Defekt në doganat greke, “mbyllet” për 8 orë kufiri
Qindra udhëtarë që i ishin drejtuar pikës së kalimit kufitar të Kakavijes e kanë kaluar natën jashtë në temperatura të ulëta
Kakavije Gjatë mëngjesit të së martës, për shkak të një defekti në sistemin kompjuterik të palës greke, në doganat kufitare të Qarkut të Gjirokastrës ka qenë e bllokuar lëvizja e këmbësorëve dhe automjeteve në të dyja anët e kufirit. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Kufirit, rreth orës 02.00 të së martës ata u njoftuan nga homologët grekë për një problem teknik në sistemin kompjuterik të doganave të Kakavijes dhe Tri Urave. Në këtë situatë me dhjetëra persona, jo vetëm në tokën shqiptare por edhe në territorin grek, kanë qëndruar për orë të tëra në motin e ftohtë në pritje të rifillimit të lëvizjes në kufi, ndërkohë që radha e automjeteve në të dyja anët e kufirit arrinte në rreth 2 kilometra. “Kam ardhur në doganën e Kakavijes rreth orës 05.00 të mëngjesit, ndërkohë që ora po shënon 08.30 dhe ende dogana greke nuk ka filluar nga puna”, thotë A. Jaho, një emigrant nga Lushnja, i cili udhëton për në Athinë. “Kam katër orë që pres në autobus së bashku me fëmijën tim 4-vjeçar këtu mes të të ftohtit të Kakavijes. Madje, kjo situatë e prishjes së kompjuterëve grekë ka ndodhur disa herë”, thotë E. Maho, një e re nga Fieri, e cila udhëton për në Greqi së bashku me familjen. Pritja e këmbësorëve dhe automjeteve në të dyja anët e kufirit si në doganën e Kakavijes ashtu edhe Tri Urave ka zgjatur për rreth 8 orë. Rreth orës 10.00, me riparimin e defektit teknik, është bërë i mundur rifillimi i lëvizjes normale në kufi. Përpara disa ditësh kanë qenë grevat e përsëritura të doganierëve grekë të cilat kanë sjellë probleme për lëvizjen në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek.