E Diel, 1 Nëntor 2026

Zanier: Kosova po zbaton pjesë të Planit 6-pikësh

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, tha në një takim me gazetarë, se ky plan në fakt ka ekzistuar vetëm deri në muajin nëntor të vitit të kaluar. "I ashtuquajturi plani gjashtëpikësh është diçka që ka ekzistuar deri në nëntor dhe kishte për bazë letrën e qershorit të sekretarit të Përgjithshëm. Pas nëntorit, kemi një axhendë të zgjeruar. Dhe, këtë axhendë e ka zgjeruar raporti që Këshilli i Sigurimit ka miratuar dhe përmban shumë elementë të tjerë, si rikonfigurimi, ardhja e EULEX-it, 6-pikëshi, por edhe 4-pikëshi që iu bashkua më pas", theksoi Zanier.

Por, ai vetë ka ngjallur dilema nëse plani është ende ekzistent, kur ka lënë të kuptohet se Prishtina po zbaton pjesë të Planit, që ajo e pati quajtur "të vdekur". "Shoh zhvillime në fushat që janë mbuluar nga i ashtuquajturi Plan gjashtëpikësh. T‘u jap një shembull: kam parë që autoritetet e Kosovës u japin rol më të madh përfaqësuesve të pakicave në polici. Mendoj se kjo është gjë e mirë. Edhe pse kjo nuk ndodh për shkak se po zbatojnë një pikë të Planit, por po shkohet në drejtim të duhur. Në Beograd ka ankesa se pse kjo ka ndodhur pa konsultime", tha Zanier.

Ndërkaq, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, sërish i ka bërë me dije Zanierit se UNMIK-u duhet ta përmbyllë misionin në Kosovë. Por, vetë shefi i UNMIK-ut thotë se nga ky mision, që në muajin qershor do të shkurtohet në një staf prej 500 vetash, ende mund të përfitojë Kosova, si në raportet mes saj dhe atyre organizatave apo shteteve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë.

Sidoqoftë, Zanier pranon se çdo ditë ka elemente të reja që po ndikojnë në misionin tashmë të rikonfiguruar të UNMIK-ut.

"Procesi i njohjes po vazhdon. Këshilli i Sigurimit, edhe pse i ndarë, nuk po rezulton me kundërthënie të mëdha për Kosovën. Në anën tjetër, është procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mendoj se ia kemi dalë të përcjellim zhvillimet në një formë që politikisht nuk rezulton me kundërthënie ekstreme, edhe pse dallimet mbeten". "Ky tranzicion është dinamik. Ka njohje të reja, ka hapa të rinj në GJND, pra ka elementë të rinj që po vijnë dhe ndikojnë në rolin e OKB-së", thekson ai, duke theksuar faktin se Beogradi po njeh mekanizmat e BE-së në Kosovë. Vizita e Boris Tadiçit në Kosovë dëshmoi se edhe Beogradi "injoroi" praninë e UNMIK-ut, duke njoftuar për vizitën përfaqësuesin e BE-së në Beograd dhe jo atë të OKB-së. "Jam shumë i kënaqur me këtë, sepse me këtë veprim Beogradi pranoi se EULEX-i është duke vepruar nën Rezolutën 1244. Mendoj se është gjë e mirë që zyrtarët e Beogradit bashkëpunojnë direkt me BE-në dhe nuk shohin nevojën që unë të transferoj letra nga njëri te tjetri, që në rrethana të tjera do të duhej ta bëja", tha Zanier.

Ai shpjegoi se tashmë të gjitha kompetencat në fushën e sundimit të ligjit, UNMIK-u ia ka bartur EULEX-it, përderisa mbeten disa çështje në fushën e raporteve ndërkombëtare, me të cilat ende merret UNMIK-u: "Për shembull, Tribunali i Hagës. Kam qenë në Hagë për të shpjeguar rolin e EULEX-it nën 1244-shin, për t‘i inkurajuar për të bashkëpunuar direkt me EULEX-in. Ne kemi transferuar tashmë dosjet për krime lufte, por disa nga prokurorët ende kërkojnë që të punojnë me UNMIK-un".

"Mendoj se është çështje kohe. Interpoli vazhdon të komunikojë me ne. Mendoj se me kohë, sikur vetë pala serbe, këto organizata do të bashkëpunojnë direkt me EULEX-in", tha Zannier, i cili qartësoi se në secilin takim ku ftohet të marrë pjesë, ka bërë të ditur se më nuk mund të flasë në emër të Kosovës, por mund të jetë një mekanizëm që lehtëson bashkëpunimin mes Kosovës dhe atyre që nuk njohin ende pavarësinë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›