E Shtunë, 31 Tetor 2026

Decentralizimi, Micallef takon Topin, Berishën dhe Ramën



Decentralizimi i pushtetit vendor ka qenë arsyeja e vizitës në Shqipëri të Presidentit të Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Evropës, Ian Micallef. Gjatë vizitës së tij, ai u takua me personalitetet më të larta të vendit, si me Presidentin Bamir Topi, me Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, njëkohësisht kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Micallef vlerësoi se në Shqipëri ka pasur hapa para në decentralizimin e pushtetit. Ndonëse Rama në takimin me Micallef shprehu rezerva për decentralizimin e pushtetit lokal, Micallef u shpreh për mediat se pushteti vendor nuk është cenuar, por kërkoi më shumë vullnet nga palët. “Nuk ka pasur asnjë raport që flet për cenimin e pushtetit lokal. Ka disa deklarata apo pretendime të cilat duhen parë, por kur zhvillova bisedime me Presidentin e Republikës, Kryeministrin dhe me ministrin Basha, konstatova se nuk ka asnjë vullnet nga qeveria, asnjë synim, për të ndërhyrë në autonominë e pushtetit lokal. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Nuk po them që çdo gjë është perfekte, por siç themi ne në anglisht, në rast se ka vullnet, ka një mënyrë. Pra, në rast se ka një vullnet politik të qeverisë për të vazhduar në rrugën që siguron autonomi për pushtetin lokal, atëherë këtë do ta kemi shumë shpejt në këtë vend”, - deklaroi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›