeshëm për ta hapur një ekspozitë që tregon kaq shumë fytyra dhe stile të veshmbathjes”, tha ambasadori Cliff. Ai shtoi se viti 1956 na duket edhe i largët por edhe i afërt. “11 vjet pas formimit të Republikës Federale të Jugosllavisë së Titos, ky grup i studentëve prej Universitetit të Cambridge kanë ardhur këtu dhe kanë bërë këto fotografi të jetesës në këtë pjesë të Kosovës në kufi me Shqipërinë”, shtoi ambasadori Cliff. Ai theksoi se është mahnitur nga kualiteti i ngjyrës së këtyre fotografive.
Duke i falënderuar organizatorët e ekspozitës, Judith Robinson, e veja e Neil Robinson, tha se është një kënaqësi e madhe të jetë këtu dhe të shohë punën e burrit të saj të ndjerë, të cilën ai e ka bërë kur ka ardhur në Kosovë në vitin 1956. Ajo tha se këto fotografi kanë qëndruar në dollap për shumë vite, të papara por jo të harruara.
“Neil shpesh ka folur për kohën sa ka qëndruar në Kosovë dhe për përvojat e tij këtu dhe për njerëzit që i ka takuar. Tri vajzat e mia e kanë dëgjuar shpesh atë duke treguar për Kosovën dhe për njerëzit me të cilët është takuar këtu dhe kështu ato kanë vendosur të vijnë bashkë me mua. Neil gjithmonë e dinte se fotografitë e tij ishin unike dhe paraqitnin mënyrën e jetës në Luginën e Deçanit në vitin 1956. Ai e dinte se ishte një arkiv i vlefshëm por në kohën sa ishte gjallë nuk kishte ndonjë mundësi që ato të vendosen diku ku do të vlerësoheshin dhe të ruheshin”, tha Robinson. Duke ia dorëzuar një disk me fotografi drejtorit të Muzeut Etnologjik, Robinson tha se ju do t’i vlerësoni dhe do t’i ruani ato këtu në Muzeun Etnologjik. “Duke ua sjellë këto fotografi unë po ua kthej një pjesë të trashëgimisë suaj dhe po e bëj këtë në emër të Neil Robinson dhe në kujtim të tij”, tha Judith Robinson.
Fotografi Neil Arthur Robinson është lindur në verilindje të Anglisë dhe ka studiuar shkencën në Universitetin Cambridge, duke specializuar në botanikë. Ai e ka vizituar Kosovën në vitin 1956, ku ka kaluar një muaj bashkë me pesë studentë të tjerë të botanikës në Luginën e Deçanit, të cilët studionin vegjetimin në malet afër kufirit me Shqipërinë.
Neil kryesisht e ka përdorur fotoaparatin e tij për të bërë fotografi njëngjyrëshe por ai gjithashtu e ka përdorur edhe një fotoaparat me ngjyra, të cilin e ka huazuar nga kompania Kodak. Përpos bimëve, ai ka fotografuar skena të njerëzve vendorë, të cilët punonin në bujqësi dhe blegtori, gëlqerosnin dhe prisnin dru.
Pas kthimit në Angli, ai shkroi disa të dhëna mbi shqiptarët, të ilustruara me fotografitë e tij. Një transkript i kësaj bashkë me kopje të fotografive, tani iu dha Muzeut Etnologjik të Prishtinës.
35 fotografitë e gjetën rrugën e tyre për në Kosovë kur Judith dëgjoi për Muzeun Etnologjik të Prishtinës në një intervistë të Radio BBC 4 me Elizabeth Gowing nga OJQ The Ideas Partnership.