Buxheti 2010, Berisha: Rritje e re pagash dhe pensionesh
Vitin e ardhshëm qeveria do të rrisë ndjeshëm rrogat e pensionet dhe do të vazhdojë luftën e pamëshirshme ndaj varfërisë dhe mjerimit. Këtë siguri u dha dje shqiptarëve Kryeministri Sali Berisha, i cili informoi grupin kuvendor të PD-së se brenda kësaj jave pritet të miratohet në qeveri projektbuxheti për vitin 2010. Sipas Berishës, ky buxhet do të përmbushë plotësisht direktivat apo programin e mazhorancës të shpallur para qytetarëve shqiptarë gjatë fushatës elektorale, si dhe të gjitha projektet që synojnë ndërtimin e Shqipërisë evropiane. “Ne do të vazhdojnë me rritjen e ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, sepse ne e kemi këtë politike kryesore; do të vazhdojmë me luftën e pamëshirë ndaj varfërisë dhe mjerimit; do të vazhdojmë me një standardizim të ri të ndihmës ekonomike”, - u shpreh z. Berisha. Ai u solli ndërmend deputetëve debatin e disa kohëve më parë për rrogat, duke thënë se u protestua, u kërkua dhe u bë thirrje që të mos rriteshin rrogat. “Kjo, për fat të keq, ndodhte në mënyrën më paradoksale nga ata që nuk duhet të ndodhte ndonjëherë. Të bëjë opozita thirrje për të mos rritur rrogat, është gjëja më paradoksale”, - theksoi z. Berisha. “Në një aspekt, - shtoi ai, - thirrjet për të mos rritur rrogat nuk ishin krejt të pabaza”. Sipas Berishës, ato thirrje bazoheshin në projektimin e realiteteve të vendeve të tjera, në realitetin shqiptar, sepse rrogat, në mënyrë të padiskutueshme, jo vetëm që nuk u rritën, por u ulën nga 8 deri në 20 për qind në shumicën e vendeve. “Rrogat u ulën, sepse nuk kishte të ardhura”, - deklaroi dje Berisha para deputetëve. Por, sipas Kryeministrit, në Shqipëri u bë rritja më e fuqishme e rrogave në tërë historinë e saj. Z. Berisha foli para deputetëve edhe për krizën ekonomike që, sipas tij, kishte pasojë në kursin e këmbimit. Nga ana tjetër, ai vuri në duke se në një kohë kur bota përjeton krizën ekonomike, Shqipëria po korr suksese, pasi ka një buxhet të bollshëm, i cili do të mundësojë rritjen e pagave dhe pensioneve për vitin që vjen. “Por, si i thonë fjalës, që çdo e keqe ka një të mirë të madhe pas, edhe në këtë rast kjo e mirë nuk ishte e vogël. Kjo mbajti eksportet dhe rritjen e tyre. Që të mbash eksportet, do të thotë të mbash vendet e punës. Ndërsa vetë ministrat e Financave të eurozonës e denoncuan publikisht forcimin e euros si një faktor që pakësoi eksportet e Bashkimit Evropian me 28 për qind. Ndërsa në Shqipëri i rriti ato, i rriti ndjeshëm. Nuk mund të them që nuk kishte dizavantazhe, por edhe Banka ndërhyri me interesat dhe, për mendimin tim, bëri ndërhyrje shumë të goditur”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri siguroi më tej se vitin e ardhshëm do të vazhdojnë angazhimet e qeverisë. Berisha foli për projektet e mëdha në infrastrukturën rrugore, si ndërtimin e Rrugës së Arbrit, Boshtin e Jugut, boshtin Qafë-Plloçë - Qukës dhe sapo të përfundojë projekti do të fillojë trajektorja më e shkurtër Tiranë - Elbasan për të bërë realitet, sa më shpejt të jetë e mundur, një ëndërr të fortë, të fuqishme, të drejtë dhe legjitime të qytetarëve të Elbasanit, për të ardhur në kryeqytetin e tyre në një kohë 20-25 minuta dhe për të ndjerë afërsinë gjeografike që kanë me kryeqytetin, por që i pengonte mali i Kërrabës. “Tani do të jetë tuneli, i cili afron qytetin e Elbasanit, qytetin e dytë më të madh të vendit, me Tiranën, por afron dhe Korçën, Librazhdin, Pogradecin dhe pasi të ndërtohet Boshti i Jugut, afron dhe Beratin, Tepelenën, Delvinën, Sarandën, Gjirokastrën me kryeqytetin e tyre dhe na bën të mundur të mbajmë dhe zotimin tonë që Tirana të arrihet me më pak se gjysmën e kohës që arrihet tani nga çdo pikë e vendit. Mendoj se në këtë mënyrë ndikojmë fuqishëm në procesin e zhvillimit të vendit”, - tha z. Berisha. Ky buxhet, sipas tij, do të mbështesë arsimin, reformën e thellë dhe të gjithanshme të sistemit arsimor, do të mbështesë moshën dixhitale dhe se infrastruktura tërësore e zonës bregdetare do të përfundojë brenda vitit 2010.