Dhunë për presidentin, fiton Alban Zeneli
Asambleja Zgjedhore në Federatën Shqiptare të Mundjes ofroi përsëri skena dhune. Por, këtë herë, ndryshe nga zgjedhjet e datës 21 nëntor 2008, është përcaktuar drejtuesi i ri i këtij institucioni. Ai që do të drejtojë këtë sport në katër vitet e ardhshme do të jetë biznesmeni Alban Zeneli. Shkak për dhunën u bënë qëndrimet e palëve kundërshtare. Sekretari i FSHM-së, Viron Bezhani, pretendonte se qëllimi i kësaj mbledhjeje ishte miratimi i statutit tip të hartuar nga MTKRS, ndërkohë që "rivalët" e tij e kundërshtonin, me tezën se në procedurat e Asamblesë kishte parregullsi. Kontestimet e ashpra bënë që situata të degjeneronte deri në përplasje fizike. Në formë proteste, sekretari Bezhani u largua nga Asambleja, duke kërkuar ndërprerjen e punimeve, por trajnerët dhe presidentët vazhduan votimin, duke zgjedhur Zenelin si drejtues të ri.