Karamanlis, pro një emri të përbërë për Maqedoninë
Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, ka vlerësuar se pasaporta e Maqedonisë për anëtarësimin në strukturat euro-atlantike, duhet të jetë një emër i përbërë, me referencë gjeografike, që do të përdoret kundrejt të gjithëve dhe jo vetëm në marrëdhëniet me Greqinë. Karamanlis shfrytëzoi rastin t’u drejtonte një mesazh të ri fqinjëve në anën tjetër të kufirit dhe t’u kujtonte se rruga e anëtarësimit të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike kalon nga gjetja e zgjidhjes në mosmarrëveshjen për çështjen e emrit. Kryeministri grek tha më tej se tashmë është momenti që udhëheqja e vendit fqinj të heqë dorë nga devijimet, zvarritjet dhe idetë sterile fikse të së kaluarës. “Është momenti i zgjedhjes, larg fanatizmave, nacionalizmave dhe urrejtjes nacionale”- theksoi ai. Diplomacia greke u është bashkuar vlerësimeve pozitive për ecurinë e procesit gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe lokale në Maqedoni. Pala greke ka vlerësuar veçanërisht edhe deklaratën e sekretares amerikane të shtetit Hilari Klinton se ajo e sheh si krejt të arsyeshme gjetjen e zgjidhjes mbi bazën e një emri të përbërë, dhe se të dy palët duhen inkurajuar për një zgjidhje.
Trazirat në Tajlandë, bomba Ministrisë së Arsimit
Kryeqyteti tajlandez Bangkok është përfshirë dje nga protestat. Protestuesit antiqeveritarë i vunë zjarrin Ministrisë së Arsimit, duke hedhur bomba molotov në ndërtesën e saj. Në zonën rreth Ministrisë u përqendrua një numër i madh forcash policore, që përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë turmat e njerëzve. Dëshmitarët thanë se u dëgjuan edhe të shtëna me armë zjarri. 24 orë pas shpalljes së jashtëzakonshme, Bankgoku u përfshi nga përleshjet e kemishëkuqve dhe kemishëverdhëve ku u plagosën 74 vetë. Partia kryesore e opozitës Puea Thai, i kërkoi kryeministrit të thërriste mbledhjen urgjente të parlamentit për të gjetur një rrugëdalje për krizën. Ndërsa shumë turistë u larguan nga Bangkoku ku u anuluan festimet për vitin e ri tajlandez, qeveria njoftoi marrjen e masave për të garantuar sigurinë në porte, aeroport dhe ndërtesat kryesore në vend.
14 Prill 2009