E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburgu pranon padinë e "Gërdecit"

 TIRANE - Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg pranon të marrë në shqyrtim ankimin e familjarëve të viktimave të shpërthimit të Gërdecit, për t'u bërë palë në procesin që po zhvillohet në gjykatë. Lajmi konfirmohet nga familjarët e viktimave të cilëve pak ditë më parë u ka mbërritur një korrespondencë zyrtare nga gjykata e Strasburgut. "Sekretariati i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të njeriut ka marrë letrën tuaj të datës 9 nëntor 2009, nga e cila kupton qëllimin tuaj për t'iu drejtuar gjykatës. Dosja juaj ka marrë numrin të cilit duhet t'i referoheni në korrespodencën tuaj të ardhshme drejtuar gjykatës lidhur me këtë çështje", shkruhet në përgjigjen nga Strasburgu në emër të Zamira Durdës, banores që humbi djalin e saj të mitur nga Shpërthimi. Referuar përgjigjes nga Strasburgu, dosja e familjarëve të viktimave të Gërdecit do të mbajë numrin 63543. Familjarët e viktimave të shpërthimit të marsit 2008 në Gërdec, iu drejtuan Strasburgut, pasi gjykatat shqiptare nuk i legjitimuan ata si palë në procesin penal në ngarkim të 29 të pandehurve si shkaktarë të shpërthimit.             a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›