E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha për diplomaci ekonomike

Majlind Lazimi Me ngjarjet historike të rënies së murit të Berlinit dhe kësisoj të mbarimit të “luftës së ftohtë”, diplomacia botërore nuk mund të luante më funksionin propagandistik për hesap të “llogoreve ideologjike”. Madje, zhvillimet politike ishin aq dramatike sa që politologu i njohur, Francis Fukuyama, në një nga librat e tij e pagëzoi shkërmoqjen e ideologjisë komuniste dhe triumfin e demokracisë liberale si “fundin e historisë”. Natyrshëm, zhvillimet politiko-ekonomike të pas viteve ‘90 kishin si lokomotivë të tyre globalizimin, i cili ridimensionoi rolin e diplomacisë dhe dogmat politike i eklipsoi me pragmatizmin ekonomik. Nëse dikur diplomacia shërbente si “shansi i fundit” për shmangien e një lufte, sot të gjithë jemi dakord që ajo është mjeti kryesor i “pushtimit ekonomik” të një vendi. Nga ana tjetër, në një kohë kur kursimet e kinezëve financojnë çdo ditë borxhin e amerikanëve; kur gazi i rusëve ngroh shtëpitë e evropianëve dhe kur nafta e arabëve akoma mban ndezur “motorin” e ekonomisë botërore, do të ishte naive që axhenda gjeopolitike e një vendi të mos orientohej nga interesat ekonomike. Këto shembuj dëshmojnë qartë se marrëdhëniet e forta ekonomike janë premisa më premtuese për konsolidimin e marrëdhënieve politike mes vendeve, madje ato mund të shërbejnë edhe si “ngjitës”, në rastet kur kemi “thyerje” të raporteve politike. Në fakt ajo që sot quhet BE, u ngjiz rreth 60 vite më parë me krijimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe çelikut. Pavarësisht se ideja fillestare e themeluesve të saj ishte forcimi i lidhjeve ekonomike mes vendeve evropiane, si një instrument garantues për parandalimin e konflikteve dhe luftërave në Evropë, sot pas 60 vitesh ky vizion i një “Evrope të Bashkuar” e ka transformuar BE-në modelin unik të  prosperitetit ekonomik dhe stabilitetit politik. Sot, kriza ekonomike globale është dëshmia e gjallë e asaj që Tomas Friedman e artikuloi në tezën e tij si “bota është e rrafshët”, ku procesi i globalizimit ka intensifikuar maksimalisht ndërvarësinë e vendeve dhe ku shpesh oportunitetet dhe kërcënimet janë dy anë të së njëjtës medalje. Në këtë kontekst, shumë vende të zhvilluara dhe në zhvillim kanë përqafuar dhe adaptuar me pragmatizëm në politikën e tyre të jashtme atë çfarë quhet rëndom “diplomacia ekonomike”, e cila i ka kthyer çështjet ekonomike në kryefjalë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Po në të vërtetë çfarë nënkuptojmë me diplomaci ekonomike? Termi “diplomaci ekonomike” vetëm së fundmi po përdoret dhe po adoptohet gjerësisht nga diplomatët, duke pasur parasysh se më parë etiketohej si “diplomaci tregtare”, fokusi ekskluziv i së cilës ishin shkëmbimet tregtare dhe volumi i tyre. Edhe pse nuk ka një definicion statik për këtë nocion, praktikisht me diplomaci ekonomike nënkuptojmë ushtrimin e influencës politike, për të promovuar investimet dhe shkëmbimet tregtare; për të përmirësuar funksionimin e tregjeve për mallra dhe shërbime apo për të intensifikuar shkëmbimin e informacionit dhe teknologjisë; për të ideuar dhe zhvilluar projektet dhe rrjetet ndërkombëtare të energjisë, transportit dhe telekomunikacionit, etj.Tradicionalisht ka ekzistuar një stereotipizim i rolit të diplomatit, duke e kufizuar atë me axhendën e tij politike dhe deri diku tregtare. Pa kurrfarë mëdyshjeje, ky është funksioni primar i çdo diplomati, por dinamika e zhvillimeve ndërkombëtare në rrafshin ekonomik dikton një diplomaci më pro-aktive dhe më pragmatiste, pavarësisht rëndësisë gjeopolitike që një vend ka në diplomacinë botërore, ku thjesht shkëmbimi i kredencialeve dhe menaxhimi i marrëdhënieve politike dhe tregtare konsiderohet i pamjaftueshëm. Në këtë drejtim duhet theksuar fort se tipari më pikant dhe më i rëndësishëm i diplomacisë ekonomike është përfshirja edhe e aktorëve të tjerë jo-qeveritarë, qofshin këto të sektorit privat të sipërmarrjes, shoqërisë civile apo agjencive dhe instituteve kërkimore dhe akademike, në procesin e vendimmarrjes për të influencuar pozicionet negociuese me vendet e tjera, në mënyrë që të përmirësohet konkurrueshmëria me tregjet rajonale dhe më gjerë. Praktikisht, me rritjen e influencës dhe kontributit të sektorit privat në ekonomi, ekuilibrat e marrëdhënieve ndërkombëtare bëhen më sensitive ndaj nevojave të tij në funksion të investimeve në sektorët strategjik, promovimit të biznesit në arenën ndërkombëtare, si dhe orientimit më të drejtë dhe integrimit më të shpejtë të tregjeve vendase në tregjet globale. Në kontekstin shqiptar është për t’u përgëzuar vullneti politik dhe iniciativat konkrete për ta vënë diplomacinë ekonomike në axhendën e politikës sonë të jashtme, si një nga objektivat dhe prioritetet kryesore. Mbi të gjitha, kjo është një domosdoshmëri për të krijuar premisat e harmonizimit të plotë të interesave gjeopolitik të vendit me ato ekonomik, në një kohë kur globalizimi e bën “lojën ekonomike” shumë më komplekse dhe kur lypset pjesëmarrje në vendimmarrje të më shumë aktorëve dhe grupeve të interesit. Praktikisht, nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit nga Ministria e Punëve të Jashtme me Agjencinë Kombëtare të Turizmit për një sërë projektesh promovuese, që do të asistohen nga përfaqësitë tona kudo në botë apo institucionalizimi i bashkëpunimit edhe me agjencitë e tjera shtetërore, si Albinvesti dhe grupeve të interesit të sektorit privat, janë hapa inkurajuese për lëvrimin e mëtejshëm të diplomacisë ekonomike. Në këtë frymë, unë gjykoj si shumë produktive hedhjen e idesë së krijimit të një Këshilli për Diplomacinë Ekonomike, të kryesuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe me përfaqësues të METE-së, Albinvest-it, Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Dhomës së Tregtisë, Konfindustrisë, akademikë dhe ekspertë të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare, etj. Ja vlen të përmendet se në rajon, diplomacinë ekonomike e kanë identifikuar si të rëndësishme edhe diplomacia greke, sllovene, serbe, malazeze etjSë fundmi, për skeptikët e diplomacisë ekonomike më duhet të them se askush nuk duhet të aludojë apo pretendojë që diplomacia shqiptare mund të përqafojë një politikë diktuese në rajon edhe më gjerë me “mbyllje rubinetesh të gazit” për të arritur objektiva politike, por nga ana tjetër politika jonë e jashtme ka absolutisht vizionin dhe kapacitetet të koordinojë kontributet dhe interesat e përbashkëta të të gjithë aktorëve në vend, për të reklamuar më shumë biznesin vendas dhe tërhequr më tepër investitorë të huaj, dhe mbi të gjitha për të realizuar një nga objektivat më madhore, atë të promovimit të imazhit të Shqipërisë në botë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›