E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qemali dhe shpallja e pavarësisë

 

Pas zgjedhjes si deputet i Sanxhakut të Beratit në Parlamentin osman, Ismail Qemali, pati mundësi të angazhohet më shumë me punë patriotike. Duke qenë deputet ai kishte mundësinë të ngrinte zërin për të mbrojtur interesat e shqiptarëve. U dallua si organizator i kryengritjeve antiosmane të viteve 1910-1912. Së bashku me Luigj Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi memorandumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të 1912. I ngarkuar nga rrethet patriotike të vendit shkoi në Stamboll për ta bindur qeverinë osmane t’u jepte shqiptarëve autonominë. Më 19 nëntor 1912 njoftoi në atdhe se do të shpallej pavarësia nga Kuvendi Kombëtar që do të mblidhej për të vendosur mbi të ardhmen e vendit. U kthye me bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri. Në Vlorë kryesoi mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.
U caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme, e cila u rrëzua në janar 1914. Vitet e fundit të jetës së tij të kaluara në mërgim Ismail Qemali i përdori në dobi të çështjes shqiptare.

Aktivitete në 97-vjetorin e pavarësisë
Sot shqiptarët festojnë 97-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Aktivitetet kanë ditë që kanë nisur, por sot pritet një atmosferë edhe më festive. Gjatë ditës do të ketë aktivitete të ndryshme artistike në qendër të Tiranës. Një ndër ta është koncerti jubilar “Përkujtimi”, organizuar nga TKOBAP në bashkëpunim me studentë të Akademisë së Arteve dhe Orkestrën Simfonike të RTSH, do të ketë shfaqje filmash shqiptarë, por edhe mundësi të vizitosh Galerinë Kombëtare të Arteve pa biletë. Gjithashtu, në orën 18.00 parashikohet një koncert me këngë të muzikës së lehtë në Sheshin “Skënderbej”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›