E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urbanët, tani gjoba edhe për kondicionerët

 

zirina llambro
Për herë të parë sanksione të qarta. Gjoba të përcaktuara mirë, për një gamë të gjerë shkeljesh në transportin kombëtar.
Variojnë nga 1500-5000 lekë. Ndërsa me ligj janë vendosur rregulla të detyrueshme për t’u zbatuar, për shkelësit deri tani s’ka pasur penalizime konkrete. Për rrjedhojë, cilësia si në transportin publik, por edhe nga subjektet private që e ofrojnë këtë shërbim, lë tërësisht për të  dëshiruar. Autobusë që mbajnë era qen dhe të vjen ndot ku të vësh duart. Të mbytur nga zhuli e papastëritë. Për të mos folur për ventilim dhe ajrosje, të cilat mijëra qytetarë të Tiranës deri tani i kanë ëndërruar. Mbi të gjitha, në pikun e verës ku çdo ditë të zënë sytë dikë që i bie të fikët brenda urbanëve, ku djersa të pikon çurg mundimshëm. Me të tilla kushte detyrohen të lëvizin çdo ditë. U duhet të durojnë arrogancën e fatorinove dhe të shtypen e ngjishen pasi shoferi nuk lëviz pa u tejmbushur mjeti. Në sfond që në pikë të mëngjesit, mund të dëgjosh edhe pak “tallava” e në guxon të kërkosh të ulet pak zëri i magnetofonit të pret një ulërimë. Për fat të keq shoferët me rregullat e reja nuk do të frymëzohen më as nga këngëtare seksi, fotot e të cilave i ngjisin në ballinën e brendshme, e as nga “Palomat” e “Mariat”, apo personazhe të tjera telenovelash. Foto të këtij tipi s’do të lejohen më në urbanë. Ankesat kanë vite që ngrihen, por askërkush nuk e ka vënë ujin në zjarr. E gjithë kjo në një kohë kur sidomos linjat brenda qytetit janë një biznes jo pak fitimprurës..
Sanksionet e reja
Por, më në fund një lajm i mirë. Projektvendimi i fundit për “Vendosjen e gjobave në vend për shkeljet e kryera në fushën e transportit rrugor”, i cili pritet të kalojë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ka në fokus detajimin e shkeljeve dhe sanksionet përkatëse. “Në këtë mënyrë do të rriten standardet e këtij shërbimi dhe cilësia e tij”, bën me dije Bashkia e Tiranës, që ka bërë propozimet përkatëse. Objekt i zbatimit të këtij vendimi do të jetë transporti në linjat qytetëse dhe ato ndërmjet qarqeve, shërbimi taksi, agjencitë e transportit të udhëtarëve, transporti i mallrave për të tretë dhe me qira. Të gjitha subjektet që ofrojnë këtë lloj shërbimi do të jenë  të detyruar që të zbatojnë rregullat e vendosura. Në të kundërt do të gjobiten për secilën shkelje. Mungesa e pastërtisë së mjetit, mosvënia në funksion e ventilimit, përdorimi me tone të larta të radiove dhe magnetofonave, janë disa prej tyre. Gjithaq do të jetë kusht që të mos merren më udhëtarë jashtë kapacitetit të përcaktuar në lejen e qarkullimit. Fatorinot dhe shoferët duhet të pajisen me uniforma ku të jetë stampuar stema e institucionit të Bashkisë së Tiranës, si dhe emri i subjektit transportues. Mosvënia e mbishkrimit, lidhur me dyert dhe dritaret e emergjencës, “dalje emergjence” do të ketë sanksionet përkatëse. Për taksitë do të jetë e detyrueshme vendosja e licencës në një vend të dukshëm. Sakaq mospajisja e mjetit me tabelë, ngjyrë, stemë dhe shenjat e tjera dalluese do të ketë gjoba të kripura. Sa i përket agjencive të transportit të udhëtarëve, ato duhet të përcaktojnë në bileta numrin përkatës të vendit ku do të ulet udhëtari. Gjithaq duhet të afishojnë oraret të nisjes, të mbërritjes dhe ndalesave gjatë rrugës.

Jashtë përdorimit 19 autobusë
Një tjetër propozim në Këshillin Bashkiak, që lidhet me transportin. Janë 19 autobusë, të cilët në vendimin përkatës kërkohet të nxirren jashtë përdorimit, pasi nuk plotësojnë kushtet tekniko-ekonomike. “Të nëntëmbëdhjetë mjetet të ndërmarrjes, parku i transportit urban të udhëtarëve Tiranë, pas verifikimi plotësojnë kërkesat ligjore, për t’u nxjerrë jashtë përdorimit”, thuhet në relacion. Në fakt propozimi për vendosjen e sanksioneve, në mënyrë që të ofrohet një shërbim cilësor, është një hap mjaft pozitiv. Por nuk dihet si do të zbatohet ky vendim pas miratimit, pasi pjesa më e madhe e autobusëve, sidomos në linjat brenda qytetit janë tejet të amortizuar. Thuajse të asnjë  nuk ka sistem ventilimi e nuk ka lavash që i merr përsipër t’i përshtasë disi me kushtet normale. Ndoshta për këtë pjesë do të mendojnë vetë operatorët privat që ofrojnë shërbimin, të cilëve nuk do t’i leverdisin gjobat që do të marrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›