E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porti i Peshkimit, sherr në KRRT

 DURRES/ OERD ULQINIKundër dëshirës së kryetarit Vangjush Dako, KRRT-ja e bashkisë futi për vendimmarrje në mbledhjen e ardhshme miratimin e sheshit për portin e ri të peshkimit. Ishin anëtarët e zgjedhur nga Prefektura dhe ata të Këshillit Bashkiak në këtë KRRT, të cilët arritën të fusin në axhendë investimin 15 milionë dollarësh, i cili rrezikon të digjet vetëm nga kundërshtimi që bën kryetari Dako. Me votat e tyre dhe të ligjit që shprehet se 1/3 e anëtarëve ka të drejtë të iniciojë një mbledhje vendimmarrëse KRRT-je, do apo nuk do kryetari, përfaqësuesit e Prefekturës i lanë të kuptojë Dakos se investimi arab nuk do të digjet. Nga ana e tij kryebashkiaku donte për peshkimin një diskutim në tryezë, por jo vendimmarrje, nisur nga fakti se ka një votë më pak se krahu i djathtë. Në këtë mënyrë debatet dhe tensioni zhvendosen në Durrës nga Këshilli Bashkiak tek KRRT-ja. I ulur në karrigen e kreut të KRRT-së së Durrësit, por pa pasur më forcën vendimmarrëse, kryebashkiaku Vangjush Dako është përpjekur deri në fund të bllokojë investimin prej 15 milionë dollarësh të Bankës Islamike për portin e ri të peshkimit. Demokratët dhe aleatët e LSI-së në qytet e cilësojnë rezistencën e socialistëve për të bllokuar investimin, si një dëm të madh ndaj ekonomisë kombëtare. Të këtij mendimi janë edhe mbi 1 mijë peshkatarë profesionistë të Durrësit, të cilët nuk kanë një vend ankorimi për anijet e tyre. Peshkimi është një binom i pandashëm i turizmit dhe ky investimi jo vetëm që do të fuqizonte dy sektorët më të rëndësishëm të qytetit, por do të hapte qindra vende pune si në fazën ndërtuese të portit, ashtu edhe pas përfundimit të tij. Duke përdorur “tezën ambientaliste”, se peshkimi ndot shëtitoren kryesore të Durrësit, Vangjush Dako propozoi ndërtimin e tij 12 km në veri të qytetit, në Porto-Romano. Por kusht i domosdoshëm për zbatimin e investimit milioner nga arabët është ngritja e këtij porti në perëndim të portit ekzistues (jashtë rrethimit të tij), në skaj të shëtitores bregdetare “Taulantia”. Një praktikë e tillë ku peshkimi vendoset në zemër të qytetit është mjaft e njohur në botë, por edhe në rajon, mjafton këtu të përmendim shembujt e Italisë apo të Malit të Zi. E thënë ndryshe, propozimi i Dakos për ndërtimin e Peshkimit në Porto-Romano do të thotë automatikisht bllokim të investimit dhe skadim të afateve. Në sallë pati reagime të forta pas deklaratës së Dakos se “për sa kohë të jem unë kryetar bashkie peshkimi nuk do të ngrihet në shëtitore!”. Indrit Hamiti, një anëtar i KRRT-së i zgjedhur nga lista e prefektit Genci Alizoti tha në takim se “ekziston një vendim i Parlamentit të vitit 2007, i cili ratifikoi me Bankën islamike investimin 15 milionë dollarësh dhe që duhet zbatuar deri në fund, pasi shpreh vullnetin e shumicës”. Por kundërpërgjigja e Vangjush Dakos ishte: “Por Durrësi ka zgjedhur edhe një kryetar bashkie, i cili i thotë Jo, këtij projekti që ndot mjedisin!”. Pas këtyre debateve të forta mbledhja maratonë ndërpritet dhe rinis sërish pas 60 minutash. Në mbledhjen e ardhshme të KRRT-së është caktuar që pika e parë e rendit të ditës të jetë porti i peshkimit, i cili në bazë të numrit të votave të koalicionit të djathtë të caktohet sipas projektit të Bankës Islamike. Numri i anëtarëve të KRRT-së që ndryshoi raportin 8 me 7 pro PD-LSI-së u vendos më 15 dhjetor 2009, pas votimit të emrave të rinj në Këshillin Bashkiak. Në këtë mënyrë pavarësisht faktit se kryebashkiaku Vangjush Dako, zotëron njëkohësisht edhe cilësinë e kreut të KRRT-së në bashki, ai nuk mund të kontrollojë më vendimet, pasi tashmë ka në dispozicion vetëm 7 kartona, një më pak se koalicioni. E tillë paraqitet situata edhe në Këshillin bashkiak, ku kryetari Vangjush Dako përbën pakicë me këshilltarët e tij, pasi të djathtët zotërojnë 8 kartonë më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›