E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi, Meta: Kryeaxhenda e diplomacisë shqiptare



Turizmi, një sektor potencial për vendin, të cilin qeveria “Berisha” ka vendosur ta kthejë në kryeaxhendën e saj diplomatike. Ceremonia e çeljes së vitit të ri akademik në Universitetin Evropian të Turizmit (EUFT), i vetmi në Ballkan dhe Mesdhe, u shfrytëzua nga drejtuesit dhe autoritetet më të larta të shtetit për të evidentuar faktin se turizmi është sektori që duhet mbështetur më shumë, pasi është më potenciali në vendin tonë. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëmm Ilir Meta, duke folur në këtë ceremoni, pohoi se turizmi është një prioritet shumë i rëndësishëm i qeverisë shqiptare. Z. Meta deklaroi se duhet të punojmë shumë në këtë drejtim. Zëvendëskryeministri Meta për ta ilustruar bukurinë e natyrës shqiptare sugjeroi: “Unë personalisht jam partizani i zhvillimit të pushimeve në Shqipëri, pasi kam pasur dhe shumë përvoja dhe në vendet e tjera. Këtë vit kam kaluar pushimet me familje për tri javë në Dhërmi, por vërtet është për të ardhur keq që në vende të tilla përrallore të shohësh papastërti të ndryshme, ku nuk kujdeset asnjëri”. Z. Meta përmendi faktin se dje hyri në fuqi marrëveshja me Bosnjë-Hercegovinën për heqjen e vizave midis dy vendeve dhe lajmëroi se së shpejti do të heqim vizat dhe me Serbinë. Por, z. Meta theksoi faktin: “Në këtë mënyrë ne do t’u krijojmë mundësinë këtyre qytetarëve, vendet e të cilëve pothuajse nuk kanë det, të kenë Shqipërinë si destinacion turistik në të ardhmen”. Ndërkohë zv.kryeministri pohoi se mund të aplikojmë hapa të tjerë për të shtuar mundësitë dhe për të hequr pengesat e të gjithë atyre që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë dhe të zgjedhin atë si një destinacion turistik: “Gjatë vizitës së fundit në vendin tonë zv.kryeministri i Kinës u angazhua se qeveria kineze do të rekomandojë Shqipërinë për të gjithë qytetarët e saj si një destinacion turistik”. Dhe sipas tij, kjo do të thotë që me pak angazhim, të paktën një milion turistë vijnë nga Kina çdo vit. Këtu z. Meta shtroi një pyetje: “Edhe kaq turistë të vijnë nga Kina çdo vit, a i kemi ne në gjendje kapacitetet për t’i pritur dhe akomoduar ata?” Në fjalën e tij, z. Meta theksoi se të gjithë duhet të ndihemi krenarë për faktin se Universiteti Evropian për Turizmin është ndoshta i vetmi në Ballkan dhe Mesdhe, që ka si fokus ekskluziv të studimeve fushën e turizmit. “Dhe jo rastësisht ky universitet është fryt i nismës së Komisionit Evropian, i cili e konsideron Shqipërinë si një vend me një potencial të jashtëzakonshëm në fushën e turizmit”, - tha zv.kryeministri. Meta shprehu bindjen se “zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik në vend nuk mund të kuptohet kurrsesi pa kontributin e rëndësishëm të turizmit” dhe shtoi se “për këtë arsye ky sektor prioritar do të jetë kryefjala e axhendës të qeverisë shqiptare”. Zv.kryeministri evidentoi: “Ne jemi të bekuar për vlerat e rralla turistike që ofron natyra shqiptare, por njëkohësisht jemi të vetëdijshëm se nuk jemi aq mirënjohës ndaj natyrës për këto bukuri përrallore që na ka dhuruar”, - ndaj theksoi: “Mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit janë vendimtare për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm, konkurrues dhe afatgjatë”. Ndërkohë, z. Meta pohoi dhe faktin se vendeve të rajonit, si Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe së shpejti Serbisë, u është bërë një favor, duke pranuar heqjen e vizave dhe pagesave doganore, sepse u është mundësuar dalja në det: “Në këtë mënyrë ne do t’u krijojmë mundësinë këtyre qytetarëve, vendet e të cilëve pothuajse nuk kanë det, të kenë Shqipërinë si destinacion turistik në të ardhmen”. Ndërkohë, zv.kryeministri lajmëroi zgjerimin e rrezes së turistëve që vijnë në vendin tonë. Nga ana e tij, ministri i Turizmit dhe i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, lajmëroi edhe se “EUFT do të jetë një nga partnerët më kryesorë të ministrisë për çështjet që lidhen me zhvillimin e turizmit në Shqipëri”. Ai vlerësoi më tej se vendimi i datës 4 qershor 2008 i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë që licencoi Universitetin Evropian për Turizmin, u hapi rrugë veprimtarive didaktike e shkencore dhe aplikon kërkimet në fushën e turizmit të qëndrueshëm si faktor parësor në zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›