Pas vendimit, i dënuari kërcënon gjyqtarët
VLORË Dhënia e vendimit nga gjykata e Vlorës për një 24-vjeçar është shoqëruar me rebelimin e këtij të fundit, i cili më pas ka kërcënuar dhe fyer trupën gjykuese të drejtuar nga kreu i kësaj gjykate Artur Malaj dhe anëtarët e trupit gjykues: Albert Spiro dhe Mirela Mishgjoni. Nga shërbimet e Policisë së Shtetit rreth orës 12:00 është marrë informacion se në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore në ngarkim të Klejvis Gjahtarit, 24 vjeç, lindur e banues në Vlorë, në lagjen “Pavarësia” dhe sipas burimeve nga policia e Vlorës mësohet se ai ka fyer e kanosur trupin gjykues të përbërë nga 3 (tre) gjyqtarë në sallën e gjyqit, mbas dhënies së vendimit në ngarkim të tij, i cili e dënonte me 8 vjet burg për armëmbajtje pa leje dhe posedim narkotikësh. Menjëherë oficerë të Krimeve Ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë janë organizuar dhe kanë kapur përpara banesës, e kanë shoqëruar dhe arrestuar në flagrancë Gjahtarin. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për kompetencë për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Fyerja e gjyqtarit”, parashikuar nga nenet 317 dhe 318 të Kodit Penal.