Tenderi i uniformave, Apeli liron biznesmenin
TIRANE - Gjykata e Apelit e kryeqytetit vendosi dje të zbuste masën e sigurisë nga "arrest në burg" në "detyrim paraqitjeje" për biznesmenin korçar Jani Gjergjefi, i akuzuar për "korrupsion pasiv" në çështjen për tenderin e uniformave të Ministrisë së Brendshme. Për dy biznesmenët e tjerë, Artan Berberi dhe Agur Sadiku Apeli nuk i ndryshoi masën e "arrestit në shtëpi", të vendosura nga Fakti, po kështu la në fuqi edhe arrestin në burg për tre zyrtarët Bujar Murati, Redi Popesku dhe Tahir Imami. Gjashtë të pandehurit ranë në pranga më 22 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa një tjetër biznesmen është në kërkim, pasi u akuzuan për korrupsion aktiv dhe pasiv në vlerën e 125 mijë eurove për tenderin 1.75 miliardë lekësh për uniformat e Ministrisë së Brendshme. Avokati mbrojtës i biznesmenit Gjergjefi pretendoi në gjykatë se klienti i tij nuk kishte kryer vepër penale dhe si i tillë duhet të lirohej nga qelia dhe t'i pushohej akuza. Sipas mbrojtësit, klienti i tij, i cili ishte përgjuar nga prokuroria, në asnjë moment nuk kishte folur për të paguar ryshfet te zyrtarët e tenderit apo të kishte dhënë para. Sipas tij, pretendimet e sjella nga organi i akuzës ishin të paprovuara dhe të krijuara mbi hamendje dhe si të tilla duhet të mos merreshin në konsideratë nga gjykata. Ndërkohë zyrtarët e arrestuar për këtë çështje pohuan në gjykatë se ishin të pafajshëm dhe se ishin arrestuar pa prova. Mbrojtësit e tyre pohuan para gjykatës se tenderi për të cilin ata akuzoheshin ishte anuluar nga Agjencia e Prokurimeve një muaj para se të zhvilloheshin ngjarjet për korrupsionin e pretenduar. Sipas tyre nuk kishte logjikë që biznesmenët të paguanin shuma të konsiderueshme të hollash, deri në 125 mijë euro për një tender që ishte anuluar. Pas vendimit të gjykatës mbrojtja pohoi se do i drejtohej Gjykatës së Lartë. fa.ma.