E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Heqja e vizave në rajon nxit dialogun

 Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta theksoi dje se heqja e vizave për vendet e rajonit nxit dialogun mes popujve dhe rrit mundësinë për shkëmbimin e kulturave. Kreu i diplomacisë shqiptare ishte i pranishëm në Konferencën e Parë të Ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore për Aleancën e Qytetërimeve, në Bosnjë Hercegovinë. Në fjalën e tij Ilir Meta, theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë mirëkuptimi dhe dialogu ndërkulturor në funksion të një shoqërie të shëndetshme dhe shumëkulturore. “Meta bëri thirrje për një veprim politik më të shënjestruar dhe të koordinuar në rajonin tonë, çka do t’i shërbente paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajonin e Evropës Juglindore, por në të gjithë Evropën”, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Gjithashtu, Meta mori pjesë në takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut  (A-5). Ministri i Jashtëm përshëndeti vendimin e NATO-s për përfshirjen e Malit të Zi në Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP), si dhe shprehu mbështetjen e Shqipërisë për aspiratat e Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës drejt integrimit të plotë në Aleancë. Meta theksoi gjithashtu, shtimin e konsiderueshëm të kontributit të Shqipërisë për operacionin ISAF në Afganistan gjatë vitit 2009 dhe angazhimin e vendit tonë për kontribute të mëtejshme, me qëllim arritjen e objektivave të NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar në Afganistan, përfshi këtu edhe propozime konkrete për kontribute të përbashkëta të vendeve të Kartës së Adriatikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›