E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deçani së shpejti me treg të gjelbër

Deçan, 4 gusht- Deçani së shpejti do të ketë treg të gjelbër bashkëkohor dhe me standarde evropiane, i pari i këtij lloj në Rrafshin e Dukagjinit. Mbi 5 mijë e 400 metra katrorë ambienti për tregtim do të shërbejnë jo vetëm për prodhuesit afarist deçanas por edhe të komunave fqinjë si Peja, Juniku dhe Gjakova, kanë thënë të mërkurën autoritetet komunale të Deçanit. “është nënshkruar marrëveshja me pronarin e tokës dhe tani kanë filluar punimet në rregullimin e tregut në bazë të projektit që ka përgatitur komuna”, ka thënë Ramë Melaj, drejtor i Drejtorisë së Urbanizimit. Sipas zyrtarëve komunal, të gjitha investimet për ndërtimin e këtij tregu, janë siguruar nga pronari i tokës  në vlerë prej 300 mijë euro. “Financimi për ndërtimin e këtij tregu është garantuar nga pronari Avdulla  Iberhysaj. Sipas projektit dhe pohimeve të pronarit të tokës ku  ka filluar  punimet në ndërtimin e tregut, ambienti  do të këtë në tersi infrastrukturën e kompletuar, mbulojën për një pjesë, ujin e pijshëm dhe atë higjenik, vendet higjeniko sanitare dhe vendet për ekspozimin e mallrave dhe depot përkatëse përcjellëse. “Interesi ka qenë i përbashkët dhe ne do të ndërtojmë ambientin e tregut sipas marrëveshjes dhe të projektit detal urbanistik rregullues që kanë hartuar ekspertët e Drejtorisë së
Urbanizmit”, ka thënë Avdulla Iberhysaj. Sipas tij, mjetet prej 300 mijë euro janë zotuar dhe brenda 45 ditëve tregu do të jetë i gatshëm, mu në kohen dhe vlugun e prodhimeve vjeshtore të fermerëve vendas dhe të atyre nga komunat fqinje. I pari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, ka thënë se përherë të parë komuna e Deçanit do të ketë një treg të kompletuar për fermerët dhe tregtarët afarist. “ Kemi bërë një marrëveshje  konform ligjeve dhe rregulloreve në fuqi. Mendoj se kjo është një ngjarje jashtëzakonisht e mirë për qytetaret e Deçanit  për faktin se po e zgjidhim problemin e tregut te gjelbër”, ka thënë Selmanaj. Edhe prodhuesit dhe afaristët e tregtarë të Deçanit e kanë mirëpritur realizimin e këtij projekti. “ As një herë më parë nuk kemi pasur vend që i plotëson kushtet për tregtim”, ka thënë Miftar Gashi, prodhues i pemëve dhe perimeve nga Broliqi. Ndërkohë, që edhe fermerët tjerë shpresojnë se do të kenë tash më një vend që mund të ekspozojnë mallrat e tyre për tregtim dhe me kushte bashkëkohore, edhe të bylmetëve.       

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›