Zeqo: Mos i besoni Gjikës, sepse po flet nga spitali!
Pas fjalëve të Shpëtim Gjikës, reagon menjëherë presidenti Agim Zeqo, i cili deklaron se presidenti vlonjat është një tifoz i sëmurë
Qysh pas përfundimit të takimit Skënderbeu-Flamurtari, përfunduar me shifrat 4-1 për kampionët, të gjithë mediat kanë filluar akuzat dhe kundërakuzat midis dy kampeve. Vlonjatët nga ana e tyre mbrojnë versionin se ndeshja duhet të ishte shtyrë pas goditjes së gjyqtarit, ndërkohë që nga ana tjetër, korçarët pohojnë se e mundën bindshëm Flamurtarin, madje nuk kishte asnjë problem edhe pse gjyqtari u ndërrua.
Gjithsesi, verdiktin e fundit pritet ta japë Komisioni i Disiplinës, ndërkohë që edhe pse nga spitali, presidenti i vlonjatëve, Shpëtim Gjika, ditën e djeshme ka hedhur një akuzë për korçarët dhe veçanërisht për presidentin e Skënderbeut, Agim Zeqo. Duke parë reagimin e Gjikës, që nuk pati mundësi të ishte i pranishëm në stadium, Zeqo i ka kthyer një përgjigje nëpërmjet Sportit shqiptar, në të cilën do të theksonte:
Së pari, dua të them se nuk duhen marrë dhe nuk duhet ti marrë askush seriozisht thëniet e Shpëtim Gjikës nëpër media. E para, sepse është pa qejf dhe ndodhet në spital dhe, e dyta, sepse ai ësht një tifoz i sëmurë dhe ka folur po si tifoz edhe nëpër media dhe jo si president. Ne të gjithë e kemi parë se çfarë është në gjendje të bëjë Gjika në momentet e mërzitjes, kur është duke humbur skuadra e tij, teksa ka hyrë edhe në fushën e lojës njësoj sikur të jetë pronar stadiumi apo fushe.
Këto veprime, besoj se jeni në një mendim me mua, që i bën vetëm një tifoz i sëmurë. Ne, ndryshe nga Gjika, asnjëherë nuk kemi tentuar të prishim lojën dhe ky është një realitet. Vitin që kaloi të gjithë po e mbani mend që një stadium i tërë në Vlorë na hodhi mbi kokat tona të gjitha stolat, duke ju rrezikuar jetën lojtarëve dhe stafit të Skënderbeut.
Gjika minimumi që mund dhe duhej të bënte ishte që ti kërkonte një të falur të madhe klubit tonë në emër të klubit të Flamurtarit, për atë mikpritje që na ofroi, por as që mori guximin ta bënte një gjë të tillë. E kundërta ka ndodhur dhe ndodh gjithmonë në Korçë. Asnjëherë të vetme lojtarët dhe stafi i Flamurtarit nuk janë kërcënuar, apo dhunuar nga ne, ashtu siç ka qenë edhe ndeshja e fundit që ne zhvilluam në fushën e Pogradecit, superkorrekte.
Problemi është se njerëzit që paguan Gjika në klubin e vet, tallen me të, duke hedhur poshtë gjithë investimin që ai bën dhe e vetmja zgjidhje që ata i ofrojnë klubit të tyre në momentin kur po e shikojnë që po humbasin, është të prishin lojën medoemos, në vend që ta jutifikojnë veten në fushën e lojës. Jam i sigurt që Gjika, po të ishte intervistuar jo në momentin pasi përfundoi ndeshja, por 2-3 ditë pas saj, nuk do të fliste në atë mënyrë.
Në atë mënyrë që ka folur ai, mund të them se ka folur tifozi Gjika dhe jo kryetari Gjika. Pavarësisht të gjithave çfarë kanë ndodhur, i uroj Shpëtimit shërim të shpejtë, se edhe pa tifozllik fare, nuk ka lezet ky sport, që quhet futboll, – përfundon deklaratën e tij presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo.
