Tre të rinj përdhunuan të miturën, dënohen me 25 vjet burg
KORÇË Përdhunuan një vit më parë një 15-vjeçare, gjykata i dënon me 25 vjet burg. Gjykata e Korçës ka dënuar tre të rinjtë që përdhunuan para një viti një 15-vjeçare nga Pogradeci. Trupi gjykues shpalli fajtor për veprën penale të përdhunimit tre të rinjtë, Ernard Berberi, Ervis Dushi dhe Daniel Çekiçin, duke i dënuar me përkatësisht, 5 vjet burg Berberin që ishte dhe kushëri i vajzës, dhe me nga 10 vjet burg 2 të rinjtë e tjerë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në muajin dhjetor të vitit të kaluar në fshatin Starovë të Pogradecit. 15-vjeçarja nga Pogradeci është ftuar mbrëmjen e një nate dhjetori nga një shok i saj, që të pinin një kafe së bashku, pa ditur se do të bëhej pre e një skenari përdhunimi të parapërgatitur më parë nga tre të rinj. Pas tri orësh tmerri nën epshet e tre përdhunuesve, 15-vjeçarja J.A. ka arritur në shtëpi dhe u ka rrëfyer prindërve të saj gjithçka që ka ngjarë. Rreth orës 08:00 të ditës më pas, 15-vjeçarja së bashku me të atin kanë bërë denoncimin në Komisariatin e Policisë së Pogradecit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Buçimas të komunës Starovë, 3 km larg nga qyteti. Tre të rinj, 16-vjeçari E.B, i cili u arrestua menjëherë pas denoncimit, së bashku me 23-vjeçarin Ervis Dushi dhe 22-vjeçarin Daniel Çekiçi kanë përdhunuar në banesën (haur) e 23-vjeçarit Dushi minorenen J.A. Nga hetimet e para rezulton se ata e kanë mashtruar minorenen me qëllim përdhunimi në bazë të një skenari të parapërgatitur", - pohuan në atë kohë drejtues të policisë së Pogradecit.