E Diel, 1 Nëntor 2026

KiE: Opozita të mos bojkotojë zgjedhjet lokale



Këshilli i Evropës nuk pajtohet me bojkotin që opozita shqiptare i ka bërë Kuvendit pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Presidenti i Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Evropës, Ian Micallef, vizitoi dje Shqipërinë, ku u takua me personalitetet më të larta të vendit: Presidentin Topi, Kryeministrin Berisha e kryetarin e PS-së, Rama. Kryeministri i vendit i bëri me dije Presidentit Micallef për masat e marra nga qeveria shqiptare dhe rezultatet e arritura, të cilat bënë të mundur që për herë të parë Shqipëria të vlerësohet nga Watchdog-u OSBE/ODIHR si vendi që plotësoi standardet kryesore të saj për zgjedhjet. Presidenti Micallef, duke ndarë të njëjtin mendim me Kryeministrin Berisha për të gjitha zhvillimet pozitive në Shqipëri, theksoi: “E shikojmë me shqetësim dhe skepticizëm një përpjekje nga ana e opozitës për të krijuar mosbesim në klimën politike, e cila nuk i përputhet dhe as i shërben realitetit që ekziston sot në Shqipëri, për sa i përket standardeve evropiane”. Ai vuri në dukje se opozita po krijon klimë mosbesimi në politikë, ndaj ai bëri thirrje për dialog. “Ne kemi rënë dakord me qeverinë se ne do të jemi të ftuar si kongres për të monitoruar zgjedhjet lokale të 2009-s, jo sepse kemi ndonjë dyshim lidhur me procesin elektoral në këtë vend, por sepse duam të jemi këtu të shikojmë mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet”, - deklaroi Micallef.

Duke iu drejtuar opozitës, ai tha se duhet të respektohet ligji. “Opozita ka të gjitha të drejtat dhe në rast se kjo e drejtë ekziston, të kthejë në çështje gjyqësore e ta lërë gjykatën të vendosë, sepse në një vend demokratik duhet të zbatohet pushteti i ligjit dhe për Këshillin e Evropës, zbatimi i ligjit është një vlerë thelbësore”, - tha ai. Presidenti i Kongresit Vendor të KiE-së tha më tej se vendi ka bërë hapa para. Sipas tij, palët duhet të dialogojnë më tej për të pasur një bashkëpunim politik mes tyre, duke iu larguar rrugës së bojkotit. “Unë mund të them se ka pasur zhvillime në aspektet politike në Shqipëri. Sigurisht që ne duhet të vazhdojmë punën tonë për zhvillimin politik në këtë vend, por gjëja më e rëndësishme që mund të them, është ajo që duhet të arrihet një vullnet politik, një dialog për të vazhduar më tej, nga qeveria. Apeli im është se, siç e kam thënë, kur kam qenë këtu në 2007-n në zgjedhjet lokale, dialogu politik është mënyra më e mirë për partitë politike për të zgjidhur çdo çështje që mund të kenë”, - tha më tej Presidenti i Kongresit Vendor të KiE-së. Ai informoi se KiE do të monitorojë zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit dhe vlerësoi hapat në infrastrukturën zgjedhore. “Besoj se kur krahasojmë Shqipërinë me vendet e tjera të BE-së, konstatojmë se është bërë shumë lidhur me regjistrimin e votuesve dhe me listat e zgjedhjeve. Në këtë mënyrë kemi mjete elektronike dhe në rast se ato janë aplikuar, Shqipëria është një ndër vendet që ka arritur shumë brenda një kohe të shkurtër, një përmirësim kur bëhet fjalë për identifikimin e votuesve, i cili është edhe aspekti më i rëndësishëm me të cilin duhet të përballesh në një proces elektoral”, - vlerësoi ai. Presidenti i Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale në KiE foli më tej për procesin e decentralizimit, për të cilin ai vlerësoi se ka pasur hapa para. “Procesin e decentralizimit në Shqipëri e kam diskutuar me qeverinë e po ashtu me opozitën. Shoh që gjërat po ecin me një trend pozitiv. Ka çështje të tjera me të cilat politika duhet të përballet dhe ato të gjejnë zgjidhje. Ne do të shohim problemet bazuar në procedurat që kemi në Këshillin e Evropës dhe do të raportojmë në rast se do të kemi diçka që do të na duhet ta raportojmë. Por, për momentin, ka pasur vetëm zhvillime pozitive”, - vlerësoi Presidenti i Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Evropës, Ian Micallef.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›