E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici infiltrohet në "Facebook", "kurth" dy hajdutëve në Tiranë

 TIRANE - "Kurthi" i ngritur nga një punonjës policie në "Facebook", ka zbuluar rrjetin e grabitësve të makinave "Benz" në kryeqytet të cilët u arrestuan tri ditë më parë. Pasi ka mbajtur në vëzhgim për një muaj Romeo Rakipin, Flamur Matoshin, Indrit dhe Ardit Ibrahimin, grupi hetimor ka vendosur që të përdorë "infiltrimin" në rrjetin mjaft të përdorur në internet, për të zbuluar vjedhjet e makinave. Për këto vjedhje dy prej të dyshuarve komunikonin në Facebook pasi ishin memecë dhe nuk kuptoheshin me anëtarin e tretë të grupit. Një punonjës policie ka arritur të futet në adresën e njërit prej autorëve të vjedhjeve të makinave dhe ka mundur të zbulojë planin për grabitjen e makinës së radhës. Burime nga policia thanë se në bisedat e tyre, është mësuar se "gjahu" i tyre i fundit ishte një biznesmen me inicialet F.M, të cilin kishin vendosur t'i vidhnin makinën me targë TR 6267 E. Automjeti tip "Benz", sipas bisedave në "Facebook", ishte mbajtur në vëzhgim nga 17-vjeçari Ardit Ibrahimi, i cili kishte studiuar me imtësi lëvizjet, si dhe vendin ku parkohej. Vjedhja ishte planifikuar që të realizohej në vendin ku parkohej makina e biznesmenit, në afërsi të Stacionit të Trenit, në Tiranë. E-mail-i i fundit që ka mundur të lexojë oficeri i policisë, fliste për orën, vendin dhe datën e takimit. Duke u nisur nga kjo bisede e grupit të hajdutëve shurdhmemecë, policia ka mundur t'iu bëjë pritë në vendin e caktuar, më 15 janar të këtij viti dhe ka ndodhur pikërisht ashtu siç kishin biseduar ata nëpërmjet e-mail-eve. Pasi janë siguruar të gjitha provat e nevojshme, policia ka ndërhyrë në momentin e duhur duke mundur të ndalonte 3 autorët, ndërsa personi i katërt është shpallur në kërkim. Pas ndalimit të tyre burimet sqaruan se Ardit Ibrahimi, që tashmë akuzohet për moskallëzim krimi, fillimisht ka refuzuar të flasë, duke pretenduar se asgjë nuk do të zbulohej edhe për faktin se, dy të arrestuarit nuk e kishin aftësinë e të folurit dhe të dëgjuarit. Policia ka mundur të sekuestrojë tre nga makinat e vjedhura, njëra prej të cilave i ishte vjedhur natën e ndërrimit të viteve një shtetasi turk që banon në Tiranë. Ndërsa katër makinat e tjetra që rezultojnë të vjedhura nga këta persona, janë shitur jashtë kryeqytetit, por pritet që të verifikohet vendndodhja e tyre dhe të sekuestrohen.               e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›