E Diel, 1 Nëntor 2026

Decentralizimi, vetëm sipas Planit ‘Ahtisaari‘

Decentralizimi në Kosovë do të realizohet sipas Planit të ‘Ahtisaarit‘ dhe ligjeve të Kosovës. Kështu u kanë konfirmuar përfaqësuesve të serbëve lokalë shefi i ICO-së, Piter Feith, dhe ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.

Nga ana tjetër, përfaqësues të partive politike serbe dhe organizatave joqeveritare nga Graçanica kanë kërkuar, pas këtij takimi me përfaqësuesin civil ndërkombëtar dhe ministrin Ferati, disa ndryshime në planin e ‘Ahtisaarit‘, në dispozitat ku flitet për decentralizimin. Një kërkesë e tillë është refuzuar nga Feith dhe Ferati, të cilët thanë se mund të ketë fleksibilitet, por jo edhe ndryshim të këtij plani, tashmë dokument bazë i statusit dhe Kushtetutës së Kosovës. Feith tha se takimi me serbët nuk ka të bëjë me rinegocimin e Planit të ‘Ahtisaarit‘, por me informimin e tyre për procesin e decentralizimit dhe formimin e komunave të reja.

"Ka ende mungesë besimi. Por, mendoj se brenda serbëve ka vullnet që të shikojnë kah e ardhmja, e ardhmja në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian", tha Feith. Ai shtoi se gjithmonë ka vend për fleksibilitet, nëse bëhet fjalë për detaje në lidhje me formimin e komunave të reja. "Të gjithë jemi të hapur që të bisedojmë. Por, kjo nuk nënkupton hapjen e negociatave që tashmë janë mbyllur nga presidenti Ahtisaari", tha ai.

Ndërkohë, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tha se decentralizimi është në të mirën e komuniteteve, sidomos atij serb. Kërkesat e serbëve për ndryshime në Planin e Ahtisaarit, ai i cilësoi të papranueshme. "Të gjithë ata që kërkojnë përjashtime nga Pakoja e presidentit Ahtisaari janë qëllimkëqij, ngase kjo pako duhet të implementohet në tërësi dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës, dhe është një projekt, për nga kualiteti, shumë i mjaftueshëm, që do të sigurojë komuna të fuqishme dhe realizimin e interesit të të gjithë qytetarëve", tha Ferati.

Rangjel Nojkiç, një përfaqësues politik i serbëve që bojkotojnë institucionet e Kosovës, tha se pjesa më e madhe e këtij komuniteti mbështet Beogradin, sipas të cilit, decentralizimi nuk mund të zhvillohet sipas Planit të Ahtisaarit. Plani i Ahtisaarit nuk ofron decentralizim përmbajtjesor dhe këtë qëndrim ne ia kemi prezantuar edhe presidentit Ahtisaari qysh në fazën e negociatave. Ndryshe nga Nojkiç, Bojan Stojanoviç, shef i Grupit Parlamentar të Partisë së Pavarur Liberale, që merr pjesë në punën e qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, tha se është në interesin e serbëve që të pranojnë decentralizimin.

Me Planin e Ahtisaarit parashikohet formimi i pesë komunave të reja me shumicë serbe. Një nga parakushtet për formimin dhe instalimin e organeve komunale në këto komuna, mbetet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale, të parapara për vjeshtën e këtij viti. Takimi i djeshëm ishte një prej takimeve që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim sigurimin e pjesëmarrjes aktive të serbëve në proceset politike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›