E Diel, 1 Nëntor 2026

Defekt në avionin me 100 pasagjerë, 70 min në ajër

 Një avion i shoqërisë Albanian Airlines bëri dje ulje emergjente në Rinas pak minuta pasi ishte ngritur në fluturim në drejtim të Torinos në Itali. Sipas policisë avioni ka kërkuar ulje emergjente në aeroportin e Rinasit vetëm pak minuta pasi kishte lënë pistën me rreth 100 pasagjerë në bord. Avioni i përfshirë në incident, ishte një Boeing 757-200. Sipas protokollit të fluturimeve, udhëtimi i tij i djeshëm në drejtim të Torinos mbante numrin LV 252, nisja bëhej në ora 13:55 ndërsa mbërritja ishte planifikuar në ora 15:55 në Torino. Rreth 100 pasagjerë kanë hipur në avion normalisht dhe më pas ekuipazhi ka bërë përgatitjet e zakonshme për fluturim. Pasi avioni është ngritur nga pista dhe ka filluar të marrë lartësi, pilotët kanë konstatuar një problem dhe u kanë bërë me dije pasagjerëve se do të riktheheshin në Rinas. Më pas ata kanë hyrë në kontakt me Kullën e Kontrollit dhe kanë kërkuar leje ulje emergjente në Rinas. Burime të kompanisë por edhe nga policia e aeroportit, kanë thënë se avioni u rikthye në pistë për furnizim me karburant pasi pilotët kishin konstatuar mungesën e tij. Defekt teknikNdërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil dha një variant tjetër në lidhje me ngjarjen. Drejtori i Përgjithshëm i DPAC, Ervin Mazniku është shprehur se avioni është rikthyer sërish në pistë pas një defekti teknik. Mazniku konfirmoi se pasagjerët e avionit nuk kanë pësuar asnjë dëmtim. Ndërkohë kompania Albanian Airlines ka bërë me dije se 100 personat që ishin nisur në drejtim të Torinos, do të fluronin me avionin e radhës në këtë destinacion. Për ditën e djeshme në protokollin e udhëtimeve për Albanian Airlines nuk ishte planifikuar fluturim tjetër në këtë linjë, veç atij të kthimit. Ky fluturim do të bëhej një orë pas mbërritjes së avionit në Torino, pra nisja nga Italia ishte planifikuar në ora 16:55 dhe mbërritja në Tiranë në ora 18:55. Kompania ka thënë dje se piloti i avionit Boeing 757-200 ka konstatuar në kohë defektin teknik dhe ka kërkuar rikthimin e avionit. Sipas kompanisë udhëtarët do të transportoheshin në Itali me avionin e radhës. Pas rikthimit të avionit në pistë pasagjerët që ndodheshin ne bord janë vendosur në zonën e tranzitit duke pritur udhëzimet për veprimet që do të kryenin.70 minuta "në ajër"Avioni i cili duhej të nisej dje në ora 13:55 sipas pasagjerëve është ngritur nga Rinasi me një vonesë të konsiderueshme. Fluturimi ka ecur normalisht derisa kanë kaluar 30 minuta. Në këtë kohë pilotët kanë konstatuar se diçka nuk shkonte me avionin dhe kanë vendosur të kthehen në Rinas. Ata kanë mbajtur avionin edhe për 40 minuta të tjera në ajër me qëllim konsumimin e karburantit. Kjo është bërë me qëllim që gjatë uljes në rast problemi apo incidenti, në serbratorët dhe depozitat e avionit të mos kishte lëndë djegëse.                               tr.soAir Sllovakia: 10 punonjës bllokuar në TiranëRadio Sllovakia ka transmetuar dje një deklaratë të kompanisë e cila ka në pronësi avionin boeing 737-333 i cili të dielën u përfshi në incidentin e devijimit të fluturimit nga Bolonja për në Bratislava. Air Sllovakia ka thënë se pas këtij incidenti dhjetë punonjës të saj pjesë e ekuipazhit të një avioni tjetër janë "bllokuar" në Tiranë. Ata po qëndrojnë në një hotel në kryeqytet ndërsa kjo besohet të ketë ndodhur pas mosmarrëveshjeve mes dy kompanive. "Dhjetë punonjës janë në pritje të zgjidhjes së konflikteve në një hotel në Tiranë", ka thënë Air Sllovakia. Kjo e fundit i ka kërkuar personelit të saj të largohet nga Tirana pas incidentit të devijimit të avionit me 110 pasagjerë por kjo nuk ka ndodhur për "arsye teknike".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›