E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, Topalli e Meta: Toleranca fetare, thesar i rrallë për Shqipërinë



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryetarja e Kuvendit, Topalli, dhe ministri i Jashtëm, Meta, pritën dje në takime të veçanta Patriarkun e Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Teodorin II. Në takime u vlerësua toleranca fetare e Shqipërisë. Patriarku i Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Fortlumturia e Tij, Teodori II, pasi shprehu mirënjohjen për pritjen edhe në emër të delegacionit që e shoqëronte, vuri në dukje rëndësinë e shembullit të rrallë e të vyer që ofron Shqipëria për sa i përket bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare. Sipas Topallit, toleranca fetare mbetet një thesar i çmuar për Shqipërinë që e ka kthyer në një vend model. “Kjo harmoni është një aset i yni, - tha ajo, - dhe ne ndihemi krenarë për këtë vlerë të çmuar”. Duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë, Patriarku i Aleksandrisë bëri përgëzimet e tij për progresin e arritur nga Shqipëria. “Ju përgëzoj për hapat e mëdhenj që Shqipëria ka bërë, - tha Primati i Kishës Aleksandrine, - dhe gjithashtu jam i lumtur që takohem me ju, pasi personaliteti juaj është tepër i njohur për veprimtarinë aktive në këto vite”, - tha Patriarku i Aleksandrisë. Topalli vlerësoi kontributin e Kishës Ortodokse në Shqipëri dhe rolin e veçantë të Kryepeshkopit Anastas, jo vetëm për punën e tij në përçimin e vlerave humane, por edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me përfaqësuesit e besimeve të tjera fetare. Patriarku i Aleksandrisë la shënimin e tij në “Librin e shënimeve” të Kuvendit të Shqipërisë dhe shprehu dëshirën për një vizitë të kryetares së Kuvendit në Aleksandri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›