E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defekt në sistem, emigrantët bllokohen 7 orë

11/01/2009  Në portin e Vlorës radha e mjeteve arrin në 2 km. Problemi te serveri në Tiranë

Një defekt në sistemin kompjuterik të përpunimit të dokumenteve në portin e Vlorës ka bllokuar punën në këtë port gjatë gjithë ditës së djeshme dhe ka bërë që mijëra emigrantë, që po kthehen për në Itali, të presin me orë të tëra në sheshin e trageteve, ndërsa vargu i makinave ka arritur rreth 2 km i gjatë.

Vonesa

Gjithçka është konstatuar dje në mëngjes, kur kontrollorët e policisë kanë shkuar në sportelet dhe kanë hapur kompjuterët për të filluar punën. Ata kanë verifikuar se asnjë e dhënë nuk jepej në kompjuter dhe menjëherë kanë lajmëruar eprorët, të cilët janë vënë në lëvizje për të gjetur defektin dhe për ta eliminuar atë. Mirëpo sipas drejtuesve, ende nuk dihet se ku qëndron defekti dhe për këtë është kërkuar ndihma nga Tirana, prej nga është nisur një ekip teknikësh. Mbi 1000 emigrantë dhe rreth 400 makina janë vënë në radhë për të pritur hyrjen në port dhe në tragetet që prisnin të niseshin për në Itali. Në këtë radhë kishte shumë emigrantë që ishin me familjet e tyre. Pasagjerët janë shprehur të shqetësuar për këtë vonesë, pasi moti ishte i ftohtë dhe shumë prej tyre kanë dhe fëmijët me vete. Por më të shqetësuar kanë qenë emigrantët që kishin llogaritur që të ishin në punë të hënën, njëri prej tyre është dhe Erion Meni, i cili shprehet se vonesa u prish shumë punë, sepse do të kenë probleme me pronarët e tyre në Itali. Ndonëse është bërë përpjekje e madhe për rregullimin e defektit, riparimi i tij është bërë i mundur vetëm në orën 14:30 dhe menjëherë ka nisur kontrolli dhe futja e pasagjerëve në port. “Nuk kemi si kthehemi prapa, - thonë emigrantët. - Na duhet të ikim patjetër sa më shpejt dhe do të presim në radhë derisa të rregullohet gjithçka ka ndodhur. Ndërkohë ankesa kishte gjatë kësaj kohe edhe nga pronarët e tre trageteve që prisnin të niseshin për në Itali, sepse çdo vonesë për ta ka kosto ekonomike dhe ata duhet patjetër të nisen shpejt e kthehen, se tashmë është koha kur ka fluks ikje dhe ata nuk duan të humbasin asnjë ditë dhe asnjë udhëtim.

Defekti

Sipas autoriteteve të policisë kufitare, defekti ka ndodhur për shkak të ristartimit të serverit qendror në Tiranë prej mbingarkesës. Autoritetet shtojnë se pas vendosjes në funksionim të serverit janë angazhuar të gjitha strukturat e policisë kufitare si dhe ato të emigracionit, me qëllim që përpunimi të kryhej në një kohë të shkurtër, duke bërë që tre tragetet e linjës Vlorë–Brindisi të niseshin rreth orës 19;00. Është hera e parë që ndodh një defekt i tillë këtë sezon në këtë port, nga ku pothuajse çdo ditë largohen rreth 1500 emigrantë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›