E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e radhës: Rama flet, Edi duartroket!

Agim Xhafka Opozita, nga tubimi në tubim, po tregon mpakjen e vet. Tamam si dhëmbët e plakës, po shfaqet nëpër sheshe. Një katror plot me njerëz këtu e më tej një boshllëk i madh. Këtë me  siguri e kanë vënë re të gjithë ata që shohin sa më shumë ekrane. Jo vetëm ata të blerët prej Edvinit. Sidomos kur ka filmime nga lart, një grusht njerëzish dhe janë shumë Ky është sinjali nga votuesit e majtë; braktisje e protestave dhe mitingjeve të shumta. Po në të vërtetë pse po ndodh një gjë e tillë? Pse s‘po qëndrojnë pranë opozitës të paktën ata që votuan për të?Së pari, mungon kauza që përbën thelbin e çdo proteste. Sa më e madhe të jetë ajo, aq më shumë ka pjesëmarrje, emocion, entuziazëm, tregues se e vërteta gjendet te këta njerëz. Ndërsa hapja e kutive është një çështje që njeriut të thjeshtë, qytetarit, fshatarit, nuk i jep frymëzim. Se vërtet-vërtet dihet, dhe pa u hapur gjë, se vjedhja e votave është bërë nga të dy të mëdhenjtë, ndaj ligjërimi i saj nuk sjell asgjë prej gjëje në torbën e interesave të tubuesve. Ndaj pakësohen rreshtat e bie shpirti kundërshtues.Së dyti, kushdo e vëren se opozita po mblidhet në sheshe nga që kryetari i tyre ka shkelur statutin se humbi zgjedhjet e nuk u dorëhoq. Prandaj, që të shuhet zullumi i tij e sidomos të dobësohen zërat e arsyeshëm të së majtës, ngrihen në këmbë si parti në protesta. Shkurt: Rroftë humbësi kryetar! Ose: Na rrofsh ti që s‘fitove!Por kjo gjë është kaq e përtypshme dhe e qartë sa njerëzit ia kanë varur torbën këtij palo kryetari, që nuk pyet as për statutin të cilin e ka shkruar vetë, andaj rrinë në shtëpi. Shohin Edvinin që sokëllin nga podiumi i radhës e me vete lëshojnë lehtë fjalën e urtë: Virgjëria nuk rifitohet! Po të humbë mos e kërko se s‘ke ku e gjen!Së treti, duke përjashtuar shallin e bukur të Ramës, mitingjet vuajnë veçanërisht e tërësisht nga idetë. Janë aq bosh e aq kot sa kryetema është ndonjë fjalë me cepa që Rama e shet për gjetje publicitare si: Arsyeja e forcës dhe forca e arsyes. Ose logjika e kutisë dhe kutia e logjikës. Ose e vërteta e vjedhur dhe vjedhja e së vërtetës. Një vërë në ujë, thotë populli shqip e shkurt.Kjo shterpësi fjalimesh vijnë ngaqë lidershipi i PS është i gjithi pa formim politik. Madje pa shkollim që të bëjë një punë të thjeshtë, jo më të drejtojë opozitën e vendit. Copë-copë janë nga formimi arsimor. Lavdërohen ose me shkolla marksiste, ose me shkolla pedagogjike ruse, ose me fragmente diplomash dalëboje, që po t‘ua bashkosh sot nuk i merr në punë as ndonjë furrë buke. Dhe këto kohë, kur brezi i ri shumica është arsimuar në perëndim.Ja merrni p.sh. Ramën. Ka të shkruar në CV që ka përfunduar studimet për Pikturë për një periudhë 3-vjeçare, pra tërë-tërë 27-mujore. Por në kohë të merhumit çdo vit iknin nga 3 muaj për zbore e aksione, pra 9 muaj ai i ka bërë ngritje e sistemim tarracash në bregdet. Atëherë i ngelën 18 muaj shkollë. Por nga kolegët e tij kemi mësuar se ai merrej me sport e në Akademi të Arteve vinte ndonjë ditë në javë për mësim. Shkurt Edvin Rama di pak basketboll, bën pak pikturë dhe di pakëz politikë. Kaq. Ndaj njerëzit e anës së majtë, më mirë rrinë në shtëpi sesa të dëgjojnë broçkulla nga të pashkolluarit që drejtojnë sot PS.Ose Doklen e dinë të gjithë se ka mësuar për agronom. Nga që bënte poezi ka bërë kurs për shtypin e Partisë. Pra një amalgamë që zor se e gjen në parti të tjera. Doni p.sh. për Ruçin? Ka studime për mësues histori-gjeografi-fizkulturë. As në Sahara apo në Kongo, Brazavil nuk ka arsimim të tillë qesharak, komik e lebetitës.Së katërt, kryetari i opozitës është kthyer në një Shef të mirëfilltë Kuadri sesa në një lider serioz. Me emërimin e shumë të rinjve, që pasi u caktuan deputetë pyesnin kambistët e rrugës se ku ishte godina e partisë që i ktheu në përfaqësues të popullit, u vendos një barrierë si Muri i Berlinit mes mbështetësve historikë të PS e liderit të ri, mbështjellë nga miq e shokë pa të shkuar politike, por dhe pa të ardhme të qartë.Këta ardhacakë si fillim u përdorën për sulm ndaj kujtdo që s‘ishte dakord me Ramën e së fundi, si forca mbrojtëse trupore nëpër pallatet pa leje që u mbollën mbi rrugë e nën rrugët publike nga kryebashkiaku i Tiranës. Tamam si Polici Antirregull.Kuptohet që këta gardistë i shërbejnë atij që u hedh kockën e jo votuesve të tradhtuar. Ndaj më shumë e më shumë do rrinë në shtëpi e nëpër mitingje do të ngelen pak nga ata që janë ose fis e farë me të zgjedhurit e rinj, ose të paguarit që mitingun e kanë si të ardhura në vend të asistencës sociale p.sh.Së pesti, njerëzit tashmë e dinë se sherri mes lidërve inatçorë bëhet për arsye personale dhe sidomos përfitimi. E dinë të gjithë se për 8 vjet opozita e sotme mblodhi vetëm 1 miliard euro buxhet. E dinë se sot grumbullohen 2 herë më shumë. Por e kanë kuptuar se 1-2 miliard euro dhe atëherë në Shqipëri ishin. Por që mbetën në xhepat e atyre që zotëronin pushtet. Të atyre që sot bëjnë mitingje vetëm të shtojnë ç‘të shtojnë mbi ato që kanë vjedhur. Ndaj njerëzit rrinë në shtëpi e jo në sheshe kurse nga tribuna, dëgjohen zëra për protesta pafund. Dhe përmendin 20 nëntorin si më masiven, duke harruar të thonë hapur se atë ditë nuk u bë tubim, por u organizua shumë mirë Dita e Madhe e Shpërndarjes së Rrogave për të ardhurit e shumtë me autobusë pa fund. Sa dëshmi të djathtësh kemi dëgjuar këto ditë. Ata ishin në shesh, ishin në mitingun e PS. Në fakt janë me PD, por na paguan e erdhëm, thanë. Si dhe shtojnë: Paret i morëm të gjitha, një më një, por nuk bërtitëm, asnjë fjalë nuk nxorëm! Miting madhështor s‘ke ç‘i thua!Dëshpërimi i drejtuesve të opozitës është i madh dhe i thellë. Por kanë fatin e keq se populli tashmë i njeh, ua di kërkesat e fshehura e ua njeh demagogjinë.Kjo është kaq e vërtetë sa e tregojnë çdo ditë pamjet e mitingjeve. Gjithnjë e më pak në to derisa në protestën e radhës do të ngjajë çudia që do vijë logjikshëm: Në podium Rama flet, në shesh Edvini duartroket!!!Dhe s‘ka se si të ndodhë ndryshe. Kjo është e paralajmëruar, por për ata që kanë arsye, logjikë, maturi e jo për inatçorët e liderët e politikës së rrugës e të konfliktit për kuletën e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›